SHTHURJA E BASHKËSISË
PRIMITIVE I L I R Ë T
(SHEK. XI - V P.E.SONË)
Burimet historike dëshmojnë
se në epokën e hekurit territori i
Shqipërisë banohej nga ilirët,
një nga popullsitë e mëdha të
Evropës së atëhershme, që
shtrihej në gjithë pjesën perëndimore
të Gadishullit Ballkanik. Rreth fundit
të shekullit XII ose fillimit të shekullit
XI para erës sonë në territorin
e tyre shfaqen për të parën herë
objekte prej hekuri. Futja në përdorim
e këtij materiali të ri, që i
dha emrin epokës shënon, edhe për
ilirët nismën e një periudhe
të re historike. Hekuri kishte cilësi
të pakrahasueshme ndaj lëndëve
të para të njohura deri atëhere
për përgatitjen e veglave të
punës dhe të armëve. Si i tillë,
ai çoi në rritjen e rendimentit
në sfera të ndryshme të ekonomisë,
në zhvillimin e mëtejshëm të
këmbimit, në rritjen e pasurisë
shoqërore, në thellimin e diferencimit
shoqëror, në formimin e federatave
fisnore si forma të organizimit politik.
Në tërë përmbajtjen e vet
kjo periudhë e historisë së ilirëve
karakterizohet, kështu, nga shthurja e
plotë e organizimit fisnor dhe nga përgatitja
e kushteve për lindjen e skllavopronarisë
dhe të shteteve skllavopronare ilire.
Ky proces nuk u krye njëlloj në të
gjithë territorin e gjerë ilir. Më
shpejt përparuan popullsitë që
banonin në ultësirën bregdetare
dhe në luginat e pllajat me kushte më
të mira natyrore, ndërsa më ngadalë
ecnin fiset e zonave të thella e të
varfra malore.
Njohuritë tona për këtë
periudhë mbështeten kryesisht në
të dhënat arkeologjike, por këtu
vijnë në ndihmë për herë
të parë edhe burimet e shkruara historike,
të cilat u takojnë kryesisht ilirëve
të Jugut.
1. ORIGJINA DHE
TRUALLI HISTORIK I ILIRËVE
Teoritë
rreth origjinës
Problemi i prejardhjes dhe i rrugës
së formimit të trungut etnik ilir
me veçoritë e tij gjuhësore
e kulturore, ka përbërë një
nga synimet më kryesore të ilirologjisë.
Rreth tij janë shfaqur pikëpamje të
ndryshme, të cilat ndriçojnë
në mënyrë të mjaftueshme
gjithë këtë proces të ndërlikuar
etnogjenetik. Kërkimet komplekse arkeologjike,
gjuhësore dhe historike të kohëve
të fundit e kanë vendosur atë
mbi një bazë më të shëndoshë
dhe e kanë futur në një rrugë
më të drejtë zgjidhjeje.
Sado të ndryshme që mund të paraqiten
nga forma teoritë mbi prejardhjen e ilirëve,
në përmbajtje ato shprehin vetëm
dy pikëpamje, njëra nga të cilat
i quan ilirët si të ardhur në
Gadishullin Ballkanik, ndërsa tjetra si
popullsi autoktone të formuar në truallin
historik të Ilirisë.
Midis teorive që i quajnë ilirët
të ardhur në Gadishullin Ballkanik,
ka mospërputhje si përsa i takon vendit
nga vijnë, ashtu edhe kohës së
ardhjes së tyre. Disa e lidhin përhapjen
e tyre me kulturën e Halshtatit, të
tjerë me kulturën e Fushave me Urna,
apo me kulturën Luzhice. Sipas tyre, në
kapërcyell të mijëvjeçarit
të dytë p.e.sonë ilirët
morën pjesë në lëvizjet
e popujve që njihen me emrin dyndja dorike,
egjeane apo panono-ballkanike dhe duke zbritur
nga Evropa Qendrore, në fillim të
epokës së hekurit, u ngulën në
Gadishullin Ballkanik në trojet e tyre
historike.
Pikëpamje më e re është
ajo që e konsideron kulturën ilire
si një dukuri të formuar historikisht
në vetë truallin ilir në bazë
të një procesi të gjatë
dhe të pandërprerë të saj
gjatë gjithë epokës së bronzit
dhe fillimit të asaj të hekurit.
Kjo tezë e zhvillimit të pandërprerë
të kulturës, që jep mundësi
të flitet edhe për një zhvillim
të pandërprerë etnik, gjen prova
të shumta në territorin historik të
ilirëve, sidomos me zbulimet e bëra
në truallin e Shqipërisë në
vendbanimin e Maliqit dhe në varrezat tumulare
të Pazhokut, të Vajzës, të
Matit etj., kurse jashtë vendit tonë
në varrezat tumulare të pllajës
së Glasinacit (Bosnjë) e gjetkë.
