links
KeL - Kosova e lirë www.kosovaelire.com
KeL - Kosova e lirë - www.kosovaelire.com
 Portrete
 Portrete të vjetra

Frangu i Bardhë
  Gjon Buzuku
  Pjetër Bogdani

 Portretet janë marrë nga   
 Aktualizuar më: 31 maj 2004 
Portrete / Vjersha dhe artikuj nga F.S. Noli


Vjersha dhe artikuj nga Fan S. Noli:

Shpell` e Dragobisë
(Elegji për Bajram Currin)

Kur tufani e çthuri fenë,
Kur tirani e krrusi atdhenë,
Mi nje brek të Dragobisë,
Priret Flamur` i lirisë.

Atje nisi,atje mbaroi,
Atje krisi,atje pushoi,
Rrufeshkab` e Malësisë,
Në një shkëmp të Dragobisë.

Vendi dridhej,ay mbeti
Se s`tronditej nga tërmeti
Dif dragoj i Dragobisë,
Trim tribun i Vegjëlisë

O Bajram,bajrak i gjallë,
More nam me gjak në ballë,
Te një shpell` e Dragobisë
Yll i rrall i burrërisë.

Thon` u shtri e thon` u vra,
Po ti s`vdiqe,or Baba,
As te shkëmp` i Dragobisë,
As te zemr` e Djalërisë.


Syrgjyn-vdekur
(Elegji për Luigj Gurakuqin)

Nëno moj,mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran` e na e shanë,
Na i thanë trathëtor.

Se të deshte dhe s`të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj,të ra dëshmor.

Nëno moj,vajto,merr malin,
Larot ta përmbysnë djalin,
Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror.

Nëno moj,ma qaj në Vlorë
Ku të dha liri,kurorë,
Shpirt i bardhë si dëborë,
Ti s`i dhe as varr për hor.

Nëno moj,çështë përpjekur
Gojëmjalt` e zemërhekur,
Syrgjyngjall` e syrgjynvdekur,
Ky Vigan Liberator.

Hymni i flamurit
O Flamur gjak,o Flamur shkabë,
O vënt e vatr` o nën` e babë,
Lagur me lot,djagur me flagë,
Flamur i kuq,Flamur i zi!

Fortesë shkëmbi,tmerr tirani,
S`të trëmp Romani,as Veneciani,
As Sërp Dushani,as turk Sulltani,
Flamur i math për Vegjëli.

Flamur që lint Shën Konstandinin,
Pajton Islamn` e Krishtërimin,
Ç pall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.

Me Skënderben` u lavdërove
Dhe në furtun` i funtmi i shove
Me Malon prapë lart vrapove,
Yll i pavdekur për Liri.

Sa shpesh pastaj përdhe u shtrive
Me zjarr e zi u ndeze,u nxive,
Po çdo mizor me shpat` e grive,
O fushëkuq,o shkabëzi!

Përpjetë prije Shqipërinë,
Përlintja shpirtin dhe fuqinë,
Diell për vllanë,yrnek për fqinë.
Për botën ëndrr` e qiell i ri!

Nga libri "Topi i lidhur" i botuar nga Rilindja, Prishtinë '77

Mendime të kripura
Artikullshkruesit "Erë-mirë" ju shtua edhe një tjetër: Almiros (I kripur) i mirëpritur edhe ky te gazeta "Pirros" e cila, siç duket ka një koleksion të pambarueshëm prej kësish me ndryshimin se na i nxjerr nga furra një nga një, duket për të na bërë surprizë. Por ne nuk kishin nga "Pirros" pretendime më të shumta. Gjersa lexuesit e tij janë çunakë dhe s´duhet t´ua prish qejfin, është shumë e natyrshme që edhe artikull-shkruesit e tij të kenë një zhvillim intelektual të barabartë dhe aspirata të barabarta dhe dijeni të barabarta, të cilat po të përmblidhen të gjitha, do të paraqitnin një djepe vllahe, se nuk dyshojmë që edhe i nderuari "Almiros" do të jetë ndonjë opingar vllah gjersa kishte naivitetin t´i zgjidhte të gjitha çështjet brenda rrethit të ngushtë të mendimeve të tij fisnike, qarku i të cilit mund të

