Mihal Grameno
Prishtinë, 18 korrik 1999
(Kosova e lire) - U lind në Korçë
më 1872. Mësimet e vetme që bëri,
qenë ato të shkollës greke të
vendlindjes. Që i vogël ai nisi të
këndojë edhe shqip. Më 1885, ende
si fëmi, Grameno u detyrua të marrë
udhën e kurbetit, shkoj në Rumani, ku
kishte shumë të emigruar korçarë.
Ai mori gjallërisht pjesë në Lëvizjen
Patriotike të shqiptarëve të Bukureshtit
dhe, si autodidakt, fitoj njëfarë kulture.
Rreth vitit 1900, ai nisi të botojë
vjersha dhe artikuj të ndryshëm në
shtypin e kohës. Më 1907, kur mori pjesë
në çetën e vogël të
Çerçiz Topullit, Grameno shkroi
disa prej këngëve të tij siç
janë: ,,Për mëmëdhenë’’,
që ishte kënga e kryengritjes, ,,Ardhi
dita’’, ,,Lamtumirë’’,
,,Vratë për liri’’ etj.
Më 1912, Grameno ishte ndër ata që ngritën
flamurin në Vlorë. Pas këtij viti
ai vazhdoi punën e palodhur kundër armiqve
të ndryshëm që përpiqeshin
t’i bëjnë varrin shtetit shqiptar,
veçanërisht kundër klerit grek
e grekomanëve. Si tregimtar, Grameno është nga
të parët që punoi në shqipet
njëren nga gjinitë e gjata të prozës,
novelën. Në njëren nga të novelat
e tij , ,,Varr’ i pagëzimit’’,
(1909) ai kthehet edhe një herë në temën
e luftës kundër shovenizmit grek dhe
grekomanëve. Në këtë novelë dhe
te ,,E puthura’’, (1909) autori trajton
edhe temën e pamundësisë së martesës
në mes të njerëzve nga origjina
të ndryshme shoqërore - të pasur
e të varfër. Grameno shquhet veçanërisht si publicist.
Ai drejtoi dy prej gazetave më përparimtare
të çerekut të parë të shekullit
tonë, ,,Lidhja orthodokse’’ (1909-10),
,,Koha’’ (1911-24, me intervale e heshtje).
Ka shkruar edhe në një shumicë organesh
të tjera. Veçanërisht dallohen
pamfletat e tij të shkurtër, me sarkazëmn
e tyre therëse kundër armiqve të ndryshëm
të çështjes kombëtare, si
kleri grek, grekomanët, feudalët etj.
Një meritë e posaçme e Gramenos është jo
vetëm se ai është nga të parët
që bëri në shqipet dramën,
novelën dhe pamfletën e tij të shkurtër,
por se ai rroku si temat aktuale, ashtu edhe ato
historike, duke i trajtuar këto me një qëllim
të përcaktuar e të fortë aktual.
Një tjetër meritë është se
në veprat e Gramenos gjejmë shumë personazhe
të shtresave të varfëra të popullit
për të cilat ai ka dhembje e dashuri
të thellë. Heroinat e veprave të Gramenos
marrin pjesë aktive në Lëvizjen
Patriotike dhe në luftën kundër
kishës greke.
Me gjithë interesin e madh që veprat
e Gramenos paraqesin për tematikën e
tyre dhe si prova për gjinitë e gjata
të dramës e të prozës, ato
kanë të meta të shumta artistike,
qoftë nga trajtimi i personazheve, qoftë nga
ndërtimi dhe gjuha. Megjithatë, veprat
e tij meritojnë tërë vëmendjen
dhe zënë një vend të dukshëm
në letërsinë tonë të Rilindjes.
Ato i përkasin herë romantizmit përparimtar
e herë realizmit kritik.
|