links
KeL - Kosova e lirë www.kosovaelire.com
KeL - Kosova e lirë - www.kosovaelire.com
 Portrete
 Portrete të vjetra

Frangu i Bardhë
  Gjon Buzuku
  Pjetër Bogdani

 Portretet janë marrë nga   
 Aktualizuar më: 31 maj 2004 
Portrete

Adem Jashari (1955 – 1998)

Prishtinë, 03 mars 2000 (KeL) - Adem Jashari lindi në Prekaz të Drenicës, më 28 nëntor 1955. Këtë vit, Shaban Jasharit, krahas Festës së Flamurit, që e festonte për çdo mot, ju shtua edhe një festë tjetër - Ditëlindja e djalit të cilin e pagëzoi: Adem. Dhe ishte e natyrshme që mbi djepin e posa të lindurit në këtë ditë, Djepi të mbulohej me flamurin e Skënderbeut. Kështu ndodhi atë ditë në familjen Jashari, në Prekazin e Ahmet Delisë. Familjes se xha Shabanit iu shtua edhe një pushkë, në Drenicë jehuan krismat e pushkëve për flamur dhe ushtarin e posalindur të lirisë. Xha Shabanit ju duk se jehona e pushkëve që kersën për lindjen e Adem Jasharit po shpërndahej valë - valë nëpër Drenicë e Kosovë si jehona "Prite, prite Azem Galicën o heeejjj", e atij sikur ju duk se po ndëgjonte jehonën: "Prite, prite Adem Jasharin o heeejjj". S´do të ishte çudi që atë ditë, xha Shabani t´i kishte ndëgjuar të dy jehonat, se atë ditë e kaluara po e përcaktonte të ardhmen, ishin bërë një. Atë ditë, Flamuri - Lindja - krisma - jehona ishin determinim i një lavdije të madhe. Adem Jashari erdhi në këtë botë me të vetmin ndryshim nga gjithë moshatarët e tij se ky u lind në ditën e fitorevë më të lavdishme të popullit shqiptar, në Ditën e 28 Nëntorit. Kështu nisi jeta në vazhdimësi në Prekazin e lavdive të përsëritshme. Në festë me krisma e këngë edhe vdekjen e bëjnë me krisma e këngë. Xha Shabani ishte i kujdesshëm me të gjithë fëmijtë, por ndaj Ademit tregonte një kujdes të veçantë, ndoshta pse i kujtohej dita e lindjes, i kujtoheshin krismat e pushkës dhe jehonat e përsëritura të atyre krismave në 28 Nëntorin e vitit 1955. Xha Shabani ishte bujk. Pas Luftës së Dytë Botërore, për një kohë pati ushtruar profesionin e mësuesit, por për shkak të veprimtarisë atdhetare ai do të largohet nga procesi mësimor. Ai pa ndonjë kundërshti vendosi të merrej me punimin e tokës dhe edukimin e fëmijëve në frymën e atdhetarizmes. Kështu po rritej Ademi së bashku me vëllezërit më të mëdhenj, Rifatin dhe Hamzën. Ademi kishte një interesim të veçantë për armët, për të bëmat e prekaziotëve gjatë historisë e sidomos i interesonte akti tepër burrëror i Ahmet Delisë dhe ndihma që ai i pati dhënë fqiut, që ishte sulmuar nga bandat serbe.Sopata e Ahmet Delisë, ajo që bandës çetnike i ndau kokat në dysh, ishtë bërë legjendë, legjendë e historisë në mbrojtje të nderit dhe dinjitetit kombëtar. Adem Jashari kishte një interesim të veçantë për Emin Latin, prekaziotin bashkëluftëtar të Azem e Shotë Galicës, të atij brezi trimash, që në gjithë shqiptarinë njiheshin për të bëme e trimëri. Ndonëse ky brez i trimave të qartur të lirisë, Kosovës nuk i sollen çlirimin e bashkimin kombëtar, por brezave ju lan amanet: pushkët trimërore të lirisë. Ky amanet përcillej nga brezi në brez, nga luftëtari të luftëtari me porosi, që të përcillej si stafetë deri në fitoren mbi armikun e kombit. Prekazi në mënyrën më besnike e përcolli amanetin e luftëtarëve të lirisë, jo vetëm duke e mbajtur syrin në shënjestër, por duke përcjell jehonën e pushkëve të lirisë nga Prekazi në Drenicë e në Kosovë, jehonë që i mbulonte të gjitha tokat e pushtuara të Shqipërisë. A nuk e tregoi këtë edhe Kulla e Shasivar Alisë, në dimrin e ftohtë të vitit 1945? A nuk u përsërit kjo nga pasardhësi i Emin Latit me 13 maj 1981, kur Tahir Meha mbuloi me turp njësinë speciale të policisë beogradase? Të gjitha këto dhe shumë të tjera që s'u përmendën, lanë