links
KeL - Kosova e lirë www.kosovaelire.com
KeL - Kosova e lirë - www.kosovaelire.com

Radio Dukagjini






"Po iu jap një porosi,
Këmba e huaj keq iu rri,
Nuk durohet gjithë vaji i fëmisë,
Çonu të gjithë në shërbim t'lirisë."

 

 

 

 

 

 

 

 

 


Ribotim: nga arkiki i Kosovës së lirë, letër me rastin e rënjes heroike të Shkëlzen Haradinaj, Fatmir dhe Naim NImanajt nga Gllogjani

NË XHEPIN E MAJTË TË UNIFORMËS SË TIJ TË ZEZË QË ISHTE NGJYROSUR ME GJAKUN E TIJ TË KUQ, MBANTE FOTOGRAFITË E GOCAVE TË TIJ TË DASHURA

Prishtinë, 28 maj 1999 (KeL) - Nata mbuloi horizontin dhe shënoi fundin edhe të një dite të gjatë të kësaj pranvere të përgjakshme. Terrin e zi të kësaj nate të zezë qante zëri i ëmbël i luftëtarëve të lirisë, tek qendronin të shtrirë në dhomën e një shtëpie gjysëm të djegur diku në Lugun e Baranit. Zjarri ngrohu dhomën, bashk me të edhe trupat tonë të lagur, qetësinë e kësaj nate e prishte zëri i ëmbël i bilbilave dhe pishtarëve të lirisë me këngën: "Djell e hënë shnderite Atdheun". Dhoma mori dritë dhe shëndriste fytyrat e lodhura por krenare e të pathyera të luftëtarëve të lirisë, me ëmblemën e UÇK-së në ballë "Djell e hënë shndrit Atdheun/Nënë Kosovën ku kam lënë," ishte kjo kënga më e dashur i zonës së Dugagjinit, Shkelzen Haradinaj, dhe e shoqëronin eprorët Fatmir e Luan Nimani. Zëri i kristalit i këtyre pishtarëve dhe trimave të paepur të krijonte përshtypjen sikur ndodhesh para legjendave të gjalla që vetëm mund t'i shohesh e s'mund t'i prekësh. Në agun e parë të mëngjesit duhet të ishim në vijat e luftës. Tanimë të mësuar që lindjen e diellit ta presin të zgjuar tërë ushtarët e UÇK-së edhe pse të lodhur nga marshimi i gjatë një javor i prillit dhe rrethimi i hekurt nga të katër anët. Zëri i fort i njeriut më të dashur, me luftëtarët, dhe me të zellshmit në mesin e ushtarëve të UCÇK-së, Shkelzenit, sikur qante retë dhe thirrte diellin të shndëritë tokën e Kosovës, atë mëngjes komandanti i dhuruar ndante detyrat që duhej zbatuar me përpikmeri. Për vezhgim të terrenit mbi kodrat e Zhabelit ngarkohet Policia Ushtarake. Në një moment ata bien në priten e forcave serbe dhe pas një qendrese heroike një plumb goditi për vdekje tani heroin Hasim Halilaj nga fshati Gllogjan. Më të marrur vesh për ngjarjen pothuaj se e gjithë Brigada 131 "Jusuf Gervalla" e dëshmuar shumë herë për qendresë dhe heroizem, (Brigade që shumë herë me pushkën e saj bëri toka të skuqej me gjakun e kriminelëve të Serbisë, duke djegur e shkatërruar shumë mjete dhe teknikë luftarake në vijat e frontit në Dukagjin). Në gjendje të gatishmërisë tek vendi i ngjarjes, si rrufeja kokëlartë e vigan ecte Zeni, dhe kohë pas kohe grupe grupe i poziciononte në vendet e duhura ushtarët. Pas tij ecte si gjithmonë djaloshi shtathedhur, veshur me uniformë të zezë gjithherë ne gjendje për të shtënë dhe dal zot vendit të vet, Fatmir Nimanaj. Bukurinë ja shtonte shqiponja në ballë dhe pajisjet e tjera që më shije i rëndiste ne shtatin e tij si Flamur. Si çdo herë edhe këtë ditë i përcillte Luani me flokët kaçurrela dhe sy të kaltër. I hareshëm dhe i gatshëm për veprim në çdo kohë. Nuk e pengonte asnjë kohë plagët që i kishte në trup nga betejat e njëpasnjëshme. Pasion e kishte këngën dhe ajo e shoqëronte kudo. Hap pas hapi në pyllin ku mendonin se ishte trupi i Hasimit. Disa u ndamë në të djathtë e disa në të majtë. Shkëlzeni me shokë ecte drejt rrugës. Pas një kohe dëgjova zërin e Fatmirit tek thërriste. "O prite prite. O Qitjau rrethin". Ndërsa pas pak kohë ndëgjohen breshëri armësh automatike të pandërprera nga shumë tyta të armëve. Ne për një kohë luftuam ne krahun e djathtë të shokëve. Por pushkët e tyre u rralluan. U kthyem te shohim se ku janë. Forcat serbe thirren përforcim. Ishim në një afërsi të madhe me ta. Pas pak takohemi me shokë. Në fytyrat e tyre shohim një dhembje të madhe, sytë i kishin të renduar dhe kokat e ulura. Njëri nga ta mori guxim dhe njoftoi për ngjarjen më të rëndë deri tash që përjetova. Më thanë se Shkelzeni dhe Fatmiri janë vrarë ndërsa Luani është rëndë i plagosur.
