Zbulohet
enciklopedia shqiptare 300-vjeçare
Prishtinë,
10 maj 2004 KeL) - “Illyricum Sacrum”
është një vepër enciklopedike
me 5500 faqe, e ndarë në nëntë
vëllime. Në të flitet për
historinë e ilirëve, domethënë
për historinë e shqiptarëve
që kanë jetuar në faqen perëndimore
të Ballkanit, ku shtriheshin fiset
ilire. “Illyricum Sacrum” përmban
gjithashtu harta, skica dhe ilustrime të
shumta për të parët tanë,
të cilat nuk gjenden askund veç
në këtë vepër të
madhe. Sipas prof. Aleksandër Stipçeviç,
vepra “Illyricum Sacrum” është
një arritje kapitale e historisë
evropiane. Ajo ka rëndësi të
dorës së parë si burim të
dhënash për historinë mesjetare
të Ballkanit Perëndimor. Vëllimi
i parë ka dalë në vitin 1751,
kurse i fundit në vitin 1909. Shtatë
vëllimet e para janë përgatitur
nga Daniele Farlati, kurse dy vëllimet
e fundit nga Jakobo Coleti.
Dokumentet e arkivit
zbardhin materialin e çmuar historik
qindravjeçar, me rreth 5500 faqe,
që do të publikohet së shpejti
Treqind e dy vjet më
parë, në vitin 1702, Papa Klementi
XI i drejtohet ipeshkëvit të Tivarit,
imzot Vinçenc Zvajevikut: “Dëshiroj
të përmbushësh një vizitë
pastorale në trojet e Arbnisë.
Të shkosh atje dhe të shikosh
nga afër kryeipeshkëvitë,
ipeshkvitë, dioqezat dhe famullitë.
Pasi të keni bërë
këtë punë dua nga ju një
raport të hollësishëm për
gjendjen e kishave të Arbnisë
dhe të besimtarëve… dhe
më në fund dua të di, a e
përdor ai popull gjuhën e vet,
të folmen arbneshe?”
Duke i shkruar ipeshkëvit
të Tivarit, Papa Klementi XI, që
quhej ndryshe edhe Papa Albani, për
shkak të origjinës shqiptare,
kërkonte gjallërimin e jetës
katolike në Shqipëri, si dhe ruajtjen
e gjuhës së këtij vendi.
Sipas Klementit XI, shqiptarët ishin
të vendosur në ruajtjen e traditave
të tyre. Si shqiptar, Papa Klementi
XI ishte i pari që kishte kuptuar se
shqiptarizimi i kishës katolike ishte
mjeti më i mirë për të
ruajtur fenë dhe kombin në këtë
vend që kërcënohej gjithnjë
e më shumë nga dyndjet osmane.
Duke iu përgjigjur letrës
së Atit të shenjtë, kryeipeshkëvi
i Tivarit, Vinçec Zmajevik, kalon
qytet më qytet e katund më katund
duke plotësuar me përkushtim të
thellë urdhrin e shenjtë të
Papës. Pas ekspeditës në
Arbni, ai i shkruan Papës: “…
ju solla dheut rreth e rreth, gjithëmbarë
e pashë vuajtje shumë o Atë
i shenjtë. Qytetet e lulëzuara
ishin vënë nën haraç,
pashë kala të rrënuara, forcën
tonë të prishur, e kisha të
përlyera. Pashë pleq të vuajtur,
meshtarë duke qarë, barinj të
travajur, murtajën që bënte
kërdinë. Zemra ime, bashkuar me
mjerimin e popullit tim, donte të më
ndahej copa.”
Në fund, ipeshkëvi
i Tivarit e mbyll kështu letrën
e tij: “Konstatimet e mia do të
ishin të pavlera sikur të mos
ndërmerreshin hapa të menjëhershëm
për t’i ardhur në ndihmë
popullit të Arbnisë që është,
në të njëjtën kohë,
edhe populli juaj o Atë i Shenjtë!”