gjurmë të thella në edukimin atdhetar të Adem e Hamëz Jasharit dhe çetës së tij trime. Adem dhe Hamez Jashari do të betohen para varrit të Tahir Mehës, se do të vazhdojnë luftën për çlirim deri në fitore. Dhe, ecen guximshëm rrugës së luftëtarëve kombëtarë, duke ngritur si në cilësi e në sasi numrin e luftëtarëve të lirisë e të pavarësisë, duke ngritur cilësin e luftës çlirimtare, me çka ndryshuan rrjedhat e historisë dhe hapen një epokë të re - Epokën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Demonstratat e vitit 1981, ngjarjet e Pranverës së madhe studentore të vitit 1981, të cilat u shndërruan në Lëvizje të madhe popullore, që me vite mbajten të ndezur flakadanin e lirisë e të çlirimit të kombit, patën ndikim magjik në brezin që formuan, organizuan dhe udhëhoqen politikisht dhe ushtarakisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Adem Jashari dhe çeta e tij ka qenë dhe ka mbetur bërthama themeltare e UÇK-së. Në histori ndodh edhe të ndodhin ngjarje të rastsishme, por Adem Jashari, çeta dhe familja e tij nuk janë rastësi e historisë, ata me ndërgjegje e vendosmëri u përgatitën për kthesën vendimtare të historisë sonë më të re. Adem Jashari nuk shkoi rastësisht në Shqipëri për të përsosur artin e luftës, të cilin e përvetësonte me shpejtësi të rrufeshme, dallohej nga i gjithë brezi i tij. Në përgatitjet ushtarake tregoi aftësi dhe cilësi të larta në përvetësimin e artit të përdorimit të armeve të ndryshme për luftën çlirimtare. Adem Jashari, ndryshimet që po bëheshin në vitet 90, i shihte me optimizëm, prandaj sinçerisht e vendosmërisht nisi angazhimin e tij në sferën ushtarake, për organizimin e luftës çlirimtare. Adem Jashari dhe çeta e tij nuk ishin nisur në rrugën e luftës për liri për hirë të këtij apo atij lideri, pse ky apo ai i paskan sytë e zinj. Ata ishin nisur për çlirimin e Kosovës pa bërë llogari meskine, karieriste apo grabitëse. Ata e donin Kosovën e lirë e të pavarur. Ata ishin të liruar nga ideologjizmat, veç shqiptarizmës. Adem Jashari dhe çeta e tij ndryshimet politike që ndodhen në vitet 90 i priti me optimizëm, besoj shumë, por nuk do të kalojë shumë kohë dhe do të zhgënjehen se kasta e "re" e politikajve po bëhej pengesë e rrjedhave të reja të historisë, po ngulfaste shpirtin luftarak të shqiptarëve liridashës. Kur në fund të vitit 1991, në Kosovë po bëheshin arrestime të të gjithë atyre që ishin përgatitur në Shqipëri, Adem Jashari do të njoftojë çetën e tij dhe të kërkojë nga ata, që të ishin vigjilent se çdo natë armiku mund t´iu trokaste në porta. Ai do t´iu thotë shokëve: "Armët nuk i kemi marrë që t´ia dorëzojmë armikut, por që ta luftojmë deri në fishekun e fundit". Më fjalën e komandantit u pajtuan të gjithë. Dhe, nuk vonoi dita kur armiku do të trokas në portën e Jasharëve. Ishte mëngjesi i hershëm i 30 dhjetorit 1991, ku armiku me një makineri të tërë policore kishte rrethuar Jasharajt dhe kërkuan dorëzimin e Adem Jasharit dhe Jasharëve tjerë. Adem Jashari me vëllezër e shokë apelit të armikut për dorëzim ju përgjigjen me breshëri armësh nga shumë drejtime. Ishte e çartë, çeta e Prekazit kishte vendosur epokën e luftës çlirimtare, ata mes jetës se burgut e të poshtërimit kishin zgjedhur jetën e lavdisë e të lirisë, me të gjitha pasojat që mund t´i kishte. Vetëm të guximshmit nëpër kohë të ndryshme i kanë ndërruar rrjedhat e historisë, kështu ndodhi edhe me Adem Jasharin dhe çetën e tij. Kështu nisin aksionet luftarake mbi policinë e armikut, fillimisht në Drenicë, e për t'u përhapur më vonë ne Llap e Dukagjin, në Drini e kudo në Kosovë. UÇK po bëhëj shpresë për popullin dhe tmerr për armikun, armikut po i rrëshqiste dheu nën këmbë, pasigurinë e shihte të çdo