links
KeL - Kosova e lirë www.kosovaelire.com
KeL - Kosova e lirë - www.kosovaelire.com
 Portrete
 Portrete të vjetra

Frangu i Bardhë
  Gjon Buzuku
  Pjetër Bogdani

 Portretet janë marrë nga   
 Aktualizuar më: 31 maj 2004 
Portrete

Naim Frashëri (1864-1900)

Lexo poezi nga Naim Frashëri

Prishtinë, 20 qershor 2002 (KeL) - Fytyra më popullore e Lëvizjes sonë kombëtare qe poeti e patrioti i madh shqiptar Naim Frashëri. Djalë i një beu të vogël të rënë nga vahti, ai u lind në Frashër më 25 maj të vitit 1846. Frashëri dikur kishte qenë qendër e lulëzuar tregëtie, por me kohë kishte rënë rëndësia e tij. Frasheriotët tani merreshin më shumë me nëpunësi. Por Frashëri ishte i njohur edhe si qendër bektashiane. Aty jetuan dhe vepruan shkrimtarët bektashianë si Dalipi e Shahini. Naimi mësimet e para i mori te hoxha i fshatit. Aty mësoj turqisht e arabisht. Më 1865 Naimi, së bashku me familje, shpërngulet për në Janinë. Si nëntëmbëdhjetë vjeçar, së bashku me Samiun, regjistrohet në gjimnazin ,,Zosimea’’ të Janinës. Në gjimnaz fiton një kulturë mjaft të shëndoshë. Aty njifet me letërsinë klasike greke e romake. Naimi i njef edhe idetë përparimtare të iluminizmit freng. Këto ide bëjnë përshtypje të madhe te Naimi.

Jashtë shkollës, Naimi mësoj edhe në gjuhën persishte. Veprat e shkrimtarëve persianë Sabi e Xhelaledin Rumiu e pushtuan shkrimtarin. Dhe Naimi, për herë të parë, zu të vjershërojë në gjuhën persishte. Vepra e tij në gjuhën persishte ,,Tehajylat’’ (Ëndërrimet), u botua në Stamboll më 1883. Më 1870, pas kryerjes së gjimnazit, Naimi shkon për punë në Stamboll mirëpo, atje nuk qëndroj gjatë sepse iu çfaq tuberkulozi. Kështu, ai kthehet në Shqipëri që në malet e saj të larta të gjejë shërim. Këtu ai qëndroj dy vjetë ku një kohë ai punoj si nëpunës të dhjetash në Berat e drejtor dogane në Sarandë. Me qëllim që të shërohet, Naimi shkon në Ilixhat e Badenit në Austri. Atje ai viziton muzeun e Vienës ku sheh edhe armët e Skënderbeut. Aty shkrimtari frymëzohet nga idetë patriotike dhe shkruan poezinë ,,Parajsa’’.

Ngjarjet e viteve 1878-1881 (formimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe lufta e ushtrisë së saj vullnetare kundër Turqisë), e gjetën Naimin në jug të Shqipërisë. Poeti nuk mori pjesë në Lidhjen e Prizrenit në vitin 1878, por qe një ndër organizatorët e kësaj lidhje. Ai në Frashër, bashkë me patriotët tjerë organizoj mbledhje që ti vij në ndihmë Lidhjes së Prizrenit dhe t’i përkrahin vendimet e saj që Shqipëria me armë në dorë t’i mbrojë kufijtë etnikë kundër çdo coptuesi.
Në jetën e shkrimtarit dallojnë dy faza: faza e parë përfshin veprat e shkrimtarit që tek Lidhja e Prizrenit. Gjatë fazës së parë shkrimtari është i shkëputur nga realiteti shqiptar, është më tepër ëndërrues dhe nuk është i lidhur me Lëvizjen Kombëtare. Kësaj faze i përket vepra ,,Tehajylat’’. Fazës së dytë i përkasin veprat më të rëndësishme të Naimit. Gjatë kësaj faze ai u bë fytyra qendrore e Rilindjes Kombëtare. Ai u bë ideologu i Lëvizjes Kombëtare. Pas Lidhjes së Prizrenit, kur më 1881,Avdyli u arrestua nga policia turke, Naimi u vu nën shënjestrën e policisë. Ai atëherë, së bashku me familje u shpërngul nga Janina në Stamboll. E kësaj kohe është poezia ,,Shqipëria’’. Poezia i pëlqen shumë Jani Vretos, i cili e mori dhe e botoj në Bukuresht më 1881. Në Stamboll Naimi është anëtar i Komisionit të Qendrës, pronë e Ministrisë së Arsimit në Turqi. Si i tillë Naimi ndihmoj shumë daljen në dritë të disa revistave si: ,,Drita’’ dhe ,,Dëshira’’ e Sofjes. Ai ndihmoj edhe botimin e shumë veprave të shkrimtarëve tanë, ndërkohë botoj edhe vetë. Mundësoj botimin e gramatikës së Kristoforidhit dhe punën e Shoqërisë së Bukureshtit. Në Shoqërinë e Bukureshtit u botuan dhjetë vepra nga të cilat gjashtë ishin të Naimit, dy të Samiut kurse dy të tjera ishin të Jani Vretos. Këtu u botua vepra ,,Bagëti e Bujqësia’’, ,,Dëshirë e vërtetë e shqiptarëve’’ greqisht etj. Naimi ndërhyri pranë organeve turke që të fitohet leja e hapjes së shkollës së parë shqipe në Korçë. Më 1890 Naimi botoj përmbledhjen poetike ,Lulet e Verësë’’, më 1894 ,,Parajsa’’ dhe ,,Fjala fluturonte’’. Më 1898 botoj poemat ,,Qerbelaja’’ dhe ,,Istori e Skënderbeut’’.

