Respekto ndjersën tonë,
për tu respektuar edhe e jotja...
HISTORIA
E ÇAMËRISË 2
25 maj 2003
(KeL) - Pas thyerjes së ushtrive
italiane dhe tërheqjes së tyre nga
Greqia u intensifikua dhuna dhe terrori i qeverisë së re
greke mbi
popullsinë shqiptare të Çamërisë.
Të burgosurit dhe të internuarit çamë u
liruan vetëm pas pushtimit të Greqisë nga
ushtritë gjermane në një gjendje
të rëndë shëndetësore
dhe shpirtërore.
Pas pushtimit të Greqisë
nga gjermanët, pritej që çamët
e kthyer nga internimi të hakmerreshin
ndaj forcave shoviniste greke që kishin
qenë shkaktarë të vuajtjeve.
Por ndodhi krejt ndryshe. Ata u ngritën
mbi pasionet shoviniste dhe zgjodhën rrugën
e bashkëpunimit dhe të bashkëjetesës
për të përballuar bashkërisht
gjendjen e rëndë që u krijua
nga pushtuesit e rinj gjermanë. Për
këtë qëllim u organizuan dy mbledhje
të gjera në Koskë dhe në
Spatar. Njerëz me ndikim në krahinë
si Musa Demi, Shuaip Llajo, Isuf Izeti, Xhaferr
Çafuli, Jasin Sadiku dhe shumë të
tjerë punuan me përkushtim për
të krijuar atmosferën e mirëkuptimit
midis dy komuniteteve, grek dhe shqiptar. Madje
fshatarët e Varfanjit, Salicës etj.,
dërguan përfaqësuesit e tyre
në fshtatrat e krishtera ku burrat ishin
larguar nga frika e hakmarrjes, duke i siguruar
që të ktheheshin se asgjë e keqe
nuk do t'i gjente.
Në zonën e Gumenicës dhe të Filatit
ishte bërë rregull që asnjë grup
i rezistencës greke nuk dilte në zonat
e lira pa qenë i shoqëruar nga një shqiptar çam.
Pikërisht për këtë veprimtari
e sakrificë, jo pak çamë dolën
para gjykatave të pushtuesit dhe u burgosën.
Duke pasur parasysh këtë realitet
të mirëkuptimit dhe të bashkëpunimit
midis dy komuniteteve (greke dhe çame
shqiptare) studiuesi Niko Zhangu shkruante: "Sikur
shqiptarët çamë të ishin
kriminelë, do të zhdukeshin të gjithë fshatrat
e krishterë të Thesprotisë rreth
fshatrave shqiptaro-çame".
Për qarqet shoviniste greke nuk ishte
i pranueshëm mirëkuptimi dhe bashkëveprimi
midis komuniteteve shqiptare dhe greke. Për
të nxitur përçarjen e tyre
ata nxitën vrasjen e çamëve
me influencë si Tfik Qemali, Jahja Kasemi,
Jasin Sadiku etj. Me vrasjen e shqiptarëve
të tjerë nga çeta e Koçnikollës,
punët morën një drejtim të rrezikshëm.
Të revoltuar nga këto akte, një grup çamësh
u drejtuan për të djegur Rahulin,
por u doli përpara popullsia e Karbunarit,
një fshat i madh i përbërë prej
shqiptarësh dhe i ndaloi. Edhe pse Rahuli
shpëtoi nga një katastrofë e
sigurtë, "më pas bandat e Zervës
therën edhe gratë dhe fëmijët
e atyre që shpëtuan Rahulin",
domethënë banorët e Karbunarit.
Në këto rrethana, disa krerë të Çamërisë u
përpoqën të formonin një batalion
për mbrojtjen e saj. U formua një batalion
i cili kishte vetëm gjysmën e efektivit
të një batalioni të zakonshëm,
afro 300 veta. Për arsye se gjermanët
nuk donin të prishin marrëdhëniet
me qeverinë kuislinge të Ralisit,
ky batalion veproi brenda kufijve politikë të shtetit
shqiptar. Populli u armatos, por nuk pranoi
të bashkëpunonte me gjermanët,
nuk u fut në këtë batalion dhe
nuk i përdori armët kundër popullsisë greke,
por përkundrazi u rezistoi në mënyrë demonstrative
përpjekjeve të gjermanëve për
ta hedhur kundër elementit grek. Qëllimi
i armatosjes së popullsisë çame
ishte thjesht një masë vetëmbrojtëse,
pasi ata kishin vuajtur shumë nga shovinizmi
grek. Por ajo që i shqetësoi më shumë atëherë forcat
shoviniste greke ishte ngritja e këshillave
shqiptare në të gjithë Çamërinë.
