links
KeL - Kosova e lirë www.kosovaelire.com
KeL - Kosova e lirë - www.kosovaelire.com
 Portrete
 Portrete të vjetra

Frangu i Bardhë
  Gjon Buzuku
  Pjetër Bogdani

 Portretet janë marrë nga   
 Aktualizuar më: 31 maj 2004 
Portrete

Dr. Ibrahim Rugova (02.12.1944 - 21.01.2006)

Prishtinë, 21 janar 2006 (KeL) - Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut, në Kosovë. Më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë ia pushkatojnë babain e tij Ukë Rugova dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin gjatë Luftës së Dytë Botërore në krahinën e Rugovës.
Ibrahim Rugova mbaroi shkollimin e mesëm në Pejë më 1967. Diplomoi në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës më 1971. Zoti Rugova qëndroi gjatë një viti akademik (1976-77) në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqëndrim në teorinë letrare.
Ibrahim Rugova mori doktoratën në letërsisë në Universitetin e Prishtinës më 1984.
Më 1996, Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës.
Po në këtë vit ai u shpall doktor nderi i Universitetit të Parisit VIII në Paris.
Autor i dhjetë librave. Dr. Ibrahim Rugova ishte në nismë redaktor në gazetën e studentëve "Bota e re" dhe në revistën shkencore "Dituria" (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Pastaj për afro dy dekada, Dr. Rugova punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë. Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës "Gjurmime albanologjike", që e nxirrte ky Institut.
Dr. Rugova është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës më 1988, i cili u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare që po kundërshtonte sundimin komunist serb/jugosllav në Kosovë.
Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Dr. Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989 kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë që e sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK-ja u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit, edhe pse në ndërkohë u shfaqën në skenë edhe edhe parti e grupe të tjera.
Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, LDK-ja, në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, përmbylli kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992. LDK-ja fitoi shumicën dërrmuese të deputetëve në Kuvend, në të cilin përfaqësoheshin edhe tri parti të tjera, ndërsa Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës me shumicë dërrmuese të votës.
Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998. Partia e tij, LDK, fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës në atë vit.
Nën udhëheqjen e Dr.Rugovës, LDK-ja fitoi 58% të votave të elektoratit në zgjedhjet lokale, të sponsorizuara ndërkombëtarisht, në Kosovën e pasluftës, në tetor të vitit 2000, si dhe zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe zgjedhjet e dyta lokale më 2002. Poashtu LDK-ja nën udhëheqjen e Dr. Rugovës i fitoi edhe zgjedhjet e fundit nacionale të 23 tetorit 2004.
Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës në mars të vitit 2002 në bazë të zgjedhjeve nacionale të zhvilluara në nëntor të 2001, si dhe më 3 dhjetor të vitit 2004 u rizgjodh President i Kosovës në bazë të zgjedhjeve të dyta nacionale të 23 tetorit.
Ibrahim Rugova është edhe kryetar i LDK-së.
Në shtator 2005 u zgjodh shef i Ekipit Negociator për statusin Kosovës.


Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë

Më 1995, Dr. Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë.
Më 1996, Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII Sorbonë, Francë.
Më 1998, Rugova iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.
Në vitin 1999, Rugova mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster (Münster), Gjermani, ndërsa u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedikut, Milanos dhe Breshias (Brecscia).
Në vitin 2000, Dr. Rugova mori Çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë "Manuel Carrasco i Formiguera", në Barcelonë, Spanjë.
Në vitin 2004 Ibrahim Rugova u nderua me Çmimin e Evropës Senator Nderi nga Fonadcioni panevoprian Coudenhove-Kalergi.
Po në vitin 2004 u nderua nga Komunuelthi i Pensilvanisë (SHBA) "Mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës".
Ibrahim Rugova më 2004 u shpall Honoris Causa (Doktor Nderi) i Universitetit të Tiranës.

Komentoni artikullin/lajmin e mësipërm:
Emri dhe Mbiemri:
E-Mail:
Komenti juaj:  
 
KeL - Kosova e lirë - www.kosovaelire.com
KeL - Kosova e lirë