Përballë këtyre zbulimeve bëhet
fare e paqëndrueshme teza që e lidh
etnogjenezën e ilirëve me kulturën
e Halshtatit apo me bartësit e kulturës
së fushave me urna. Trualli i kësaj
kulture të fundit nuk mund të lidhet
kurrsesi etnikisht me ilirët. Duke krahasuar
truallin e kulturës së fushave me
urna me atë të kulturës së
mirëfilltë ilire Mat-Glasinac në
rajonin qendror të Ilirisë, vihen
re ndryshime thelbësore si në kulturën
materiale në qeramikë, në objektet
metalike etj., ashtu edhe në atë shpirtërore,
që ka një rëndësi të
veçantë në përcaktimin
etnik të një popullsie. Trualli i
Panonisë ndjek mënyrën e varrimit
me djegie duke vendosur mbeturinat e saj në
vazo të veçanta (urna), ndërsa
ai i Matit dhe i Glasinacit, varrimin në
tuma e kryesisht me vendosje kufome. Këto
ndryshime në kulturë i veçojnë
panonët edhe si një grup etnik më
vete që dallohet nga ai i ilirëve.
Përveç kësaj të dhënat
arkeologjike kanë treguar se dyndjet panono-ballkanike,
dorike a egjeane nuk e përfshinë pjesën
perëndimore të Gadishullit Ballkanik
dhe si pasojë nuk shpunë në ndryshime
dhe zhvendosje të theksuara të ilirëve.
Kjo shihet qartë sidomos në territorin
e vendit tonë, ku materialet arkeologjike
të kësaj kohe, flasin jo për
ndërprerje në zhvillimin autokton
të kulturës, por për një
vazhdimësi të saj që nga epoka
e hershme e bronzit, pavarësisht se disa
shfaqje të reja në prodhimin metalurgjik,
të shek. XI-IX p.e.sonë, mund të
lidhen me ndikimet kulturore të ardhura
përmes dyndjeve nga veriu. Ky zhvillim
i pandërprerë kulturor në vendin
tonë shfaqet akoma më mirë në
qeramikë, e cila është një
tregues i rëndësishëm në
përcaktimin etnik dhe kulturor të
bartësve të saj. Qeramika e kësaj
kohe zhvillohet në tërë truallin
ilir mbi bazën e poçerisë më
të hershme të epokës së
bronzit, pa pasur ndonjë ndryshim në
kohën e kalimit nga epoka e bronzit në
atë të hekurit, dhe duke e ruajtur
këtë traditë autoktone të
paktën deri në shek. VI p.e.sonë,
kur historikisht dihet se këto krahina
banoheshin nga bashkësi të qëndrueshme
fisnore ilire.
Të gjitha këto të dhëna
arkeologjike të grumbulluara në pesëdhjetë
vjetët e fundit, në territorin e Shqipërisë
së bashku tregojnë se etnogjeneza
ilire nuk duhet parë kurrsesi në lidhje
me ardhjen e një popullsie nga veriu i
Ballkanit, por si një proces historik shumë
i gjatë dhe i ndërlikuar autokton.
Ky proces fillon shumë kohë përpara
këtyre dyndjeve (dorike, egjeane a panono-ballkanike)
dhe konkretisht me dyndjen e madhe të periudhës
kalimtare nga neoliti në epokën e
bronzit, që përfshin treva të
gjera të Evropës dhe të Azisë,
duke sjellë me vete ndryshime të dukshme
etnike në Evropën neolitike.
Kjo dyndje e cilësuar indo-evropiane, që
ndodhi në kapërcyell të mijëvjeçarit
të tretë, u krye nga grupe të
ndryshme popullsish baritore të ardhura
nga stepat e Lindjes. Është provuar
arkeologjikisht se ajo nuk u bë menjëherë,
por valë-valë dhe se krahinat perëndimore
të Ballkanit, midis tyre dhe territori
i Shqipërisë u prekën prej saj
më vonë se sa ato lindore.
Gjatë kësaj dyndjeje
grupe të ndryshme kulturore të Evropës
u zhdukën pa lënë gjurmë,
të tjera u përzien me popullsitë
migratore, të cilat u imponuan me këtë
rast vendasve gjuhën, kulturën, në
një farë mase edhe zakonet e veta.
Kështu ndodhi, p.sh. me kulturat neolitike
të Vinçes, të Butmirit, të
Lisiçi-Hvarit në territorin e Jugosllavisë,
të cilat qenë zëvendësuar
me kulturat e reja Kostalace, Vuçedole
etj.; e njëjta gjë ndodhi edhe me
kulturën neolitike të Maliqit, e cila
qe zëvendësuar nga një kulturë
më e ulët e karakterizuar me qeramikën
e saj trashanike, që i atribuohet pikërisht
kësaj dyndjeje.
Në procesin e shtjellimit të këtyre
ngjarjeve dhe të përzierjeve etnike
dhe kulturore të popullsive neolitike vendase,
paraindoevropiane ose sipas disa studiuesve,
indoevropiane të hershme, me ardhësit
e rinj indoevropianë të stepave u
formua edhe baza mbi të cilën nisën
të zhvillohen në kushte të veçanta
edhe proceset etnogjenetike të popullsive
të vjetra historike të Ballkanit Perëndimor,
rrjedhimisht dhe procesi i formimit historik
të trungut etnik ilir me tipare të
përbashkëta kulturore, të dallueshme
prej bashkësive të tjera fqinje jo
ilire. Në këtë proces, i cili
u zhvillua gjatë gjithë mijëvjeçarit
të dytë p.e.sonë, diferencimi
dhe asimilimi i popullsive, ashtu sikurse dhe
lidhjet ekonomike e kulturore, luajtën
një rol të rëndësishëm.