Pas këtij letërkëmbimi
Papa Klementi XI vendosi që në
Mërçi të Lezhës më
14 e 15 janar, 1703 të mbahej kuvendi
i Arbnit. Me vendim të Papa Klementit
XI u themelua kolegji për arbëreshët
e Italisë në Shën Mitër
Koronë. Ai dha 4000 skude për
një vend të përhershëm
në Kolegjin Urban të Propagandës
Fide në Romë, vend i cili do të
mbahej nga një shqiptar. Me iniciativën
e tij u hap katedra e gjuhës shqipe
në Romë. Sipas Papa Klementit
XI, rimëkëmbja e Arbnisë,
domethënë ringritja e ndërgjegjes
kombëtare mund të vinte duke ruajtur
gjuhën, fenë dhe historinë
e të parëve. Sipas Papës,
këto ishin simbole të unitetit
kombëtar.
Ashtu si në vitin 1702,
dhjetë vjet më vonë, Papa
Klementi XI i drejtohet për bashkëpunim
një intelektuali, studiuesi dhe historiani,
z. Daniele Farlati, për të ndërmarrë
një ekspeditë të gjerë
nëpër dheun e të parëve
të tij, nëpër Iliri. Kështu
nisi puna për korpusin “Illyricum
Sacrum”, të cilit Daniele Farlati
do t’i kushtonte gjithë jetën
e tij.
Farlati, një ilirolog
i hershëm
Me këtë vepër
Farlati bëhet një nga personalitetet
më të mëdha të ilirologjisë.
Ai është më i madhi, përfaqësuesi
më dinjitoz që njohim deri më
sot.
Nuk ka ilirolog tjetër
që mund të konkurrojë me
të për periudhën antike,
deri në Mesjetë. Me dokumente
dhe fakte ai argumenton prejardhjen tonë
shumë e shumë kohë para se
të vinin sllavët në Ballkan.
Ai davarit mjegullat shekullore e saktëson
kohën ilire, helene, romake dhe bizantine.
Ai dhe vetëm ai, paraqet themelet e
ndërlikuara mbi të cilat u ngrit
shteti ilir dhe jeta e paraardhësve
tanë. Për të kryer studime
të tilla nuk është e lehtë.
Duhet shumë kohë, shumë dije,
dokumente e dëshmi që mund t’i
gjesh pas një hulumtimi të gjatë
e në vende të ndryshme. Burimet
e informacionit janë gati të paarritshme.
Por edhe kur i gjen, nuk është
e lehtë t’i deshifrosh. Mendoni
se ç’punë kolosale i është
dashur Farlatit për të ndërtuar
pa asnjë të metë mozaikun
e ilirëve që jetonin në faqen
perëndimore të Ballkanit. Nëse
historiografisë sonë i heqim Farlatin,
atëherë prejardhja jonë do
të ishte e dyshimtë, e mangët,
e cunguar. Të dhëna për këtë
periudhë kanë paraqitur edhe studiues
të tjerë, por roli dhe saktësia
e Farlatit janë të padiskutueshme.
Të gjithë ata që duan të
flasin për ilirët dhe historinë
e shqiptarëve, patjetër duhet
të mbështeten e të citojnë
Daniele Farlatin. Ai është institucion.
Ai përfaqëson bankën më
të madhe të të dhënave
për Ilirinë.
Në
Shqipëri tri nga shtatë vëllimet
e Daniele Farlatit
Sot për sot, në Shqipëri
gjenden tri vëllime të Daniele
Farlatit, një vëllim që ndodhet
në AQSH, një vëllim në
Bibliotekën Kombëtare, dhe një
vëllim që gjendet në Shkodër.
Vëllimet e tjera nuk i kemi. Ato gjenden
në Vatikan, në Venedik, në
Kroaci, në Muzeun e Vjenës etj.
Edhe në këto vende, kopjet e “Illyricum
Sacrum” janë të rralla.
