links
KeL - Kosova e lirë www.kosovaelire.com
KeL - Kosova e lirë - www.kosovaelire.com

Radio Dukagjini






"Po iu jap një porosi,
Këmba e huaj keq iu rri,
Nuk durohet gjithë vaji i fëmisë,
Çonu të gjithë në shërbim t'lirisë."

 

 

 

 

 

 

 

 

 


Kosova- OKB dhe Rezoluta 1244

Në Anglisht / English

Rezoluta 1244 (1999) Miratuar nga Këshilli i Sigurimit në mbledhjen e tij të 4011-të më 10 qershor 1999

Këshilli i Sigurimit,
Duke patur parasysh parimet dhe qëllimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë përgjegjësinë parësore të Këshillit të Sigurimit për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare,

Duke iu rikthyer rezolutave të tij 1160(1998) të datës 31 mars 1998, 1199 (1998) të datës 23 shtator 1998, 1203 (1998) të datës 24 tetor 1998 dhe 1239(1999) të datës 14 maj 1999.

Duke shprehur keqardhje që kërkesat e këtyre rezolutave nuk u respektuan plotësisht.

I vendosur për të zgjidhur situatën e rëndë humanitare në Kosovë, Republika Federale e Jugosllavisë, si dhe për të garantuar një kthim të sigurt e të lirë të të gjithë refugjatëve dhe personave të shpërngulur në shtëpitë e tyre,

Duke dënuar aktet e dhunës kundër popullsisë së Kosovës si dhe të gjitha aktet terroriste nga cilado palë,

Duke iu rikthyer deklaratës së bërë nga Sekretari i Përgjithshëm më 9 prill 1999, në të cilën shprehet shqetësimi për tragjedinë humanitare që po zhvillohej në Kosovë,

Duke rikonfirmuar të drejtën e të gjithë refugjatëve dhe të personave të shpërngulur për t'u kthyer në shtëpitë e tyre në siguri,

Duke patur parasysh juridiksionin dhe mandatin e Gjykatës Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë,

Duke përshëndetur parimet e përgjithshme për një zgjidhje politike të krizës së Kosovës të miratuara më 6 maj 1999 (S/1999/516, aneksi 1 i kësaj rezolute), duke përshëndetur edhe pranimin që Republika Federale e Jugosllavisë u bëri parimeve të parashtruara në pikat nga 1 gjer më 9 të dokumentit të paraqitur në Beograd më 2 qershor 1999 (S/1999/649, aneksi 2 i kësaj rezolute) si dhe miratimin e këtij dokumenti nga Republika Federale e Jugosllavisë,

Duke rikonfirmuar zotimin e të gjitha Shteteve anëtare për sovranitetin dhe integritetin tokësor të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe të Shteteve të tjera të rajonit, siç përcaktohet në Aktin Final të Helsinikit dhe në aneksin 2,

Duke rikonfirmuar thirrjet e rezolutave të mëparshme për një autonomi substanciale dhe për një vetadministrim vlerëplotë për Kosovën,

Duke përcaktuar se situata në rajon vazhdonte të përbënte një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare,

I vendosur për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e personelit ndërkombëtar si dhe implementimin e përgjegjësive të të gjithë të interesuarve në bazë të rezolutës aktuale dhe duke vepruar në emër të këtyre qëllimeve në bazë të Kapitullit VII të Kartës së OKB,

1. Vendos se zgjidhja politike për krizën e Kosovës duhet të mbështetet në parimet e përgjithshme të aneksit 1 si dhe në përpunimin e mëtejshëm të parimeve dhe të elementeve të tjera të detyrueshme në aneksin 2;

2. Mirëpret pranimin, nga ana e Republikës Federale të Jugosllavisë, të parimeve dhe të elementeve të tjera të detyrueshme që përmenden në paragrain 1 më sipër dhe kërkon bashkëpunimin e plotë të Republikës Federale të Jugosllavisë për implementimin e menjëherëshëm të tyre;

3. Kërkon në veçanti që Republika Federale e Jugosllavisë t'i japë fund menjëherë dhe në mënyrë të verifikueshme dhunës dhe represionit në Kosovë dhe të fillojë tërheqjen graduale, të plotë e të verifikueshme, të të gjitha forcave ushtarake, policore e paraushtarake nga Kosova në bazë të një grafiku të shpejtë me të cilin do të sinkronizohet dislokimi i pranisë ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë;