Në qoftë se në periudhën
e hershme të epokës së bronzit,
kultura e krahinave ballkano-perëndimore,
ishte shumë larg për t’i dhënë
asaj karakter të përcaktuar ilir,
të dallueshëm prej atyre të territoreve
të tjera, ky diferencim i tipareve kulturore
vjen e bëhet gjithnjë më i theksuar
në periudhën e mesme e sidomos në
atë të fundit të epokës
së bronzit. Në rrugën e këtij
zhvillimi të brendshëm krahinat jugore
të kësaj treve ishin të kthyera
më tepër me fytyrë drejt jugut,
nga bota e përparuar e Egjeut, me të
cilën qenë në marrëdhënie
të ngushta ekonomike e kulturore. Veriu,
përkundrazi, shfaq prirje drejt Evropës
Qendrore, por me lidhje më të dobëta
me të. Këto lidhje ndikuan sadopak
në formimin dhe në diferencimin në
fund të bronzit e në fillim të
hekurit të dy grupeve të mëdha
kulturore ilire, atij jugor dhe verior.
Kështu duke zënë
fill në kapërcyell të epokës
së bronzit, procesi i formimit të
etnosit ilir përshkon në mijëvjeçarin
e dytë rrugën e gjatë të
diferencimit nga masa e pasigurt etnike që
u formua pas shkatërrimit të botës
neolitike dhe përfundon nga fundi i këtij
mijëvjeçari. Si e tillë, kjo
epokë krijon në pjesën perëndimore
të Ballkanit atë substrat etno-kulturor,
mbi bazën e të cilit formohet më
vonë etnosi dhe kultura ilire. Bartësit
e këtij substrati mund të identifikohen
me atë popullsi parailire, që në
burimet historike njihet si pellazge.
Pavarësisht nga kjo hipotezë për
parailirët, thelbësor është
fakti se në fund të epokës së
bronzit, në pjesën perëndimore
të Ballkanit ishte formuar një bashkësi
e gjerë kulturore dhe etnike, e cila në
epokën e hekurit në bazë të
zhvillimit të brendshëm ekonomiko-shoqëror,
do të vazhdonte të zhvillonte më
tej kulturën e vet duke i dhënë
asaj një fytyrë gjithnjë më
të përcaktuar etnike. Kjo është
dhe periudha e formimit të plotë të
bashkësisë së madhe ilire dhe
të grupeve të veçanta etnokulturore,
ashtu siç përmenden tek autorët
më të hershëm antikë.
Trualli historik
i ilirëve
Sipas burimeve historike, nocioni
ilir - Iliri, ka pasur gjatë historisë
së vet një kuptim disi të ndryshëm
gjeografiko-historik.
Me emrin ilir në fillim njiheshin vetëm
krahinat jugore të ilirëve. Këtu
banonin sipas burimeve më të vona
letrare edhe ilirët e mirëfilltë,
siç i quan ata historiani romak, Plini
Plak. Ky emër u shtri gradualisht prej
grekëve edhe në vise të tjera
të njohura më vonë prej tyre,
popullsitë e të cilave, pavarësisht
nga veçoritë e zhvillimit të
tyre lokal, paraqitnin elemente të një
trungu të përbashkët etno-kulturor.
Në kohën e historianit grek Herodotit
(shek. V p.e.sonë), emri ilir shtrihej
mbi një territor mjaft të gjerë,
i cili arrinte në lindje deri tek rrjedhja
e lumit Moravë. Një shekull më
vonë, sipas Pseudo-Skylaksit, ky emërtim
do të përfshinte territore akoma më
të gjera në veriperëndim të
Ballkanit. Sipas tij ilirët shtriheshin
përgjatë Adriatikut duke filluar që
nga liburnët në veri e deri tek kufijtë
e Kaonisë në jug. Përhapjen më
të madhe dhe përfundimtare të
emrit dhe të territorit ilir, na e jep
Apiani i Aleksandrisë, i cili duke përmbledhur
gjithë sa ishte thënë përpara
tij mbi topografinë e ilirëve, shkruante:
“grekërit quanin ilirë ata që
banonin mbi Maqedoninë dhe Trakinë,
që nga kaonët dhe thesprotët
deri tek lumi Istër. Dhe kjo është
gjatësia e vendit, ndërsa gjerësia
prej maqedonëve dhe thrakëve malorë
tek paionët deri në Jon dhe në
rrëzë të Alpeve”.
Nga studimet më të reja të mbështetura
jo vetëm në burimet e shkruara historike,
por edhe në të dhënat arkeologjike
si dhe në ato gjuhësore, rezulton
se trualli historik i ilirëve përfshinte
tërë pjesën perëndimore
të Gadishullit Ballkanik, që nga rrjedhja
e lumenjve Moravë e Vardar në lindje,
e deri në brigjet e Adriatikut e detit
Jon në perëndim, që nga lumi
Savë në veri, e deri tek gjiri i Ambrakisë
në jug, pra deri në kufijtë e
Helladës së vjetër.