1. E pohon edhe vetë se s´ka haber prej shqipes dhe as të asaj me formë latine të shpikur nga Shahin Kolonja. Do të ishte shumë e natyrshme që t´i bënte dikush vërejtjen pas një pohimi të tillë se, gjersa nuk di asgjë, s´duhet të merret me të tilla gjëra. Por e kemi thënë edhe tjetër herë se logjika ishte një bimë, së cilës më kot do t´ja kërkonte dikush gjurmët në kopshtet e gazetarisë greke. Për grekët s´ka çështje që t´i shpëtojë qarkut të specialitetit të tyre. Privilegj i veçantë ky, siç e shihni, i stërnipëve të Demostenit. Po le të mësojë z. Almiros se gjuha shqipe është një dhe nëse është në formë latine, kjo ndodh se shqipja, duke qenë shumë e pasur nga pikëpamja fonologjike, ishte e pamundshme të shkruhej me vizatohej me grepin e kërrabës së tij. 24 gërmat e alfabetit gerk. Përveç kësaj shtoj se vetëm çunakë të përciptë do të mund të shtronin për bisedim çështjen e formës latine, greke ose sllave në gjuhën shqipe, se ajo që ka rëndësi është substanca dhe substanca nuk do t´u pëlqente grekëve asnjëherë ne çdo formë.

2. Cilët janë miqtë tanë dhe cilët janë armiqtë? Tani do të flas edhe unë vllahçe. Gjersa na shani dhe ju shajmë, jeni armiqtë tanë. Ç´logjikë vllahe është kjo e juaja të insistoni për të na bindur patjetër se jeni miqtë tanë, gjersa punët flasin vetë? Foti mund të jetë i shenjtë për juve, për ne jo; mbaroi. Diçka është në mes që na ndan, o vllah! Po përveç këtyre në fund të fundit, as prej soji, as prej oxhaku jemi, prandaj shajmë. Por ju si do të justifikoheni për të lehurat tuaja?

3. Gënjeshtra dhe e vërteta, janë shumë gjëra të stërholla dhe intelekti juaj, që qëndron dhe përfaqësohet nga grepi i kërrabës suaj nuk i arrin. Për të provuar se Mitropoliti i Korçës nuk e lufton gjuhën shqipe, përmendni Homerin dhe së këndejmi na degdisni në librat e rëndësishme të evropianëve (!!!) se ju direkt nuk e bëni kabull përgjigjen (!!) (...)

Por megjithkëtë, nga ato të pakta (dhe janë të mjafta për të provuar budallallëkun tuaj) që bëni për kabull të përgjigjeni, tregohet shumë qartë se s´keni haber nga historia.
Dialektet jonik, atik, dorik, etolik etj. ishin dialekte helenike, por jo dhe dialekti maqedon, epirot, ilir dhe thrak.
Stërgjyshët tuaj fisnikë, siç e shihni, e bënin këtë dallim dhe i quanin barbarë ata që përfshiheshin në katër kombësitë e fundit të sipërpërmendura, stërnipër të të cilëve jemi ne. Shih Herodotin, Tuqididin, Demostenin (që e quante barbar Filipin dhe Demostenin vetë quhej nga kundërshtari i tij Eskili "barbar me gjuhë greke" se ishte nga Traka) dhe Strabon´n.

Apo morët mësimet të asimilimit politik nga evropianët savant (dijetar) dhe filluam t´ju pëlqejmë ne barbarët? (...)
Dhe tani, i nderuar "Pirros" nuk na pëlqen të trazoheni me krunde, po ma shitni mua këtë "Almiron" me kaq ndjenja të thella, shqiptar, se bëj koleksion dhe i kam pergatitur një vend në shtallën e kujdestrarit në Shibin (vend në Egjipt).

U botua në "Drita" më 1 maj 1906...Noli polemizon këtu një artikull të botuar në gazetën shoviniste greke "Pirros" nga një farë Almiros (gr., i kripur) i cili mbronte tezën absurde se ortodoksët shqiptarë, vllehë etj. ishin grekë.

Përgjigja jonë për disa kritika dhe këshilla
Kemi marrë nja tri letra nga tre këndonjës të ndryshëm, të cilët midis të tjerave, na japin këshilla e na bëjnë kritika mbi shkrimet dhe artikujt që janë botuar në ¨Republika¨. Kritika dhe këshillat janë këto:
1) Të mos shajmë po të japim vetëm këshilla të mira;
2) Të mos përdorim fjalë të ashpra por vetëm fjalë të buta;
3) Të mos përdorim fjalë turqishte, po vetëm fjalë shqipe;
4) Të mos përdorim fjalët turk dhe kaur;
5) Të mos përdorim fjalët kucovllah e çoban;
6) Të mos goditim asnjë përson.

Do t´u përgjigjemi botërisht, se kështu kursejmë kohë nga njëra anë dhe nga tjetra këndonjësit tanë dinë se janë bërë edhe kritika e jo vetëm lëvdata. Po këto kritika janë nga ato që s´peshojnë shume në kandar e që s´mundim t´i pranojmë si serioze. Do t´i marrim një e nga një, po jo me radhë.

