links
KeL - Kosova e lirë www.kosovaelire.com
KeL - Kosova e lirë - www.kosovaelire.com
 Portrete
 Portrete të vjetra

Frangu i Bardhë
  Gjon Buzuku
  Pjetër Bogdani

 Portretet janë marrë nga   
 Aktualizuar më: 31 maj 2004 
Portrete

Haki Stërmilli (1895 - 1953)

Prishtinë, 13 shkurt 2001 (KeL) - I lindur në Dibër, ai studjoi nëpër shkollat turke të kohës. Që i ri hyri në Lëvizjen Patriotike. Më 1920 - 24, mori pjesë në Lëvizjen Demokratike të vendit dhe qe sekretar i shoqërisë ,, Bashkimi'', organizatë e rinisë demokratike e themeluar nga Avni Rrustemi. Me ardhjen e Zogut në fuqi, Stërmilli u detyrua të shkojë në mërgim. Jetoj në Bashkimin Sovjetik, Francë, ish-Jugosllavi e gjetiu. Qeveria jugosllave ia dorëzoi qeverisë së Zogut dhe Stërmilli njohu vështirësitë e jetës në Shqipëri, duke qenë shpesh i përndjekur. Pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste, ai u hodh në Lëvizjen Nacional-çlirimtare. Qe kryetar i Frontit Nacional-çlirimtar të qarkut të Dibrës. Pas luftës u zgjodh deputet i Kuvendit Popullor dhe qe për disa vjetë, derisa vdiq, drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Veprimtarinë e tij letrare, Stërmilli e filloj në krye të viteve '20, kur botoj dy drama, të cilat e merrnin temën nga përpjekjet e popullit të Dibrës kundër sunduesve turq dhe shovenistëve serbë. Më 1936, ai botoj librin ,,Burgu'', një ditar i gjatë me shënime nga jeta në burgjet e Zogut, ku ai kaloi disa vjetë. Po atë vit, Stërmilli ka botuar edhe veprën e tij më të njohur, romanin ,,Sikur t'isha djalë''. Romani i Stërmillit flet mbi jetën e vështirë të gruas shqiptare në atë kohë. Problemi i emancipimit të gruas ngrihej atëherë shpesh në shtypin përparimtar të Shqipërisë. Protagonistja e romanit , Dija, e mbetur jetime dhe e rritur në një ambient fanatik, e munduar shumë nga njerka, bën çmos që të martohet me Shpendin, një i ri me mundime të lira. Ajo lufton, që të mos e lidh jetën me tregëtarin Qazim Krandja, i pasur, plak dhe injorant, që kërkon t'i japë familja. Bashkë me të dashurin e saj Shpendin, Dija tenton të arratiset në një shtet fqinj, por e zënë dhe e sjellin në shtëpi. Të dashurit ndahen për të mos u bashkuar më dot. Dijen e martojnë me përdhunë me tregëtarin. E dëshpruar, ajo sëmuhet dhe vdes nga tuberkulozi. Siç shihet, autori trajton një problem të rëndësishëm shoqëror. Ai ngrihet kundër zakoneve prapanike dhe mbron të drejtat e njeriut në martesë, duke protestuar kështu, në mënyrën e vet, kundër gjendjes së prapambetur dhe të mjeruar shoqërore të kohës së sundimit të feudalëve dhe borgjezëve. Romani është shkruar në formën e një ditari, që mban protagonistja, Dija. Pas çlirimit, Stërmilli vijojë të shkruajë dhe i vuri vehtes për detyrë që të bëhet shkrimtar i realizmit socialist. Drama e tij ,,Trashëgimtarët tanë'' (1950) e merr temën nga jeta e pionierëve gjatë luftës Nacional-çlirimtare. Stërmilli ka lënë një tok dorëshkrime, drama, novela dhe përmbledhje folklori etj. Romani i tij ,,Sikur t'isha djalë'' vijon të gëzojë një popullaritet të madh ndër lexuesit.

Më poshtë pjesë nga romani:
...Mjaft mâ!- Më beson ? A më don ?- tha Shpendi me za të përvajshëm dhe i krrusun mbi kokën t'eme.Lotët e tij pikojshin mbi mue. M'u sos durimi. - Poh - thashë dhe i mbylla syt. - O shpirt! - thirri ai me nji za që gjante sikur dilte nga megjet e nji zemrës së zhuritun prej flakëve shkrumnuese të dashunis. Buzët t'ona ishin bashkue dhe lotët ishin përziem me të njeni-tjetrit. Gjithë dyshimet ishin avullue në ças dhe rêt e zeza ishin zhdaravitë nga qielli i mendjes s'eme . Kishte lemë dielli i lumnis dhe buzët t'ona këndojshin kangën e dashunis për t'a perhirue ngadhnimin e zemravet t'ona. As Leka i Madh që e pushtoi botën, as Napoleoni që i mundi gjeneralat ma të mëdhej të kohës së tij, nuk ngadhnjyen sa unë, pse ata fituen tokë e kështjej tue derdhë gjak, kurse unë tue derdhë lot, pushtova nji zemër që vlen ma shum se mbretnit e tyne .

Komentoni artikullin/lajmin e mësipërm:
Emri dhe Mbiemri:
E-Mail:
Komenti juaj:  
 
KeL - Kosova e lirë - www.kosovaelire.com
KeL - Kosova e lirë