Naimi vdiq shumë i ri, më 20 tetor 1900 në Stamboll. Vdekja e Naimit qe një zi e madhe kombëtare. Shtypi shqiptar i kohës shkroj mbi këtë humbje të madhe. Çajupi shkroj një poezi elegjike (vajtimi) mbi vdekjen e Naimit. Por është vetë Çajupi që do t’a marrë në dorë flamurin e Lëvizjes Kombëtare.

Krijimtaria
Naimi filloj të shkruaj që në fëmijëri nën ndikimin e bejtexhinjëve. Te ai ndikuan shumë bejtexhinjtë si Dalipi e Shahini.Naimi u ndihmua shumë dhe nga letërsia persishte. Krijimtaria e tij, siç u tha më lart, ndahet në dy faza. Faza e parë, krijimtaria e tij deri në Lidhjen e Prizrenit dhe e dyta nga Lidhja e Prizrenit e deri në vdekjen e poetit.

Epika e Naimit
Veprat epike të Naimit janë: ,,Qerbelaja’’ dhe ,,Histori e Skënderbeut’’ të cilat u shkruan gjatë viteve 1890-1895. ,,Qerbelaja’’ përveç rëndësisë gjuhësore nuk ka rëndësi tjetër. Këtu shkrimtari na flet mbi historinë e krijimit të botës sipas fesë islame.
Vepra madhore e Naimit është ,,Histori e Skënderbeut’’ botuar më 1898. Kjo është një histori e vjershëruar kushtuar luftës 25 vjeçare të popullit shqiptar kundër dëpërtimit turk në Ballkan dhe në Europë. Duke shkruar ,,Historinë e Skënderbeut’’ shkrimtari kreu një ndër porositë e rilindasve: t’i ngreh një monument historik luftës së popullit shqiptar kundër pushtimit turk. Rrethanat në të cilat u shkrua vepra, janë po ato në të cilat u shkrua vepra e Samiut. Në të shkruarit e veprës Naimi u shërbye me veprën e humanistit të madh shqiptar Marin Barlecin. Naimi sigurisht nuk do të kiushte pasë në dorë veprën origjinale të Barlecit mbi Skënderbeun, pasi që ajo ishte e rrallë në kohën e tij, por shkrimtari do të ketë shfrytëzuar ndonjë nga përshtatjet e veprës së Barlecit në gjuhë të huaja. Naimi shfrytëzoi edhe veprën e shkrimtarit Biemmi mbi Skënderbeun. Naimi i qëndroj besnik Barlecit, sepse ky, sipas tij është njohës i mirë i jetës dhe veprës së Skëndebeut. ,,Barleci do t’i ketë parë me sy ngjarjet’’, thotë Naimi. Ashtu sikurse edhe Barleci, Naimi në mënyrë kronologjike na pasqyron ngjarjet e kësaj periudhe duke i bërë vetëm ca ndryshime të parëndësishme në vepër.