Burimet historike dhe ato arkeologjike e gjuhësore
dëshmojnë për praninë e
ilirëve edhe jashtë trevës historike
të tyre. Grupe të tëra ilirësh,
midis tyre dhe mesapët dhe japigët
u vendosën në Itali gjatë bregut
të Adriatikut dhe në krahinat jugore
të saj.
Në Azi të Vogël u shpërngulën
grupe popullsish dardane, paione, të cilat
do të përmenden edhe në eposin
homerik si pjesëmarrës, përkrah
trojanëve në luftën e tyre kundër
grekëve. Prania e elementit etnik ilir
është vërtetuar arkeologjikisht
nga burimet e shkruara edhe në rajonet
veriore të Maqedonisë e të Greqisë,
si në Akarnani e në Etoli. Të
gjitha këto lëvizje grupesh etnike
ilire përtej trevës historike të
tyre ndodhën, siç mund të provohet
dhe arkeologjikisht, kryesisht gjatë dyndjes
së madhe panono-ballkanike, e cila siç
dihet fillon të vërshojë në
drejtim të jugut që në fund të
shek. XIII-XII p.e.sonë. Meqenëse
fatet e tyre historike, në trojet e reja
ku ato u vendosën, janë thuajse krejt
të ndara nga bota e mirëfilltë
ilire-ballkanike, këto grupe të emigruara
nuk do të përfshihen në shqyrtimin
e mëtejshëm të historisë
ilire.
Topografia
e fiseve më të rëndësishme
ilire
Në shekujt e parë të
mijëvjeçarit të fundit para
erës sonë ishin formuar tanimë
bashkësitë fisnore ilire dhe në
përgjithësi ata kishin zënë
vend në trojet e tyre historike. Ndër
fiset më të hershme ilire që
luajtën dhe një rol ku më shumë
e ku më pak të rëndësishëm
në ngjarjet historike të mëvonshme,
për t’u përmendur janë:
thesprotët, të cilët zinin ultësirën
bregdetare që nga gjiri i Ambrakisë
e deri tek lumi i Thiamit (Kalama), në
veri të tyre vinin kaonët, vendbanimet
e të cilëve arrinin deri tek malet
e Llogarasë dhe gryka e lumit Drinos. Molosët
banonin në pllajën pjellore të
Janinës. Gjatë luginës së
Vjosës në të majtë banonin
amantët, ndërsa në të djathtë
bylinët, kurse në rrjedhjen e sipërme
të Vjosës banonin parauejtë.
Në lindje të bylinëve shtrihej
territori i atintanëve. Taulantët
shtriheshin në zonën bregdetare nga
Vjosa e deri tek lumi i Matit dhe në veri
të tij, përgjatë brigjeve të
Adriatikut të Mesëm, fisi i ardianëve.
Në viset e Ballkanit Qendror dy ishin fiset
më të mëdha dhe më të
rëndësishme ilire: paionët në
luginën e mesme të Vardarit, dhe dardanët
që banonin në rrafshin e Kosovës,
të cilët shtriheshin në veri
në tokat midis degëve jugore e perëndimore
të Moravës deri aty ku këto bashkohen
për të formuar Moravën e Madhe.
Midis fiseve të hershme
të Ballkanit Veriperëndimor ndër
më të fuqishmit ishin liburnët,
të cilët banonin në bregdet dhe
në ishujt deri tek lumi Krka, në jug
të tyre vinin dalmatët, kurse në
viset e Bosnjës së brendshme, autariatët.
Përveç këtyre fiseve, në
territorin e gjerë të Ilirisë
do të shfaqen më vonë, në
rrethana krejt të reja historike e politike,
edhe një numër i madh bashkësish
të tjera ilire, midis të cilave edhe
bashkësi të tilla që do të
kenë një peshë të madhe
në zhvillimin e ngjarjeve politike të
shtetit ilir, si enkelejtë, dasaretët
etj.
Përhapja e fiseve më të rëndësishme
e të hershme ilire dëshmohet në
burimet e autorëve antikë, të
cilat në mjaft raste janë, megjithatë,
të fragmentuara, madje dhe kontradiktore.
Rrjedhimisht në përcaktimin e topografisë
së fiseve ilire ka edhe raste të diskutueshme.
2. GJENDJA EKONOMIKO
- SHOQËRORE E ILIRËVE
(SHEK. XI-V P.E.SONË)
Vendbanimet
Ilirët e kohës së
hekurit jetonin në fshatra dhe në
vendbanime të fortifikuara. Të parët
nuk njihen dhe aq mirë për arsye se
nuk janë gjurmuar në mënyrë
të mjaftueshme. Në burimet e shkruara
ato dokumentohen nga fundi i kësaj periudhe,
në fiset më jugore ilire, nëpërmjet
Pseudo-Skylaksit, i cili thotë se kaonët,
thesprotët dhe molosët banonin në
fshatra. Ky njoftim i shkurtër, që
me sa duket i referohet një burimi më
të hershëm, nuk ndihmon shumë
për të krijuar një ide të
qartë mbi karakterin e këtyre vendbanimeve.