Fjalët e huaja
Mospërdorja e fjalëve të huaja ka një emër, quhet purizmë dhe praktikonjësit e saj quhen puristë. Këta përpiqen si e si të përdorin fjalë të gjuhës së tyre dhe të eliminojnë çdo fjalë të huaj. Puristët janë përgjithësisht njerëz fanatik gjuhësorë që s´dinë etimologjinë, shkencën qe kërkon rrënjët e fjalëve. Sikur të dinin etimologji, do të mësonin se s´ka gjuhë në botë e cila të mos ketë fjalë të huaja dhe se nuk është e mundur ta qërosh një gjuhë nga fjalët e huaja pa e sakatosur. Puristi që e qëron gjuhën e tij nga fjalët e huaja, bën të kundërtën e saj që dëshiron. E prish gjuhën dhe nuk e ndreq. (…) Më e mira është pra t´i mbajmë siç e kemi dhe të mos i ndërrojmë, duke vënë në vend të tyre neologjizma të shëmtuara, të cilat shpesh nuk janë as shqipe (…)

Fjalë të buta
Pasi t´i qërojmë nga fjalori ynë të gjitha fjalët e huaja u dashka të bëjmë edhe një qërim tjetër; u dashka të nxjerrim me mashë çdo fjalë të fortë, të ashpër, të rreptë, të hidhur, të thartë, të shëmtuar dhe të lëmë brenda vetëm fjalë të buta, të ëmbëla dhe të bukura. Po c´te bëjmë ahere kur është nevojë e domosdoshme të përshkruajmë një gjë të fortë, të ashpër, të rreptë, të hidhur, te thartë, të shëmtuar? Apo mos duhet ta përshkruajmë me fjalë të buta, të ëmbla, të bukura? Tamam, ja këtë na kërkon një këndonjës dhe kjo ka një emër, quhet eufemizëm dhe njerëzit që e praktikojnë quhen eufemistë. Pas kësaj metode në vend të fjalës së ashpër TRADHTAR duhet përdorur fjala e butë PATRIOT. Ahere nga eufemizma, katili bëhet jetëdhënës, vjedhësi dhuronjës, maskarai i ndershëm, budallai i mençur, i poshtri i lartë, i ligu i mirë, i shtrembëri i drejtë, prishësi ndreqës, e keshtu tutje. Jo, jo more vëllezër, s´kemi nge të bëjmë shaka e të tallemi me këndonjësit tanë. Çdo gjë ka emrin që i përket. Do t´i japim atë emër e jo tjetër. S´kemi hapur sheqerxhianë(ëmbëltore) për të shitur ëmbëlsira, po kemi nisur një gazetë ku duhet të japim pikturën e gjendjes së Shqipërisë, ashtu siç është, ashtu si e shohim, si mos më keq, nuk ua bëjmë dot këtë favor, se s´kemi nge për zbukurime. E vetmja nge për ne është vërtetësia. A janë të vërteta ato që themi? Këtu është e tërë puna. Posa janë të vërteta kanë bukurinë e tyre. Vetëm kjo bukuri na intereson (…).

Turk e kaur
Fjalët turk e kaur, me kuptim muhamedan e i krishterë kanë hyrë në shqipen aq thellë sa nuk shkulen lehtë. Shahin Kolonja, ish i mendjes që duhen mbajtur e përdorur, se populli nuk heq dorë prej syresh se kohë është ashtu siç është. Nuk jemi në një mendje me Shahin Kolonjën. Këto fjalë duhen shkulur e duhen eliminuar, po nuk mund të shkulen e të eliminohen me mënyrën që na thotë këndonjësi: duke mos përdorur këto fjalë. Këto fjalë do të zhduken kur të mos jenë të nevojshme, kur të mos ketë njerëz në Shqipëri që ta quajnë veten turk e kaur, kur shqiptarët nga raca të bëhen shqiptarë edhe nga ndjenjat, kur muhamedanët e të krishterët tanë të mos ndahen sipas fesë në dy grupe, po të bashkohen në një grup sipas kombësisë. Për këtë gjë po përpiqemi, këtë e kemi në program. Nuk është aspak faji ynë që i përdorim fjalët turk e kaur për ata muhamedanë e të krishterë që i pëlqejnë këto emra për vete të tyre. Plaga nuk shërohe duke e fshehur e duke mos e përmendur. Përkundrazi, duhet ta dimë që e kemi këtë plagë dhe që duhet ta shërojmë.