4. Konfirmon se një numër i miratuar forcash ushtarake e poliore serbe e jugosllave do të lejohet të kthehet në Kosovë pas tërheqjes për të kryer funksionet në pajtim me aneksin 2;

5. Vendos për dislokimin e një pranie ndërkombëtare civile dhe të një pranie të sigurisë në Kosovë nën kujdesin e OKB-së me pajisje të përshtatshme dhe me personel të nevojshëm si dhe mirëpret pëlqimin e Republikës Federale të Jugosllavisë për këto prani;

6. I kërkon Sekretarit të Përgjithshëm që në konsultime me Këshillin e Sigurimit të caktojë një përfaqësues të posaçëm për të kontrolluar implementimin e pranisë civile ndërkombëtare si dhe po Sekretarit të Përgjithshëm i kërkon që ta udhëzojë Përfaqësuesin e tij të Posaçëm të bashkëpunojë ngushtë me praninë ndërkombëtare të sigurisë për të siguruar që të dyja pranitë të operojnë në emër të qëllimeve të njëjta dhe në një mënyrë reciprokisht mbështetëse;

7. Autorizon Shtetet Anëtare dhe organizatat përkatëse ndërkombëtare që të vendosin një prani ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë, siç përcaktohet në pikën 4 të aneksit 2, me të gjitha mjetet për të përmbushur përgjegjësitë e saj në bazë të paragrafit 9 më poshtë;

8. Konfirmon nevojën për një dislokim sa më të shpejtë të pranive të efektshme civile dhe të sigurisë në Kosovë dhe kërkon që palët të bashkëveprojnë plotësisht për dislokimin e tyre;

9. Vendos se prania ndërkombëtare e sigurisë që do të dislokohet e do të veprojë në Kosovë do të ketë përgjegjësitë e mëposhtme:

(a) Të frenojë rifillimin e armiqësive, të ruajë, dhe, atje ku është e nevojshme, të imponojë zjarrpushimin, të sigurojë tërheqjen e forcave ushtarake, policore e paraushtarake të Republikës Federale të Jugosllavisë si dhe të parandalojë rikthimin e tyre, me përjashtim siç parashikohet në pikën 6 të aneksit 2;

(b) Të demilitarizojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe grupet e tjera të armatosura shqiptare kosovare, siç kërkohet në paragrafin 15 më poshtë;

(c) Të krijojë një mjedis të sigurt në të cilin refugjatët dhe personat e shpërngulur të mund të kthehen në shtëpi në siguri, në të cilin prania civile ndërkombëtare të mund të operojë, administrata e përkohshme të mund të vendoset dhe ndihma humanitare të mund të shpërndahet;

(d) Të garantojë sigurinë dhe rendin publik derisa përgjegjësinë për këtë detyrë të mund të marrë prania ndërkombëtare civile;

(e) Të mbikëqyrë çminimin derisa prania ndërkombëtare civile, kur të jetë e përshtatshme, të mundë të marrë përgjegjësinë për kryerjen e kësaj detyre;

(f) Të mbështetë praninë ndërkombëtare civile dhe, kur të jetë e përshtatshme, të bashkërendojë ngushtë punën e saj me të;

(g) Të kryejë detyrat e monitorimit të kufirit në përputhje me kërkesat;

(h) Të sigurojë mbrojtjen dhe lirinë e lëvizjes për veten e saj, për praninë ndërkombëtare civile dhe për organizatat e tjera ndërkombëtare;

10. Të autorizojë Sekretarin e Përgjithshëm që me ndihmën e organizatave përkatëse ndërkombëtare të vendosë një prani ndërkombëtare civile në Kosovë për të siguruar një administrim të përkohshëm për Kosovën nën të cilin populli i Kosovës të mund të gëzojë një autonomi substanciale brenda Republikës Federale të Jugosllavisë, prani që do të sigurojë një administrim kalimtar ndërkohë që edhe do të themelojë institucionet e përkohshme demokratike vetëqeverisëse si dhe do të mbikëqyrë zhvillimin e tyre për të krijuar kushtet për një jetë paqësore e normale për të gjithë banorët e Kosovës;