Me sa mund të gjykohet nga të dhënat
arkeologjike, vendbanimet fshatare ilire të
kësaj kohe formoheshin nga grupe shtëpish
të grumbulluara sipas njësive shoqërore
që përfaqësonin, d.m.th. mbi
bazën e një familjeje të madhe
patriarkale ose të një grupi familjesh
të tilla, që i përkisnin një
vëllazërie. Një mendim të
tillë e sugjerojnë, të paktën
për vendbanimet respektive të tyre,
nekropolet tumulare të Matit, të cilat
përbëhen nga grupe të vogla tumash,
të vendosura në tarraca, në luadhe
e në toka buke gjatë luginës
së lumit. Po kjo gjë përsëritet
në tumat e Kukësit, ato të pellgut
të Korçës, të luginës
së Drinos e gjetkë. Edhe vendbanimet
fshatare të gjurmuara në luginën
e Vjosës japin të njëjtën
tablo. Në të gjitha rastet ato paraqiten
si vendbanime të vogla e të shpërndara
pranë tokave bujqësore.
Burimet e shek. V p.e.sonë
dëshmojnë se vendbanimet e hapura
fshatare të këtij lloji kanë
qenë tipike jo vetëm për Ilirinë,
por edhe për krahinat fqinje të Maqedonisë
në lindje dhe të Akarnanisë e
Etolisë në jug.
Gjatë kohës së hekurit vazhdojnë
të mbijetojnë edhe palafitet si vendbanime
të trashëguara nga epokat e mëparshme.
Herodoti në “Historitë”
e tij përshkruan me shumë hollësi
një vendbanim të tillë buzë
liqenit Prasaida të Panonisë. Arkeologjikisht
ato janë vërtetuar gjithashtu në
fshatin Knetë të Kukësit dhe
jashtë territorit shqiptar, në Donja-Dolina
e Ripaç të Bosnjës dhe në
Otok afër Sinjit në Dalmaci.
Krahas vendbanimeve fshatare
të pambrojtura në kohën e hekurit
përhapen gjerësisht vendbanimet e
fortifikuara me mure. Të njohura që
nga koha e bronzit të vonë, ato evoluojnë
dhe bëhen një nga elementet më
karakteristike për epokën e hekurit.
Në gjuhën e popullit këto vendbanime
njihen me emrat qytezë, kala ose gradina.
Për Ilirinë e Jugut janë karakteristike
qytezat apo kalatë e fortifikuara me mure
gurësh. Ato janë të ngritura
mbi kodra të mbrojtura dhe me pozitë
mbizotëruese e horizont të gjerë
shikimi. Kufijtë e vendbanimit i përcaktonin
muret rrethuese. Linja e murit ndjek relievin
e terrenit duke shfrytëzuar aftësitë
mbrojtëse të tij dhe ndërpritet
aty ku mbrojtja nuk është e nevojshme.
Muret ndërtoheshin me gurë të
mëdhenj e mesatarë të palatuar,
formuar nga dy këmisha anësore dhe
bërthama e mesit që mbushej me gurë
të vegjël. Trashësia e tyre luhatet
nga 3,10-3,50 m. Mungojnë në këtë
sistem të hershëm fortifikimi kullat,
kurse portat janë në përgjithësi
të vogla. Në ndonjë rast ato
janë pajisur me një korridor që
ndihmonte mbrojtjen. Lartësia e këtyre
mureve, e ruajtur deri në ditët tona
arrin 2,50-3 m, por trashësia e tyre tregon
se kanë pasur një ngritje të
madhe. Megjithatë duhet menduar se mbi
këtë nivel, fortifikimi do të
ketë qenë plotësuar me gardhe
hunjsh.
Madhësitë e këtyre
vendbanimeve ndryshojnë nga një rast
në tjetrin. Më të voglat kanë
një shtrirje prej 1-2 ha, kurse të
tjera si Gajtani arrinin deri 4-5 ha. Zgjerimet
e mëvonshme kanë bërë që
brenda mureve rrethuese të përfshihen
sipërfaqe më të gjera, siç
është rasti i kalasë së
Trajanit (Korçë), i kalasë
së Lleshanit (Elbasan), i kalasë së
Karosit (Himarë), që zënë
15-20 ha. Në këto raste vendbanimet
paraqiten me 2-3 e më shumë radhë
muresh.
Shumë të pakta janë dijet për
ndërtimet e brendshme të këtyre
vendbanimeve. Gjurmët e ruajtura në
sipërfaqe dëshmojnë se për
ndërtimin e banesave është përdorur
gjerësisht sistemi i tarracave, që
përcaktohej nga terreni i thyer i faqeve
të kodrave mbi të cilat shtriheshin
vendbanimet. Si lëndë për ndërtimin
e banesave është përdorur kryesisht
druri e shumë më pak guri.
Ndryshe nga territori i Ilirisë Jugore,
në krahinat lindore ilire ishin vendbanimet
e mbrojtura me ledhe, të njohura me emrin
“gradina”. Ato ndeshen me shumicë
në tokat e banuara nga dardanët, si
në rrafshin e Glasinacit e gjetkë.
I vetmi vendbanim i këtij lloji në
Shqipëri është ai i zbuluar në
Shuec të Bilishtit. Gradinat janë
të vendosura mbi kodra mbizotëruese.
Ledhet mbrojtëse të tyre formoheshin
nga masa dheu apo gurësh, që arrinin
7-15 m gjerësi. Sistemi i mbrojtjes plotësohej
me sa duket nga një gardh hunjsh, që
ngrihej mbi ledhin dhe në disa raste nga
një hendek që rrethonte vendbanimin.