Vepra fillon me ardhjen e të deleguarve të Sulltan Muratit në oborrin mbretëror të Gjon Kastriotit, të atit të Skënderbeut. këta sjellin me vehte një shkresë të cilën ia dorëzojnë Gjonit, pastaj presin përgjegjën. Shkrimtari na përshkruan pamjen e shëmtuar të turqve dhe jetën e lumtur dhe të gëzuar të shqiptarëve para ardhjes së turqve. Në letër Sulltani i Turqisë kërkon që Shqipëria t’a njohë pushtetin suprem të Turqisë e të bëhet vazale e saj. Si peng të ,,miqësisë’’ Turqia ka kërkuar që Gjoni t’i dërgojë në oborrin mbretëror të Sulltanit të katër bijtë e tij. Ata mund të vijnë në Shqipëri sa herë që të duan dhe pas vdekjes së Gjonit, ndonjëri prej tyre, do ta zë vendin e tij. Gjoni, pasi mendon gjatë, i thërret princët e Shqipërisë që të konsultohet me ta. Ky vetë është i mendimit që të pranohen kushtet e rënda turke, pasi Shqipëria nuk mund t’i bëjë ballë Turqisë e cila ishte në kulmin e fuqisë së vet. ,,Pas lidhjes së miqësisë’’ thotë Gjoni, ne duhet të përgatitemi për luftë kundër Turqisë.

Naimi ka meritën e madhe sepse në vepër na flet edhe mbi rolin e shëmtuar të Venedikut e të Serbisë së Brankoviqit i cili kishte pranuar pushtetin suprem turk. Edhe Europa qe e pabesë ndaj Shqipërisë sepse në këtë luftë vigale, ku forcat ishin të pabarabarta, nuk e ndihmoj Shqipërinë. Shkrimtari flet me simpati për Huniadin e Hungarisë dhe Vlladisllavin e Polonisë, dy aleatët e Shqipërisë. Naimi nuk na flet mbi përçarjet shqiptare, sidomos mosmarrëveshjet në mes të Skënderbeut e Lekë Dukagjinit i cili donte të jetë në vehte. Ai do ta tregojë këtë kohë si kohë bashkimi të plotë të popullit shqiptar. Në vepër, Skënderbeu është figura më e përsosur heroike: trim, diplomat, i dashur, me masa, i rreptë në betejë, i mëshirshëm ndaj robërve të cilët shpeshherë i falë, bujar, i pashëm dhe i fuqishëm. Meritë e madhe e Naimit është sepse masave shqiptare u jep vend të merituar. Ato janë të tubuara rreth heroit kombëtar dhe korrin suksese të njëpasnjëshme kundër turqve. Skënderbeu arriti t’a bashkojë popullin shqiptar dhe me një ushtri ndonëse të vogël, në krahasim me atë turke, t’i fitojë afro tridhjetë betejat. Ushtria shqiptare nën udhëheqjen e Skënderbeut manovron shpejtë, e godit armikun ku ky nuk e pret, atë e ndihmojnë dhe masat si dhe vendi. Në ushtrinë shqiptare dalin edhe tradhëtarë nga më të afërmit e Skënderbeut si: Ballaban Pasha, Mojsi Golemi e Hamzai. Mojsi Golemi dhe Hamzai pendohen për tradhëtinë e tyre dhe kërkojnë falje nga Skënderbeu. Ky i falë dhe u jep mundësinë të shlyejnë turpin ndaj atdheut. Në luftrat e mëtejme këta tregojnë trimëri të madhe dhe vriten në luftë. Ballaban Pasha deri në fund të jetës nuk pendohet për tradhëti. Ndonëse Skënderbeu e falë dhe e pranon në ushtrinë shqiptare, ai nuk heq dorë nga tradhëtia sepse don të jetë i pari në Shqipëri. Ai vritet nga dora shqiptare. Figurë pozitive është e ëma e Skënderbeut. Emrin e saj Mamicë, Naimi e shqipëron - Manushë. Pasi humb të bijtë të cilët nuk i sheh më, ajo bie nga shëndeti dhe vdes në një natë të ftohtë dimri me fjalët: ,,bijtë’’.

Dy Sulltanët më të mëdhenj të Turqisë, Mehmeti e Murati janë figura të urryera të veprës. Në vepër hasim edhe elemente mitologjike e fantastike, siç është falitja e të atit të Skëndebeut në fushatën e Sirisë. Tek Naimi nuk ka ndikuar folklori mbi Skënderbeun i cili ishte i gjallë vetëm në veri të Shqipërisë. Në jug të Shqipërisë, ku jetonte Naimi, nuk kishte folklor mbi Skënderbeun.
Vepra është e shkruar me një gjuhë të pastër e me shumë figura stilistike.

Komentoni artikullin/lajmin e mësipërm:
Emri dhe Mbiemri:
E-Mail:
Komenti juaj:  
 
KeL - Kosova e lirë - www.kosovaelire.com
KeL - Kosova e lirë