Në mars të vitit 1943 u formua çeta
e parë mikste, e cila bashkëpunonte
me EAM-in. Tashmë, edhe biografët
e Zervës, si Mihal Miridhaqi nuk e mohojnë kontributin
dhe pjesëmarrjen e çamëve
myslimanë në radhët e rezistencës
antifashiste greke, në formacionet e ELLAS-it
dhe EAM-it. Historiani i lartpërmendur
thekson se çamët nxorrën mbi
1000 luftëtarë. Popullsia çame
filloi të organizohej në luftën
kundër fashizmit në dimrin e viteve
1942-1943, madje që në verën
e vitit 1942 u krijua në Filat grupi ilegal
i rezistencës antifashiste i përbërë nga
Njazi e Kasem Demi, Mustafa Sulo (Kalbaqi),
Dervish Dojaka, Muharrem Demi, Braho Karasani,
Sami Alushi, Tahir Demi, Vehip Huso e shumë të tjerë.
Ata punuan në rrëzë të kufirit
të Shkallës së Zorjanit e më thellë për
organizimin e rezistencës, për krijimin
e bazave të luftës, për popullarizimin
e ideve të Kartës së Atlantikut,
e cila u garantonte popujve e pakicave etnike
liri, barazi dhe të drejtën e vetëvendosjes
pas fitores mbi fashizmin. Në shkut të vitit
1943 u krijua çeta "Çamëria" dhe
pak më vonë batalioni "Çamëria",
i cili zhvilloi në shtator 1943 betejën
e famshme të Konsipolit kundër gjermanëve,
që zgjati 55 ditë. Ajo betejë u
shqua për pjesëmarrjen e gjerë të popullsisë së Çamërisë,
të Delvinës dhe të minoritetit
pa dallim kombësie e shtresash shoqërore.
Në mars të këtij viti u krijua
formacioni i parë mikst shqiptaro-grek.
Ai luftoi me trimëri kundër gjermanëve
dhe zervistëve në Mallun, në Revani,
në Theojefira, në Pleshavicë,
në malin Kacidhjar e gjetkë. Në pranverë të vitit
1944 në Qeramicë u formua Batalioni
IV "Ali Demi" me më shumë se
500 djem çamë. Ky batalion hyri
në përbërje të Regjimentit
XV të Ushtrisë Nacionalçlirimtare
Greke (EAM). Gjatë luftimeve të tij
në rrugën Janinë-Gumenicë,
Koskë, Smartë e Lopës si dhe
në Mallun ranë trimërisht dëshmorët
Muharrem Myrtezai, Ibrahim Halluni, Husa Vejseli
etj. Gjithashtu, shumë çamë morën
pjesë në Brigadën VI, VII, IX
dhe XI të ushtrisë greke. Edhe misioni
britanik që kreu hetime në Çamëri
nuk e mohonte pjesëmarrjen e çamëve
në radhët e EAM-it.
Edhe gjermanët u përpoqën ta
hedhin minoritetin shqiptar në luftë kundër
EAM-it dhe Frontit Nacionalçlirimtar
Shqiptar. Këto përpjekje regresive
shoqëroheshin me një propagandë me
ngjyra të theksuara nacionaliste.
Në kuadrin e bashkëpunimit të popullit
shqiptar dhe atij grek, u bënë përpjekje
për të vendosur ura lidhjeje në linjën
e atyre forcave që udhëhiqeshin nga
Partitë Komuniste. Në bisedimet midis
përfaqësuesve të të dy
palëve ishte vendosur që në tetor
të vitit 1943, të harmonizohej puna
në minoritet. Për këtë qëllim
ishte pranuar që të vinin në minoritetin
grek në Shqipëri anëtarë të Partisë Komuniste
Greke "që të bëjnë punë në minoritete
duke enë në lidhje gjithmonë me
ne". Po kështu do të procedohej
edhe në Çamëri.
Minoriteti grek në Shqipëri
u synua me lakmi nga reaksioni zervist grek
për të depërtuar në të,
me qëllime të hapura antishqiptare.