Vendbanimet e fortifikuara i gjejmë të
vendosura në një mjedis të pasur
me toka buke e kullota, që formonin bazën
e ekonomisë së tyre. Në disa
raste, siç tregojnë të dhënat
arkeologjike, në to zhvillohej edhe një
veprimtari e kufizuar zejtare. Rreth tyre gjendeshin
vendbanimet e hapura fshatare, me të cilat
formonin së bashku njësi të caktuara
ekonomiko-shoqërore.
Vendbanimet e mbrojtura me ledhe, të krahinave
të brendshme e veriore ilire, janë
zakonisht më të vogla se vendbanimet
e fortifikuara të Ilirisë Jugore.
Në shumicën e rasteve ato gjenden
në një mjedis kullotash alpine, si
në Glasinac apo në tokat e brendshme
dalmate dhe ishin qendra grupesh të vogla
fisnore të një popullsie baritore.
Në të dyja rastet lindën në
këtë kohë edhe kryeqendra të
këtyre vendbanimeve, që dallohen nga
të tjerat prej madhësisë dhe
pozitës gjeografiko-ekonomike qendrore.
Si të tilla, me sa duket ato janë
edhe qendra të një fisi të madh
ose të një bashkimi të gjerë
fisnor. Aty nga fundi i kohës së hekurit
(shek.VII-V p.e.sonë), disa prej tyre marrin
pamjen e qendrave protourbane.
Zhvillimi
i bujqësisë, i blegtorisë, i
zejtarisë dhe i këmbimeve
Burimet e shkruara dhe ato arkeologjike
dëshmojnë se, gjatë kësaj
periudhe, ilirët merreshin si dhe më
parë kryesisht me bujqësi dhe me blegtori.
Bujqësia u zhvillua sidomos në zonat
fushore dhe në përgjithësi në
krahinat pjellore të vendit. Ilirët
kultivonin në këtë kohë
të gjitha llojet e drithërave. Jo
rastësisht, krahina të veçanta
ilire, si Paionia dhe Thesprotia, përmenden
që në eposin homerik si vende frytdhënëse
dhe pjellore, d.m.th. të përshtatshme
për kulturat bujqësore. Hesiodi, shkrimtar
grek i shek. VIII-VII p.e.sonë, do ta cilësojë
gjithashtu si shumë pjellore fushën
e Helopisë, ndërsa sipas historianit
grek Hekateut (fundi i shek. VI-V p.e.sonë),
në Iliri kishte krahina që prodhonin
deri dy herë në vit. Më vonë
Skymni, duke përsëritur në vargjet
e tij Hekateun, shton se popullsia ilire që
banonte në viset e brendshme merrej me
lërimin e tokës.
Krahas bujqësisë, në Iliri, veçanërisht
në zonat bregdetare të saj dhe në
krahinat e ulëta kodrinore me klimë
të butë, qenë kultivuar dhe rrushi
e ulliri. “I ngrohtë dhe frytdhënës
ka qenë ky vend, shkruan historiani dhe
gjeografi grek Straboni në veprën
e tij “Gjeografia” (shek. I e.sonë);
ai është plot me ullishta dhe vreshta”,
vijon ky autor, përveç disa krahinave
të pakta ku toka është fare e
ashpër. Që ilirët merreshin me
vreshtari, këtë e dëshmojnë
farërat e rrushit të zbuluara në
disa nga vendbanimet e kohës. Kushtet e
përshtatshme tokësore dhe klimatike
ndihmuan jo më pak edhe për kultivimin
e perimeve, si të bishtajës, të
bathës, të bizeles, etj., si dhe të
kulturave frutore, si p.sh. të mollës,
të dardhës, të qershisë
etj., të gjitha këto janë të
dëshmuara nga farërat e gjetura gjatë
gërmimeve arkeologjike.
Ilirët shfrytëzonin
në këtë periudhë edhe bletët,
prej të cilave ata siguronin mjaltin dhe
dyllin. Sipas Aristotelit, taulantët e
përdornin mjaltin edhe për të
bërë një lloj pijeje të
ngjashme me atë të verës së
ëmbël dhe të fortë.
Tek ilirët ishte e zhvilluar edhe blegtoria,
madje në krahinat e brendshme malore ajo
përbënte bazën kryesore të
ekonomisë së tyre. Hesiodi duke e
cilësuar Helopinë si një fushë
shumë pjellore dhe me livadhe të gjera,
shton se ajo është e pasur me tufa
delesh dhe me qé këmbëharkuar,
ndërsa Pindari, do ta vlerësonte,
në shek. V p.e.sonë, këtë
krahinë si ushqyese të shkëlqyeshme
të gjedhit. Hekateu gjithashtu bën
fjalë për kullota të pasura të
Adrias (krahinë bregdetare e Ilirisë),
dhe për bagëtinë e saj me pjellshmëri
të lartë. Si te ky autor i hershëm,
ashtu dhe tek të tjerët, që përsërisnin
më vonë këto njoftime, ato shpesh
paraqiten të veshura me hollësira
fantastike. Por duke lënë mënjanë
teprimet e tyre, këto burime, sidoqoftë,
flasin për një blegtori të zhvilluar
tek ilirët.