Me një iniciativë të marrë
nga shtëpia botuese “ARBI”
në Prishtinë, ashtu siç
u veprua me “Acta et Diplomata res
Albanie mediae a etatis ilustrantia”
të Shuflait, pritet të veprohet
edhe me nëntë vëllimet e
Farlatit e Coletit për “Illyricum
Sacrum”. Për këtë korpus
që i kalon të 5500 faqet, do të
kontribuojë Ministria e Kulturës
së Kroacisë dhe Ministria e Kulturës
së Kosovës. Natyrisht, Ministria
e Kulturës së Unionit Serbi –
Mali i Zi as që mendohet të kontribuojë.
Po kështu, edhe Ministria e Kulturës
së Maqedonisë, pasi në këtë
vepër flitet për Shkupin ilirik
të banuar nga shqiptarët. Kontribut
nuk mund të japë as Ministria
e Kulturës së Greqisë, sepse
në “Illyricum Sacrum”,
flitet për një të tretën
e Greqisë të banuar nga iliro-shqiptarët.
Ja nëntë
vëllimet e “Illyricum Sacrum”
Nga Volumi i parë deri
tek i nënti janë dashur 150 vjet
punë e palodhur për të krijuar
këtë korpus, që flet jo vetëm
për prejardhjen e shqiptarëve,
por edhe për historinë e ilirëve
që jetonin në pjesën perëndimore
të Ballkanit.
Autor i vetëm për
shtatë volumet e para të këtij
korpusi është Daniele Farlati.
Pas vdekjes së tij, Jakobo Koleti,
përfundoi volumin e tetë e të
nëntë të “Illyricum
Sacrum”. Formati i faqeve të
këtij korpusi është sa ai
i revistave të sotme, 38 X 25 cm. Për
botimin e ri nga “ARBI” L.t.d,
Prishtinë, një ndihmesë të
madhe ka dhënë Drejtoria e Përgjithsme
e Arkivave të Shqipërisë.
Sipas z. Sinani, DPA, ka krijuar të
gjitha lehtësitë e komunikimit
me të gjitha institucionet që
ka marrëveshje dypalëshe e që
zotërojnë të nëntë
vëllimet origjinale të “Illyricum
Sacrum”. Pikërisht këto
kopje do të shërbejnë si
matricë e pastër për botimin
fototipik. Drejtoria e Përgjithshme
e Arkivave të Shqipërisë
ka ndihmuar gjithashtu në përpunimin
e lëndës, duke shfrytëzuar
në mënyrë të frytshme
marrëveshjet dypalëshe. Ajo ka
afruar dhe ka nxitur bashkëpunëtorët
e saj më të ngushtë jashtë
Shqipërisë për kërkime
në bibliotekat dhe arkivat e Vatikanit,
Venedikut, Firences, Zagrebit, Dubrovnikut,
Cetinjës etj., etj. Tani Drejtoria
e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë
po nxit institucionet shqiptare për
t’u bërë palë në
botimin e kësaj vepre monumentale.
Projekti për financimin
e botimit të “Illyricum Sacrum”
Të parët dhe të
fundit që duhet të kontribuonin
për botimin luksoz e voluminoz të
“Illyricum Sacrum” është
Ministria e Kulturës së Shqipërisë.
“Deri tani, thotë drejtori i
përgjithshëm i Arkivave të
Shqipërisë, prof.dr.Shaban Sinani,
AQSH-ja ka një praktikë të
tërë me Ministrinë e Kulturës.
E kemi vënë në dijeni për
këtë projekt, si dhe punën
e bërë deri tani. Ne si arkiv,
kemi dhënë gjithë ndihmesën
tonë për këtë vepër.
Kemi vënë në dispozicion
të shtëpisë botuese “ARBI”
çdo informacion. Kemi shfrytëzuar
gjithë bashkëpunëtorët
tanë jashtë shtetit, si dhe lidhjet
tona zyrtare me Arkivin e Vatikanit, të
Venedikut, Firences e Kroacisë për
botimin e plotë të “Illyricum
Sacrum”. E gjithë kjo punë
është shumë pozitive, por
nuk është e plotë. Botimi
luksoz me format origjinal dhe lidhje speciale,
me harta, skica e ilustrime origjinale ka
një kosto të lartë. Për
të qenë bashkëbotues duhet
kontribuar”. Pas këtij financimi
Shqipëria ka të drejtë të
marrë edhe kopjet e domosdoshme, jo
një e dy, por aq sa do të derdhë
buxhet. Në të kundërt, shtëpia
botuese, duke ruajtur etikën dhe protokollin,
do t’i dërgojë Tiranës
zyrtare, ndoshta një ose dy kopje,
e shumta tri, asnjë më shumë.