Për një çast m'u duk sikur e gjithë Dushkaja u përmbys dhe tërë pesha e saj më zuri. Hoqa kapelen e lagur nga djersët dhe mora fuqinë t'i ngushllojë shokët duke ju dhënë kurajo e forca se lufta duhet vazhduar. Ecëm drejt rrugës dhe u takuam me luftëtarët që vazhdonin betejën. Mali digjej nga predhat e minahedhësve dhe topave 40 milimetra të dorës që përdor këmbësoria jonë. Me qendresën më të fortë vëllau i Shkelzenit i cili me heroizem të pashoq na bëri të fortë e të pathyeshëm. Ecja e tij e patrembur në përcjellje të shokëve, krismat dhe jehona e pushkëve të Shkelzenit dhe të Fatmirit të rënë kokë me kokë me të cilët para kriminel gjakatar gjë që dëshmorin edhe gjurmët, (gjaku dhe gjësendet e plitëve që kishin lënë). Në çdo skute shihej gjaku, vijat e tërheqjes së të vrarëve uniformat dhe kapelave të gjakatarëve, fashot e mbushura me gjak dhe gjëra tjera dëshmuese. Me ndihmën e një traktori shokët morën trupat e dëshmorëve. Ngjitemi rrugës dhe në një vend shoh dy pellgje gjaku të njomë që edhe këta si shumë shokë të tjerë UJITËN rrënjet e luleve në këtë pranverë. Siç tregojnë shokët këta trima u ndeshën me armiqë ballë për ballë në një pozicion të palakmueshëm pasi që armiqtë ishin mirë të pozicionuar dhe kishin organizuar pritë të mirë, duke i lënë të hynë luftëtarët tanë thellë në pozicionet e tyre. Qëndresa e djemve tanë që me veprën e tyre thyen mitet duke kthyer veten në legjendë, dhe me veprën e tyre na dhanë mësim se si duhet rënë për të mos vdekur kurrë. Plumbat përnjëherë kishin goditur të dy trimat për vdekje duke e plagosur rëndë Luanin, që të tre nga fshati Gllogjan i Deçanit. Armët u shndërisnin në rrezet e diellit. Edhe të vdekur u kishin hije. Edhe të rënë dukej sikur këndonin, se u kishte hije edhe lufta, edhe kënga. Edhe të vdekur ishin të hishëm. Ata ishin nga radhët elite të UÇK-së në Dukagjin. Po afrohej mbrëmja. Në Dushkajë u hapen dy varre të reja. Gllogjanit ju ndanë edhe tre trima nga lufta. Dukagjinit ju munguan edhe 3 shokë rrugës drejt lirisë. Kosova humbi edhe tre kreh pushke. Trupin e tyre të njomë e mbuloi dheu i Kosovës që aq shumë e deshën, që aqë shumë e mbrojten që aqë shumë e kënduan. Dielli u fsheh pas bjeshkëve e një shi i imet lagu dheun e ri që i mbuloi trupat e trimave, e dikush nga ushtarët tha: "e shihni Shkelzenin çdo herë i këndoi këtij dielli e sot ai qan për të". Ngadal zbresim maleve e në kokë më sillet kënga "Diell e hënë shndërit Atdheun". Luani mbahej i fortë edhe pse me plagë të rënda në trup, e nisim atë drejtë një vendi ku do të te trajtohet më mirë. Plagët në trup, dhe rruga e vështirë e ndau nga shokët edhe këtë djalosh 20 vjeçar. Jeta as lufta nuk i ndau asnjëherë nga njëri tjetri. Edhe vdekjen për Atdhe e bënë së bashku, Luani u mbeti besnik deri në vdekje idealeve të lirisë, dhe të afërmve të tij, djemve të axhës, Fatmir dhe Naim Nimanajt. Nata ishte e gjatë për të kaluar deri në agim, Mungonte trupi i Hasimit nxjerrjen e sakrifikuan shokët e idealit dhe të luftës. Trupi i djaloshit të ri u gjet në kodër të Zhabelit. Prapa la dy vajza të vogla që aqë shumë i deshi (në xhepin e majtë të uniformës së tij të zezë që ishte ngjyrosur me gjakun e tij të kuq mbante fotografitë e gocave të tij të dashura), larg syve të shtëpisë duke vdekur pa i parë. Varreve të shokëve ju shtua edhe një varr i ri. Me nderime të mëdha u ndamë nga shokët tanë të dashur me betimin se rrugën e tyre do ta vazhdojmë deri në fitore. Vdekja e tyre është shembull për ne se si duhet dhe si vdiset për atdhe. U qoftë i lehtë dheu i Kosovës o trimat e Lirisë!

Ibrahim Selmanaj, 20.05.1999, Dukagjin, Jabllanicë

Komentoni artikullin/lajmin e mësipërm:
Emri dhe Mbiemri:
E-Mail:
Komenti juaj:  
 
KeL - Kosova e lirë - www.kosovaelire.com
KeL - Kosova e lirë