Kundër goditjeve personale
Ë shtë fare e drejtë që një gazetë duhet të luftojë më tepër parimet se sa personat e kundërshtarëve. Shumë e vërtetë, po kjo nuk domethënë se personat e kundërshtarëve janë të shenjtë e nuk duhen ngarë. Aspak. Duhen goditur edhe personat, se këta përfaqësojnë parimet, se shpesh është e pamundur të ndash personin nga parimi. Që ta themi më shkoqur, duhet të luftojmë më tepër parimin e feudalizimit se sa personat e feudalëve si Ahmeti e Vërlaci, po kjo nuk domethënë se s´duhet të goditim asfare personat e Ahmetit e të Vërlacit. Përkundër, këta duhet t´i goditim pa mëshirë se këta përfaqësojnë feudalizmin, se është e pamundur ta ndajmë parimin e feudalizmit nga personat e feudalëve. Në qoftë se luftojmë vetëm parimin e feudalizmit dhe nuk i ngasim personat e feudalëve as me trëndafil, ahere luftojmë në erë, se nga një luftë e atillë nuk u behet asnjë dëm as feudalëve, as feudalizmit. Për të rrëzuar kalanë e feudalizmit duhen rrëzuar kolonat e saj kryesore dhe këta janë feudalët, bejlerët me Ahmetin e Vërlacin në krye. Dhe përgjithërisht, për të mundur kundershtarin nuk arrin të goditësh vetëm parimet e tyre, i bie legenit më kot. Mund të jetë e papëlqyer, se hyn në sherr me njërin e me tjetrin, po s´ka si behët ndryshe. Dhe këtu s´kemi ardhur për të luftuar kundër erës me një mënyrë akademike, po kundër kaktorëve të gjallë të katasrofë kombëtare.

Jo sharje po këshilla
Një nga këndonjësit na shkruan se nuk sheh asnjë ndryshim midis "Diellit" e "Republikës", se që të dyja gazetat, thotë, shajnë, si njëra edhe tjetra. Pastaj shton, se ai priste nga "Republika" jo shraje po këshilla të urta. Nuk do të qëndrojmë aspak për të thënë se fjala sharje nuk e ka vendin për shkrimet e "Republikës", se e dimë që shqiptarët i japin kësaj fjale një kuptim të gjerë që përmbledh brenda çdo bisedim a shkrim që kapërcen kufirin e muhabetit të ëmbël. Për hatrin e argumentit pra, e pranojmë që "Republika" paska bërë sharje. Po a është e mjaftë kjo sa të vërë "Republikën" në një radhë me "Diellin"? Në qoftë se po, ahereprogrami ynë s´paska asnjë rëndësi, se rëndësinë të tërë e paska ajo sharja më e vogël që paskemi bërë kundra ndonjë beu. Kështu? Ahere mundohemi më kot që nxjerrim një gazetë me një program, se programi s´u dashka fare, se këndonjësi nuk na përqas me kundërshtarët sipas programeve që mbrojmë, po sipas sharjeve që bëjmë. Jo, i dashur këndonjës, gjëja që ka rëndësi kryesore është programi ynë. Të tjerat janë hollësira pa rëndësi. Këtë program do ta mbrojmë me çfarëdo mjet, ashtu si dimë, ashtu si mundim, kur me fjalë të ëmbëla, kur me të ashpra, kur me këshilla, kur me kritika, si ta dojë puna, vendi e personi. Ujku duhet goditur dhe goditur me tërë forcën sa më fort aq më mirë. Kështu e dimë dhe kështu është. Do të gëzoheshim sikur të ishte ndryshe, sikur të gënjehej ujku me sheqerka dhe të mbarohej i tërë sherri me të mirë e me të butë. Po, ajme! Nuk është ashtu, jo, tri herë jo. Pyesni historinë t´ju thotë. Apo kemi fajin ne. Fajin e ka ajo. Dhe ajo s´lajthitet e s´gënjen.

Botuar në "Republika" më 4 dhjetor 1930.
Ë shtë një nga artikujt më të bukur polemikë të Nolit. Duke u dhënë përgjigje disa vërejtjeve kritike që i ishin bërë gazetës së tij. Noli në fakt nxjerr konkluzione të rëndësishme mbi karakterin parimor që duhet të ketë gazetaria dhe veprimtaria politike përgjithësisht. Ai kërkon që publicistika militante të frymëzohet nga një program thellësisht patriotik e demokratik dhe t´i qëndrojë në mënyrë konsekuente besnike parimeve të programit, pa bërë asnjë lëshim parimor; të thotë përherë të vërtetën hapur, pa drojtje, pa zbukurime.

Komentoni artikullin/lajmin e mësipërm:
Emri dhe Mbiemri:
E-Mail:
Komenti juaj:  
 
KeL - Kosova e lirë - www.kosovaelire.com
KeL - Kosova e lirë