Kujdesi që tregonin ilirët për
mbarështimin e bagëtisë vihet
re edhe nga tregimi i Aristotelit për kriporet
e autariatëve dhe ardianëve. Konfliktet
e shpeshta midis këtyre dy fiseve për
këtë kripore, shprehin shqetësimet
e blegtorëve ilirë lidhur me këtë
produkt shumë të vlefshëm për
jetën e gjësë së gjallë.
“Kripa, - thotë Aristoteli, - u duhet
atyre për kafshët, të cilave
ua japin dy herë në vit, përndryshe
shumica u ngordh”.
Midis kafshëve shtëpiake
më të parapëlqyera ishin qetë,
delet, derrat, qentë etj., për të
cilat flasin si burimet historike, ashtu edhe
vetë materiali kockor i zbuluar dendur
në vendbanimet e ndryshme të kësaj
periudhe. Ilirët shquheshin edhe si rritës
të mirë të kuajve. Këta
të fundit ishin të shpejtë në
vrapime dhe të qëndrueshëm në
punë, siç na thonë burimet
e mëvonshme.
Krahas blegtorisë, ilirët merreshin
edhe me gjueti, megjithëse kjo veprimtari
nuk luante ndonjë rol aq të rëndësishëm
në jetën ekonomike të tyre. Të
përmendur ishin në atë kohë
qentë e gjahut të Mollosisë,
por akoma më të shquar ata që
ruanin kopetë e bagëtive. Këta
të fundit sipas burimeve të shkruara,
ua kalonin qenve të tjerë për
trupin e tyre të lartë dhe guximin
e madh në kacafytje me bisha të egra.
Skenat e gjuetisë së ilirëve
na janë pasqyruar edhe në artin figurativ
ilir të kësaj kohe. Për t’u
përmendur në këtë drejtim
janë ato që zbukurojnë vazot
me fund të ngushtë (situlat) prej
bronzi të zbuluara në krahinat veriore
të Ilirisë. Nga kafshët e egra
më tepër çmoheshin derri, dreri
etj. Ky i fundit u jepte gjahtarëve ilirë
jo vetëm mishin dhe lëkurën,
por edhe brirët prej të cilëve
ata punonin vegla të ndryshme dhe zbukurime.
Të tilla vegla ndeshen shpesh nëpër
vendbanimet ilire të periudhës së
hekurit.
Deti, liqenet si dhe lumenjtë, që
e përshkonin Ilirinë në drejtime
të ndryshme, u dhanë mundësi
banorëve pranë tyre të merreshin
që herët edhe me peshkim. Këto
burime ujore përmbanin sasi të shumta
peshku. Kështu, p.sh. ilirët që
jetonin pranë liqenit Prasiada të
Peonisë, zinin, sipas Herodotit, shumë
peshk.
Përparime të dukshme vihen re edhe
në metalurgji. Kjo duket si në intensifikimin
e nxjerrjes së mineraleve, ashtu dhe në
zgjerimin e madh të prodhimit të objekteve
metalike. Nëpër vendbanimet dhe në
varrezat ilire të kësaj kohe gjejmë
sasira të konsiderueshme armësh dhe
veglash prej hekuri dhe bronzi, orendi të
ndryshme shtëpiake dhe një mori të
madhe shumë të larmishme stolish,
të cilat tregojnë pa dyshim për
një konsum të madh të lëndës
së parë minerare, sidomos të
bakrit dhe të hekurit, me të cilët
ishte i pasur territori i Ilirisë.
Në shek. XI-IX p.e.sonë
ilirët nuk e zotëronin ende mirë
mjeshtërinë e përpunimit të
hekurit dhe nuk është aspak e rastit
që në varret e kësaj periudhe,
objektet prej hekuri janë shfaqje tepër
të rralla, ndërsa ato prej bronzi,
të cilat në shumë pikëpamje
zhvillojnë më tej traditën e
kohës së bronzit, janë të
shumta.
Vetëm në shek. VIII-VII p.e.sonë
prodhimi metalurgjik i hekurit arrin zhvillimin
e tij të plotë tek ilirët. Ky
metal e zëvendëson në një
masë të ndjeshme bronzin, në
prodhimin e armëve dhe të veglave
të punës, të cilat tani bëhen
më të forta dhe më me rendiment
në punimet e ndryshme bujqësore dhe
zejtare. Ky përmirësim i veglave të
punës çoi për pasojë edhe
në zgjerimin e mëtejshëm të
prodhimit të shoqërisë ilire
të kësaj kohe.
Sendet metalike të kësaj faze të
zhvilluar të epokës së hekurit,
tregojnë se sa përpara kishte shkuar
teknika e punimit të tij. Për këtë
dëshmojnë format e bukura dhe nganjëherë
shumë të përsosura të armëve
dhe sidomos të stolive, të cilat nënkuptojnë
dhe procese pune mjaft të ndërlikuara,
si edhe vetë zbukurimi i pasur gjeometrik
i këtyre objekteve të punuara me mjeshtëri
dhe me një radhitje simetrike të motiveve.
Kjo pasqyrohet më në fund edhe në
vetë trajtimin plastik të figurave
prej bronzi në trajta njerëzish, kafshësh
e zogjsh.