11. Vendos që përgjegjësitë kryesore të pranisë ndërkombëtare civile të përfshijnë:

(a) Derisa të arrihet një zgjidhje përfundimtare, të nxitë themelimin e një autonomie dhe vetëqeverisjeje substanciale në Kosovë duke patur plotësisht parasysh aneksin 2 dhe marrëveshjen e Rambujesë (S/1999/648);

(b) Të kryejë funksionet themelore administrative civile përsa kohë që kjo do të jetë e nevojshme;

(c) Të organizojë dhe të mbikëqyrë zhvillimin e institucioneve të përkohshme për një vetëqeverisje demokratike dhe autonome derisa të arrihet një zgjidhje politike, përfshirë edhe zhvillimin e zgjedhjeve;

(d) Ndërkohë që do të themelohen këto institucione do t'u transferojë atyre përgjegjësitë e saj administrative duke mbikëqyr e mbështetur edhe konsolidimin e institucioneve të përkohshme vendore si dhe veprimtaritë e tjera paqendërtuese të Kosovës;

(e) Të lehtësojë procesin politik të projektuar për t'i caktuar Kosovës një status të ardhshëm duke patur parasysh Marrëveshjen e Rambujesë (S/1999/648);

(f) Në stadin përfundimtar, të mbikëqyrë kalimin e autoritetit nga institucionet e përkohshme të Kosovës, në institucionet e ndërtuara në bazë të një zgjidhjeje politike;

(g) Të mbështetë rindërtimin e infrastrukturës kyçe si dhe rindërtimet e tjera në ekonomi;

(h) Në bashkërendim me organizatat ndërkombëtare humanitare, të mbështetë ndihmën humanitare dhe ndihmën e emergjencës të rasteve të fatkeqësisë;

(i) Të ruajë rendin civil, përfshirë vendosjen e forcave policore vendore, por ndërkohë rendi do të ruhet nëpërmjet dislokimit të personelit ndërkombëtar të policisë që do të shërbejë në Kosovë;

(j) Të mbrojë dhe të lartësojë të drejtat njerëzore;

(k) Të sigurojë kthimin e sigurt dhe të papenguar në shtëpitë e tyre në Kosovë të të gjithë refugjatëve dhe të personave të shpërngulur;

12. T'i japë rëndësi nevojës së bashkërendimit të operacioneve humanitare të emergjencës, kurse Republika Federale e Jugosllavisë të lejojë hyrjen pa pengesa në Kosovë të organizatave të ndihmës humanitare dhe të bashkëpunojë me këto organizata në mënyrë që të sigurohet shpërndarja e shpejtë dhe e efektshme e ndihmave ndërkombëtare;

13. T'i nxitë të gjitha Shtetet Anëtare dhe organizatat ndërkombëtare që të kontribuojnë në rindërtimin ekonomik dhe shoqëror si dhe në kthimin e sigurt të refugjatëve dhe të personave të shpërngulur si dhe thekson, në këtë kontekst, rëndësinë për mbajtjen e një konference ndërkombëtare donatorësh, veçanërisht për qëllimin e përcaktuar në paragrafin 11 (g) më sipër në një datë mundësisht sa më të hershme;

14. Kërkon bashkëpunimin e plotë të të gjithë të interesuarve, përfshirë edhe atë të pranisë ndërkombëtare të sigurisë, me Gjykatën për Ish-Jugosllavinë;

15. Kërkon që UÇK-ja dhe grupet e tjera të armatosura shqiptare kosovare t'u japin fund menjëherë të gjitha aksioneve sulmuese dhe të zbatojnë kërkesat e çmilitarizimit, të cilat përcaktohen nga kreu i pranisë ndërkombëtare të sigurisë në konsultim me Përfaqësuesin e Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm;

16. Vendos se ndalimet e imponuara nga paragrafi 6 i rezolutës 1160 (1998) nuk do të zbatohen për armët dhe materialet që lidhen me to dhe që do të përdoren nga prania ndërkombëtare civile dhe nga ajo e sigurisë;

17. Mirëpret punën që është duke u zhvilluar nga Bashkimi Evropian dhe nga organizatat e tjera ndërkombëtare për të ndërtuar një metodologji tërësore për zhvillimin ekonomik dhe stabilizimin e rajonit të prekur nga kriza e Kosovës, përfshirë implementimin e një Pakti Stabiliteti për Evropën Juglindore me një pjesëmarrje të gjerë me qëllim që të nxitet demokracia, prosperiteti ekonomik, stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal;