kaçube. Adem Jashari ishte kudo. Ai po bëhej legjendë. Ai ishte kudo ku sulmohej armiku, ai ishte në çdo cep të Kosovës. Vetëm frikacaket nuk mund t´i besonin trimërive e të bëmave të Adem Jasharit, ata nuk dëshironin ndeshjen me armikun dhe sa herë që çeta e tij sulmonte e vriste policinë kriminale të armikut do të thonin: "Këta janë dorë e zgjatur e armikut, janë të Sheshelit apo të Arkanit etj.", - dhe kjo nuk ishte diçka e re, dikush duhej të mbulonte kolaborimin me Beogradin, por paraprakisht duhej akuzohej tjetri. Adem Jashari kishte shumë mundësi, ai kishte zgjedhur me ndërgjegje mundësinë e luftës së armatosur për liri e pavarësi, anipse ai i dinte mundësitë e veprimit luftarak të UÇK-së. Pas luftës se 26 nëntorit 1997, në Llaushë të Re, ku mori pjesë Ademi me çetën e tij, nga e cila armiku u tërhoq me bisht nën këmbë, armiku do të bëjë plane për zhdukjen e Adem Jasharit. Kjo do të ndodhë me 22 janar 1997. Një bandë kriminele kishte sulmuar familjen Jashari, me qëllim që të zhdukej kjo çerdhe e rrezikshme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, falë gjakftohësisë e guximit të familjes dhe ndihmes që erdhi nga çeta, armiku u tërhoq pa arritur qëllimin. Ato ditë e tërë Kosova sikur ishte në Lagjen e Jasharëve. Nuk ishte e vështirë ta kuptoje mesazhin që kishte lënë armiku. Armiku ishte tërhequr i bindur se nuk kishte gjetur mënyren e eliminimit të Adem Jasharit dhe familjes Jashari. Armiku dëshironte qoftë edhe largimin e Jasharajve nga trojet e tyre, por Jasharajt nuk i lëshonin trojet stërgjyshore. Ata as të vdekur nuk donin të shkuleshin nga vendi i tyre, për çka kishin nisur luftën. Adem Jashari dhe gjithë Jasharajt nuk e donin ikjen e poshtërimin, ata e dëshironin qëndresën, e donin lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Armiku pas disfatës së 22 janarit kishte filluar përgatitjet për një sulm të përmasave të mëdha policore dhe ushtarake, dhe ky sulm do të fillojë në mëngjesit e hershëm të 5 prillit 1998, pak ditë pasi policia armike kishte pasur një disfatë të Lisat Binak, në Likoshan. Këtë herë forca të mëdha ushtarake dhe policore e kishin rrethuar Prekazin, me orientim kryesor Lagjen e Jasharëve. Lufta për eliminimin e Jasharëve ishte e rreptë. Armiku Prekazin e kishte vendosur në rreth të hekurtë dhe sulmonte nga shumë anë. UÇK-ja aso kohe i kishte mundësitë e kufizuara të sulmit e të depërtimit. Adem Jashari dhe çeta e tij sulmit armik ju përgjigjen me sulm. Lufta që zhvilloi Adem Jashari me shokë që e madhe. Sulmi i armikut vinte nga larg. Pas një rezistence të gjatë dhe herioke, armiku arriti të djegë e shkatërrojë Lagjen e Jasharëve, por jo kurrë vendosmërinë për të vazhduar luftën për liri e pavarësi. Adem Jashari deri në vdekje luftoi e këndoi, jo vdekja e Adem Jasharit nuk është vdekje është përjetësi. Lufta për Prekazin që e ashpër. Qëndresa ishte e madhe. Ushtria Çlirimtare e Kosovës humbi prijetarin e saj. Kosova fitoi komandantin legjendar. Me aktin e rënies se Jasharëve, Kosova mundi frikën dhe për lirinë e pavarësinë u hapen shtigje të reja. Adem Jashari - legjendë, solli kualitet të ri në filozofinë dhe mendësinë e shqiptarëve për jetën, atdheun, lirinë për nderin dhe dinjitetin e kombit. Rënia heroike e Adem Jasharit i dha shtytjen më të fuqishme mobilizimit, strukturimit dhe profesionalizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës fitoi hapësira të reja veprimi. Komandanti Legjendar i UÇK-së me jetën, veprën dhe lavdinë e tij i dha kualitete dhe përmasa të reja 28 Nëntorit - Ftesës sonë Kombëtare.

Komentoni artikullin/lajmin e mësipërm:
Emri dhe Mbiemri:
E-Mail:
Komenti juaj:  
 
KeL - Kosova e lirë - www.kosovaelire.com
KeL - Kosova e lirë