Të dërguarit e EAM-it në minoritet,
si Aleks Janari, me propagandën e tyre
shfrytëzuan marrëveshjen që përmendëm
më sipër, për të ngjallur
ndjenjat nacionaliste të minoritetit, "për
t'i bërë masat e minoritetit t'i drejtojnë
sytë nga Greqia". Në një
miting që ishte bërë në
Akrovjan ishte deklaruar hapur se "ne pranojmë
të jemi një Greqi qoftë komunikste,
qoftë djalliste, por vetëm Greqi të
jemi". Sipas të njëjtit burim
del se grumbullimet dhe veprimtaria e reaksionit
grek financohej me të holla. Nga Dhrovjani
dhe Leshnic ishin dërguar për tek
Zerva 23 veta "pasi ky paguante 1 stërlinë
për tre anëtarë të familjes"
(minoritare). Ndjenjat nacionaliste po merrnin
forcë në minoritetin shqiptar në
Greqi, domethënë në Çamërinë
e përtejme, duke ndikuar në çoroditjen
e popullsisë çame ndaj situatës
në luftës dhe të mbështetjes
së saj. Megjithatë, Kryesia e Këshillit
Antifashist Nacionalçlirimtar të
Shqipërisë, duke pasur bindje në
vijën e bashkëpunimit midis dy popujve,
dërgoi një delegacion në Konferencën
Panepirotike të EAM-it sipas ftesës
së bërë nga Komiteti Panepirotik
Nacionalçlirimtar i Greqisë më
14 qershor 1944. Duhet shënuar se ky bashkëpunim
inspirohej nga qëllime fisnike të
bashkëjetsës midis fqinjëve me
devizën: luftë e ashpër dhe e
paprerë armikut nazist dhhe gjithë
reaksionit në shërbim të tij.
Peshë jo të vogël në trajtimin
e çështjes çame dhe të pozitës
së Çamërisë në vitet
e Luftës së Dytë Botërore
do të luante dhe qëndrimi i nacionalistëve çamë,
i cili aspironte hapur me qëndrimin e
vet bashkimin e Çamërisë me
Shqipërinë.
Këtë lëvizje e drejtonte një Këshill
krahinor me organizmat e tij në nënprefekturat
dhe fshatrat. Pjesëtarë të këshillit
krahinor të Çamërisë ishin
njerëz me influencë si vëllezërit
Dino, Adem Muha, Hamza Rexhepi, Hizder Ahmeti,
Mahmut Mala, Ramadan Sulo, Bido Taho, Haxhi
Shehu etj. Këshilli krahinor kryente në një farë mënyre
detyra të qeverisjes siç ishin
mbajtja e rrefullit dhe qetësisë,
zgjidhja e mosmarrëveshjeve, interesohej
për hapje shkollash shqipe etj.
Një veprimtari e tillë ishte e papranueshme
për qeveritarët e Athinës. Ndaj
Qeveria greke e Ralisit shtroi kërkesën
këmbëngulëse pranë të Dërguarit
të Posaçëm gjerman për
Evropën Juglindore Nojbaherit "për
rivendosjen e prefektit të administratës
greke në Thesproti", "të cilët
do të kryenin funksionet e tyre zyrtare
në Çamëri, duke u mbështetur
në Vermahtin gjerman". Mirëpo
autoritetet gjermane mbanin një qëndrim
të dyfishtë. Sipas këtij qëndrimi,
gjermanët nuk njihnin zyrtarisht veprimtarinë e
Këshillit Krahinor çam, çka
presupozonte njohjen e administratës shqiptare.
Nga ana tjetër, nuk i jepte përgjigje
të prerë as qeverisë së Ralisit.
Megjithaë, në heshtje, autoritetet
gjermane e pranonin punën e Këshillit,
i cili siguronte mbajtjen e qetësisë në krahinë,
gjë që u interesonte edhe gjermanëve.
Nacionalistët shqiptarë çamë nuk
përkrahnin përpjekjet e oficerit
anglez të ndërlidhjes pr një marrëveshje
bashkëpunimi me grupin nacionalist të Zervës. Është e
qartë se këto përpjekje nuk
dhanë ndonjë rezultat, sepse qëllimet
e këtyre grupimeve nacionaliste ishin
diametralisht të kundërta.
Nacionalistët shqiptarë synonin
bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë,
ndërsa përkrahësit e Zervës
e kundërshtonin me çdo mënyrë një gjë të tillë.
Madje zervistët prisnin rastin e volitshëm
për një sulm vendimtar mbi Çamërinë,
për të ushtruar mbi të shfarosjen
kombëtare.
Për të realizuar synimet e tyre,
nacionalistët çamë bënë përpjekje
për t'u lidhur me Shtabin Aleat të Mesdheut,
për të mënjanuar rrezikun zervist
për fatin e Çamërisë.
Një qëndrim të tillë e
kishin konstatuar dhe autoritetet gjermane. "Sipas
raporteve që i kanë ardhur të dërguarit
të posaçëm të Rajhut,
Nojbaherit, vërenin gjermanët-grupi
nacionalist shqiptar po punon për t'ia
aneksuar Çamërinë Shqiëprisë".
Në përgjigje të këtij telegrami
pohohet me gojën plot se "Ky grup
(nacionalistët) është gati të lidhet
me këdo, mjaft të bashkojë Çamërinë me
Shqipërinë".