18. Kërkon që të gjitha Shtetet e rajonit të bashkëpunojnë plotësisht për zbatimin e të gjitha aspekteve të rezolutës;

19. Vendos që prania ndërkombëtare civile dhe ajo e sigurisë të vendosen për një periudhë fillestare prej 12 muajsh për të vazhduar edhe më tej nëse Këshilli i Sigurimit nuk vendos ndryshe;

20. I kërkon Sekretarit të Përgjithshëm që në intervale të rregullta të raportojë përpara Këshillit rreth implementimit të kësaj rezolute, përfshirë edhe paraqitjen e raporteve të liderëshipëve të pranisë ndërkombëtrare dhe të asaj të sigurisë, ku raportet e para do të paraqiten brenda 30 ditëve pas miratimit të kësaj rezolute;

21. Vendos që të qëndrojë aktivisht i angazhuar me këtë çështje.

Aneksi I

Deklarata e Kryetarit lidhur me vizionin përfundimtar të mbledhjes së Ministrave të Jashtëm të G8-ës e mbajtur në Qendrën Petersburg më 6 Maj 1999

Ministrat e Jashtëm të G8-ës miratuan parimet e përgjithshme të mëposhtme për zgjidhjen politike të krizës së Kosovës:

- Përfundim i menjëhershëm dhe i verifikueshëm i dhunës dhe i represionit në Kosovë;

- Tërheqje e forcave ushtarake, policore dhe paraushtarake nga Kosova;

- Dislokim i një pranie të efektshme ndërkombëtare civile dhe i një pranie të sigurisë në Kosovë, të miratuara dhe të aprovuara nga Kombet e Bashkuara, të afta për të garantuar arritjen e objektivave të përbashkët;

- Vendosje e një administrimi të përkohshëm për Kosovën që do të përcaktohet nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të siguruar kushtet për një jetë paqësore dhe normale për të gjithë banorët e Kosovës;

- Kthim i sigurt i të gjithë refugjatëve dhe të personave të shpërngulur dhe hyrje pa pengesa në Kosovë e organizatave të ndihmës humanitare;

- Një proces politik drejt arritjes së një marrëveshjeje për një kuadër politik të përkohshëm që do të sigurojë një vetëqeverisje substanciale për Kosovën duke marrë plotësisht parasysh marrëveshjen e Rambujesë dhe parimet e sovranitetit dhe të integritetit tokësor qoftë të Republikës Federale të Jugosllavisë, qoftë të vendeve të tjera të rajonit, si dhe çmilitarizimin e UÇK-së;

-- Një metodologji e gjithanshme për zhvillimin ekonomik dhe stabilizimin e krizës në rajon.

Aneksi 2

Marrëveshja që do të çonte drejt zgjidhjes së krizës së Kosovës duhet të arrihet mbi bazën e parimeve të mëposhtme:

1. Ndalim i menjëhershëm dhe i verifikueshëm i dhunës dhe i represionit në Kosovë,

2. Tërheqje e verifikueshme e të gjitha forcave ushtarake, policore dhe paraushtarake nga Kosova në bazë të një grafiku të shpejtë,

3. Dislokim në Kosovë i një pranie të efektshme ndërkombëtare civile si dhe i një pranie të efektshme të sigurisë nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara që do të veprojnë mbi bazën e Kapitullit VII të Kartës, të afta për të garantuar arritjen e objektivave të përbashkët.

4. Prania ndërkombëtare e sigurisë me pjesëmarrjen substanciale të Organizatës së Paktit të Atlantikut të Veriut duhet të dislokohet mbi bazën e një komande dhe kontrolli të unifikuar, e autorizuar për të krijuar një mjedis të sigurt për të gjithë popullin e Kosovës si dhe për të lehtësuar kthimin e sigurt të të gjithë refugjatëve dhe të personave të shpërngulur në shtëpitë e tyre.

5. Vendosja e një administrimi të përkohshëm për Kosovën si pjesë e pranisë ndërkombëtare civile në bazë të të cilit populli i Kosovës të mund të gëzojë një autonomi substanciale brenda Republikës Federale të Jugosllavisë, autonomi që do të vendoset nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Gjatë kohës që do të vendoset dhe do të mbikëqyret krijimi i institucioneve të përkohshme demokratike vetëqeverisëse, administrimi i përkohshëm do të sigurojë një administrim kalimtar për të siguruar kushtet për një jetë normale dhe paqësore për të gjithë banorët e Kosovës.