Tri kopje janë fare pak edhe për
një institucion të vetëm,
siç është Biblioteka Kombëtare.
Asnjë historian shqiptar, nuk i ka
parë deri më sot të nëntë
vëllimet e “Illyricum Sacrum”.
Ata mund të kenë parë e mund
të kenë lexuar një vëllim,
atë që gjendet në Bibliotekën
Kombëtare, por asnjëherë
nuk i kanë parë të nëntë
vëllimet e Farlatit. Ky është
rasti më i mirë që jo vetëm
historianët, por edhe studiuesit, intelektualët,
akademikët e të tjerë t’i
kenë më në fund të nëntë
vëllimet e Farlatit. Është
një rast i mirë që edhe presidenti
i Republikës, kryeministri, ministri
i Kulturës etj. të kenë disa
kopje në institucionin e tyre, në
mënyrë që protokolli, sipas
rastit, të ketë ç’tu
dhurojë të huajve. A do të
financojë Ministria e Kulturës
për këtë vepër?
Vështirë të
thuash po, pasi në atë institucion
ndoshta, ende nuk ia dinë vlerën.
Kur mendon se kjo ministri ka financuar
Miss-e, koncerte e parada mode, thua se
patjetër do e financojë edhe këtë
vepër. Mirëpo, deri tani askush
nuk e ka pohuar një gjë të
tillë. ndoshta në Prishtinë
shumë shpejt “Illyricum Sacrum”
do ta shohë dritën e botimit,
e në Shqipëri, askush nuk do ta
marrë vesh. Në Kroaci, për
shembull, të gjitha kopjet e destinuara
për këtë vend janë blerë
nga një shtëpi botuese. Por kontributin
dhe ndihmën që ka dhënë
DPA, shtëpia botuese “ARBI”
është e gatshme ta pranojë
si bashkëbotuese, por ajo nuk mund
ta bëjë një gjë të
tillë, nëse qeveria shqiptare
nuk kontribuon me një buxhet qoftë
edhe modest. Preventivi i një vepre
të tillë monumentale është
mjaft i rënduar. Kontributi i institucioneve
shqiptare mund të bëhet, edhe
duke porositur, psh., njëqind kopje
për të nëntë vëllimet.
Ato mund të përdoren nga kryeministri,
nga Ministria e Kulturës, nga Ministria
e Jashtme, nga Akademia e Shkencave dhe
nga Biblioteka Kombëtare. Nëse
qeveria shqiptare nuk kontribuon me buxhet,
atëherë shtëpia botuese në
Prishtinë, nuk do të pranojë
asnjë institucion si bashkëbotues,
qoftë ky edhe Arkivi i Shtetit që,
faktikisht, ka kontribuar për plotësimin
e kësaj vepre.
“Ne, deklaron Shaban
Sinani, do të kishim shumë dëshirë
që emri i DPA-së, pra emri i një
institucioni shqiptar të njihej si
bashkëbotues. “Illyricum Sacrum”
përfaqëson monumentin më
të rëndësishëm të
burimologjisë së historisë
të vendit tonë, nga Antikiteti
deri në Mesjetë. Një vepër
e tillë konkurron çdo arkiv
institucional.
Flet prof.dr. Shaban
Sinani, drejtori i përgjithshëm
i Arkivave
"Arkivi i Kosovës
është prioritet i pandryshueshëm"
Në mënyrë solemne,
në prani të përfaqësuesve
të arkivit slloven, kroat, turk, maqedonas
e boshnjak, u nënshkrua në Prishtinë
marrëveshja midis arkivit shqiptar
dhe Arkivit të Kosovës. Kjo është
marrëveshja e dytë midis dy arkivave.
