links
KeL - Kosova e lirë www.kosovaelire.com
KeL - Kosova e lirë - www.kosovaelire.com

Radio Dukagjini






"Po iu jap një porosi,
Këmba e huaj keq iu rri,
Nuk durohet gjithë vaji i fëmisë,
Çonu të gjithë në shërbim t'lirisë."

 

 

 

 

 

 

 

 

 


Intervista

Arber Xhaferri: S'ka më bashkëjetesë me maqedonët, vendi duhet të ndahet

Shkup, 12 shtator 2003 (KeL) - Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë, Arbër Xhaferri, ka qenë i prerë, kritik dhe pesimist me qeverinë e Maqedonisë dhe kryeministrin Cervenkovski. Xhaferri ka thënë se është i bindur se Maqedonia është një shtet që nuk mund t'i shmanget ndarjes dhe se faktikisht është një realitet shtetëror i ndarë mbi baza etnike. Gjithashtu në një intervistë për "Gazeta Shqiptare" Xhaferri nuk i kursen rezervat për Tiranën zyrtare, për presidentin Moisiu dhe për kryeministrin Nano.

Pyetje: Z. Xhaferri, ju në të kaluarën jeni shprehur se opsioni i ndarjes së Maqedonisë apo ai i federalizimit është një variant i mundshëm dhe i besueshëm. A vazhdoni të jeni i të njëjtit mendim?
Xhaferi:
Po, shikoni… faktikisht Maqedonia është një shtet i ndarë, sepse është një shtet ku komunitetet që jetojnë atje, jetojnë në mënyrë paralele. Në mes dy komuniteteve mungon mirëkuptimi, kohezioni, luajaliteti. Në mes shqiptarëve dhe maqedonasve mungojnë të gjithë parametrat socialë, të cilët duhet t'i ketë një shtet multietnik. Ndaj është e pamundur që ky shtet të mos ndahet apo të federalizohet.

Pyetje: Si i konsideroni grupet e armatosura që veprojnë në Maqedoni?
Xhaferi:
Janë struktura të ish-UÇK-së, të cilat prisnin që Marrëveshja e Ohrit do t'i zgjidhte përfundimisht problemet e tyre. Mungesa e amnistisë për të gjithë ata ka bërë që këta të fundit të mos lëvizin të lirshëm në Maqedoninë e posmarrëveshjes së Ohrit. Akuzat penale që rëndojnë ndaj tyre kanë bërë që ata jo vetëm të mos e pranojnë Marrëveshjen e Ohrit, por dhe të jenë të frustuar nga ky realitet, ndaj dhe reagojnë kështu.

Cila pjesë e Marrëveshjes së Ohrit nuk është implementuar dhe kush nuk e implementon atë?
Xhaferi:
Problemi qëndron te fakti që ka dy Marrëveshje të Ohrit për t'u implementuar, një marrëveshje qëndron në kokën e Cervenkovskit dhe një marrëveshje tjetër është ajo që kemi nënshkruar ne atje. Marrëveshja e Ohrit mbështetet në katër shtylla kryesore. E para, përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe. Qeveria ofron variantin e përdorimit të pjesshëm apo edhe sipas leverdisë, herë pas here. E dyta, përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve në administratë, variant i anashkaluar dhe shpesh i mënjanuar me dëshirë. E treta, amnisti për të gjithë ish-anëtarët e UCK-së, fakt i parespektuar. Ka shumë ish-anëtarë të ish-UÇK-së, të cilët janë në kërkim për ndjekje penale. Dhe shtylla e katërt, decentralizimi dhe ndarja territoriale, Qeveria e Maqedonisë u shmanget obligimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Ohrit për këtë pikë.

Pyetje: Po qëndrimet e presidentit shqiptar Alfred Moisiu dhe kryeministrit Nano si i komentoni?
Xhaferi:
Mendoj se nuk kanë informacionin e duhur për atë që ndodh në Maqedoni. Janë të informuar vetëm për zhvillimet e brendshme në Shqipëri, ndaj gjykoj se deklaratat e tyre janë vetëm një klishe diplomatike. Këto deklarata vijnë në kuadër të një politeze diplomatike për të qenë konstruktivë në rajonin e Ballkanit. Nga ana tjetër, mendoj se ata jo vetëm duhet të njihen më mirë me realitetin, por duhet të jenë edhe më aktivë e realistë, në mënyrë që të veprojnë dhe të japin këshilla të cilat me të vërtetë do t'i kontribuonin stabilitetit.

Pyetje: Eshtë thënë në qarqe ndërkombëtare, se një Kosovë e pavarur përbën rrezik për Maqedoninë, mendoni se është kështu apo e kundërta?
Xhaferi:
Mendoj se është një tezë proserbe dhe proruse. Mendoj se pavarësia e Kosovës do ta stabilizonte të gjithë rajonin dhe veçanërisht Maqedoninë. Në qoftë se do të ishte e vërtetë që Kosova rrezikon Maqedoninë, atëherë më lind e drejta të mendoj se pavarësia e Maqedonisë, ashtu si dhe pavarësia e Serbisë, ndikoi negativisht për popullin shqiptar në Ballkan. Ndaj, nëse merret kështu, viktima e këtyre shteteve të pavaruara jemi ne shqiptarët.

Nga Gazeta Shqiptare / BalkanWeb

Komentoni artikullin/lajmin e mësipërm:
Emri dhe Mbiemri:
E-Mail:
Komenti juaj:  
 

 

KeL - Kosova e lirë - www.kosovaelire.com
KeL - Kosova e lirë