6. Pas tërheqjes, një numër i miratuar forcash jugosllave dhe serbe do të lejohet të kthehet në Kosovë për të kryer funksionet e mëposhtme:

- Ndërlidhje me misionin ndërkombëtar civil dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë;

- Përcaktim/pastrim i zonave të minuara;

- Mbajtje e një pranie në qendrat trashëgimore serbe;

- Mbajtje e një pranie në kalimet kyçe në kufi.

7. Kthim i sigurt dhe i lirë i të gjithë refugjatëve dhe i personave të shpërngulur nën mbikëqyrjen e Zyrës së Komisariatit të Lartë të OKB për Refugjatët dhe hyrje e papenguar në Kosovë e organizatave të ndihmave humanitare.

8. Një proces politik drejt arritjes së një marrëveshjeje për një kuadër të përkohshëm politik që do të sigurojë vetëqeverisjen substanciale për Kosovën duke patur parasysh plotësisht marrëveshjen e Rambujesë dhe parimet e sovranitetit dhe të integritetit tokësor qoftë të Republikës Federale të Jugosllavisë, qoftë atë të vendeve të tjera në rajon, si dhe çmilitarizmin e UÇK-së. Negociatat midis palëve për gjetjen e një zgjidhjeje nuk duhet të vonojnë ose të prishin vendosjen e institucioneve demokratike vetëqeverisëse.

9. Një metodologji e gjithanshme për zhvillimin ekonomik dhe për stabilizimin të rajonit pas krizës. Kjo do të përfshijë implementimin e një pakti stabiliteti për Evropën Juglindore me një pjesëmarrje ndërkombëtare të gjerë me qëllim që të nxitet demokracia, prosperiteti ekonomik, stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal.

10. Pezullimi i veprimtarive ushtarake do të kërkojë pranimin e parimeve të parashtruara më sipër plus pranimin e elementeve të tjera të domosdoshme të përcaktuara më parë, të cilat specifikohen në shënimin e mëposhtëm. Pas këtij pranimi duhet të arrihet menjëherë një marrëveshje ushtarako-teknike e cila, ndërmjet të tjerash, do të specifikojë modalitetet shtesë, përfshirë rolin dhe funksionet e personelit jugosllav/serb në Kosovë:

Tërheqja

- Procedurat për tërheqjen përfshijnë një grafik të detajuar për një tërheqje graduale si dhe përcaktimin e një zone tampon në Serbi, matanë së cilës duhet të tërhiqen forcat serbe.

Rikthimi i personelit

- Pajisjet që bashkëshoqërojnë personelet që do të rikthehen;

- Referenca e kushteve për përgjegjësitë e tyre funksionale;

- Grafiku kohor i rikthimit të tyre;

- Konturimi i zonave gjeografike për operacionet e tyre;

- Rregullat që qeverisin raportet e tyre me praninë ndërkombëtare të sigurisë dhe me misionin ndërkombëtar civil.

Elemente të tjera të nevojshme:

- Një grafik i preçizuar për tërheqje të shpejta, gjë që do të thotë, p.sh., shtatë ditë për një tërheqje totale, kurse armët kundërajrore duhet të tërhiqen deri në 25 kilomatra jashtë një zone sigurie të ndërsjelltë brenda 48 orëve;

- Rikthimi i personeleve për të katër funksionet e specifikuara më sipër do të bëhet nën mbikëqyrjen e pranisë ndërkombëtare të sigurisë dhe do të jetë i kufizuar në një numër të vogël të miratuar (me qindra, jo mijëra);

- Pezullimi i veprimtarisë ushtarake do të kryhet pas fillimit të tërheqjeve të verifikueshme;

- Diskutimi dhe arritja e një marrëveshjeje ushtarako-teknike nuk duhet të zgjatet përtej kohës së caktuar për përfundimin e tërheqjeve.

Komentoni artikullin/lajmin e mësipërm:
Emri dhe Mbiemri:
E-Mail:
Komenti juaj:  
 

 

KeL - Kosova e lirë - www.kosovaelire.com
KeL - Kosova e lirë