AQSH-ja ka qenë i pranishëm në
Kosovë menjëherë pas hyrjes
së trupave të NATO-s në këtë
vend. Arkivi i Shtetit Shqiptar ka qenë
ndër institucionet e para që ka
nënshkruar një marrëveshje
bashkëpunimi midis dy institucioneve.
Zoti Sinani, ç’përfaqëson
marrëveshja e dytë krahasuar me
ato të periudhave të mëparshme?
Shumë më tepër!
Edhe më parë, ne kemi bashkëpunuar
intensivisht me Arkivin e Kosovës.
Për shembull, çdo ekspozitë
dokumentare që është hapur
në Tiranë, është hapur
edhe në Prishtinë. Kurset e kualifikimit
për arkivistët e rinj të
Kosovës, kanë qenë, ose të
përbashkët, ose specialistët
tanë kanë shkuar në Prishtinë.
Marrëveshja e re ka pretendime të
mëdha. AQSH-ja ka marrë kështu,
të gjitha përgjegjësitë
për t’iu ndodhur pranë Arkivit
të Kosovës. Kjo do të thotë
se ndihma ndaj Arkivit të Kosovës
do të mbetet prioriteti ynë. Dokumentet
e arkivit shqiptar fillojnë që
nga shekulli VI kurse dokumentet e Arkivit
të Kosovës janë grabitur
qysh në vitn 1989. Ato janë çuar
të gjitha në Beograd. Një
gjë e tillë ka ndodhur edhe me
arkivat e Sllovenisë, Kroacisë
e Bosnjës. Ju s’keni si ta dini,
por nga Arkivi i Kosovës janë
grabitur edhe regjistrat e gjendjes civile,
regjistrat demografikë, regjistrat
e pronave etj., etj. Mendoni se ç’telash
i madh i hapet shoqërisë dhe ekonomisë
së atij vendi. Arkivat e ish-federatës
jugosllave janë në proces gjyqësor
për ndarjen e pasurisë arkivore.
Arkivi i Kosovës nuk mund të hapë
ende një proces gjyqësor për
këtë qëllim, pasi nuk janë
përcaktuar raportet midis Prishtinës
dhe Beogradit. Për të gjitha këto
arsye, si dhe për faktin që arkivistët
e Prishtinës janë në hapat
e para, ndihma ndaj këtij arkivi do
të mbetet prioriteti ynë.
Ç’parashikon
marrëveshja e re?
Marrëveshja e re përmban
shkëmbim literature profesionale, shkëmbim
informacioni për fonde me interes të
përbashkët, shërbim me fotokopje
falas, shkëmbim burimesh që sigurohen
nga arkiva të treta, shkëmbim
specialistësh, njësim terminologjie
etj. Marrëveshja e re përmban
gjithashtu projekte për të rritur
praninë e publikut në të
dy arkivat, ekspozita, botime dhe promovime.
Kuptohet që të gjitha këto
do të jenë në radhë
të parë përgjegjësi
të AQSH-së, pasi, tani për
tani, dihen mundësitë modeste
që ka Arkivi i Kosovës. Kjo nënkupton
edhe angazhimin e AQSH-së në planin
ndërkombëtar, në dobi të
Arkivit të Kosovës.
Ja korpusi “Illyricum
Sacrum”
1751 Venedik Vëllimi
I Autor Daniele Farlati
1753 Venedik Vëllimi II Autor Daniele
Farlati
1765 Venedik Vëllimi III Autor Daniele
Farlati
1769 Venedik Vëllimi IV Autor Daniele
Farlati
1775 Venedik Vëllimi V Autor Daniele
Farlati
1800 Venedik Vëllimi VI Autor Daniele
Farlati
1817 Venedik Vëllimii VII Autor Daniele
Farlati
1819 Venedik Vëllimi VIII Autor Jacobo
Koleti
1909 Split Vëllimi IX Autor Jacobo
Koleti
|