links
KeL - Kosova e lirë www.kosovaelire.com
KeL - Kosova e lirë - www.kosovaelire.com

Radio Dukagjini






"Po iu jap një porosi,
Këmba e huaj keq iu rri,
Nuk durohet gjithë vaji i fëmisë,
Çonu të gjithë në shërbim t'lirisë."

 

 

 

 

 

 

 

 

 


Kosova- Lufta dhe çlirimi

Rezoluta për luftën çlirimtare të kosovës

Prishtinë, 15 maj 2003 (KeL) - Deputetët e pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme miratuan njëzërit Rezolutën për luftën çlirimtare të popullit të Kosovës për liri e pavarësi. Në vazhdim po e japim tekstin e plotë të kësaj rezolute.

KUVENDI I KOSOVËS

Prishtinë, më 15 maj 2003 - Duke konfirmuar fitoren në luftën çlirimtare të udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të mbështetur nga NATO, e udhëhequr nga SHBA-të dhe aleatët e saj;

Duke rikonfirmuar vendosmërinë e qytetarëve të Kosovës për Kosovën - shtet Demokratik, të Pavarur dhe Sovran;

Duke konsideruar se vlerat e luftës çlirimtare janë vlera të gjithë popullit të Kosovës dhe vlera të pranuara nga faktori ndërkombëtar,

Kuvendi i Kosovës, duke shprehur vullnetin e qytetarëve, miraton këtë:

REZOLUTË PËR LUFTËN ÇLIRIMTARE TË POPULLIT TË KOSOVËS PËR LIRI DHE PAVARËSI

I. Lufta e popullit të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në të gjitha fazat dhe format e zhvillimit të vet: lufta politike, rezistenca paqësore dhe lufta e armatosur, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka qenë luftë e drejtë për lirinë e vendit dhe për një shoqëri moderne e demokratike;

II. Rezistenca paqësore dhe lufta politike e konstitucionale, e shprehur me Kushtetutë dhe Referendum, ka përcaktuar vullnetin e qytetarëve të Kosovës për pavarësi dhe demokrati;

III. Lufta e armatosur e qytetarëve të Kosovës, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka qenë luftë e drejtë dhe e pastër për çlirimin e Kosovës, luftë kundër forcave ushtarake, policore e paramilitare serbe;

IV. Lufta e NATO-s, e udhëhequr nga SHBA-të, ka qenë luftë kundër dhunës dhe gjenocidit të pushtetit serb në Kosovë dhe për shpëtimin e çlirimin e popullit të Kosovës;

V. Lufta politike dhe e armatosur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës është në themelet e politikave që Kosova të bëhet shoqëri moderne, e lirë e demokratike, për të gjithë qytetarët, pa dallim bindjeje politike, besimi, përkatësie etnike apo racore;

VI. Kuvendi i Kosovës e udhëzon Qeverinë e Kosovës, që në një kohë sa më të shpejtë, të përgatis ligjet me të cilat do të rregullohet statusi i luftëtarit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Këtë Rezolutë e mbështesin:
Grupi Parlamentar i LDK-së, z.Sabri Hamiti
Grupi Parlamentar i PDK-së, z.Arsim Bajrami
Grupi Parlamentar i AAK-së, z.Bujar Dugolli
Grupi Parlamentar për të Tjerët, z.Faik Merolli

Komentoni artikullin/lajmin e mësipërm:
Emri dhe Mbiemri:
E-Mail:
Komenti juaj:  
 

 

KeL - Kosova e lirë - www.kosovaelire.com
KeL - Kosova e lirë