Përpunimi i metaleve ishte përqendruar
kryesisht në qendrat metalurgjike të
Ilirisë. Të tilla ishin në vendin
tonë, p.sh. zona e Mirditës dhe e
Matit, ku janë përcaktuar edhe vendet
e shkrirjes së bakrit, si zona e Kukësit,
ajo e Korçës, e njohur për
punimin e metaleve që në kohën
e bakrit dhe të bronzit etj.
Prania e qendrave të ndryshme për
punimin e metaleve në Iliri duket edhe
në vetë karakterin e diferencuar tipologjik
të prodhimeve të këtyre qendrave.
Në to prodhohej jo vetëm për
të plotësuar nevojat e brendshme të
fisit ose të një krahine më të
madhe, por edhe për t’u përdorur
si mall këmbimi.
Përparime të dukshme vihen re në
këtë kohë edhe në poçeri,
e cila qëndron nga pikëpamja e teknikës,
e formave dhe e trajtimit të dekorit të
saj, më lart se poçeria e epokës
pararendëse të bronzit. Duke filluar
nga shek.VI p.e.sonë, mbase edhe pak më
parë, në krahinat jugore të Ilirisë,
kalohet gradualisht nga punimi me dorë
të lirë i enëve prej balte, në
prodhimin e tyre me çark. Prodhimet e
para i kemi nga vendbanimi i Trenit (shek.VII).
Një pjesë e madhe e poçerisë
vendore të kohës arkaike e zbuluar
në varrezat tumulare të Kuçit
të Zi të Korçës, del e
punuar me çark. Një dukuri e tillë
vihet re edhe në zonën e Matit e të
Kukësit. Futja e teknikës së
re në prodhimin e enëve, bëri
që poçeria të shndërrohet
në një degë të veçantë
zejtarie, me të cilën merreshin mjeshtra
të specializuar në këtë
fushë të prodhimit.
Zhvillimi i madh i degëve
të ndryshme të prodhimit bujqësor
dhe zejtar, bëri që të zgjeroheshin
në këtë kohë edhe më
tepër marrëdhëniet ekonomike
ndërfisnore, si edhe midis popullsisë
ilire dhe atyre të vendeve fqinje ose më
të largëta. Në këtë
drejtim ndihmoi shumë dhe pozita e favorshme
gjeografike e territorit të Ilirisë,
e ndodhur midis botës mesdhetare dhe Evropës
Qendrore, si edhe rrugët e tij të
hapura të komunikimit natyror, tokësor
dhe detar. Këto marrëdhënie pasqyrohen
qartë në prodhimet e ndryshme të
zejtarisë greke apo në imitacionet
lokale të modeleve të tyre, në
stolitë e tipave italikë ose në
qelibarin me prejardhje nga Baltiku. Nga ana
tjetër, stolitë dhe armët tipike
ilire që gjenden në Traki, Maqedoni,
Itali ose në Greqi janë dëshmi
tjetër e gjallë e këtyre lidhjeve
reciproke tregtare që ekzistonin midis
ilirëve dhe vendeve të tjera përreth.
Një zhvillim të madh morën veçanërisht
shkëmbimet tradicionale me Greqinë
sidomos pas shek. VIII p.e.sonë, me themelimin
e kolonive helene në brigjet e Ilirisë.
Shtrirja e territorit të Ilirisë gjatë
brigjeve të Adriatikut dhe të Jonit
krijonte mundësinë për një
hov të madh të lundrimit. Në
fillim të epokës së hekurit ilirët
përshkonin me anijet e tyre të shpejta
ujërat e këtyre deteve duke kaluar
deri në brigjet perëndimore të
Greqisë dhe në ato jugore të
Italisë. Disa prej fiseve ilire, si mesapët
dhe japigët, u vendosën përgjithmonë
në brigjet e Italisë së Jugut.
Shumë aktivë në këtë
veprimtari të hershme lundruese u treguan
sidomos liburnët, të cilët themeluan
edhe vendbanime të veçanta në
ishullin e Korkyrës, si dhe në brigjet
e Gadishullit Apenin.
Lindja e
pronës private dhe diferencimi shoqëror
Përparimet që u bënë
në degët e ndryshme të ekonomisë
gjatë epokës së hekurit sollën
ndryshime edhe në vetë strukturën
e shoqërisë ilire. Baza e këtyre
ndryshimeve u bë prona private, e cila
filloi të shfaqet tek fiset ekonomikisht
më të zhvilluara, në fillim në
blegtori e zejtari e më pas edhe mbi tokën.
Hesiodi, duke folur për kopetë e mëdha
në Helopi, shënon se ato ishin pronë
e njerëzve të veçantë.
Karakteri dhe shkalla e zhvillimit të zejtarisë
dëshmon gjithashtu për praninë
në këtë fushë të pronësisë
private. Dukurinë e pronësisë
për tokën e kemi të dëshmuar
më vonë dhe duket se ajo ndjek një
rrugë më të ngadaltë. Zakoni
i ndarjes së tokës çdo tetë
vjet, që na kumtohet nga Straboni për
dalmatët, është një dëshmi
që tregon se zotërimi periodik i saj
ishte një hallkë e ndërmjetme
në procesin e formimit të pronës
private.
Forcat kryesore të prodhimit të shoqërisë
ilire në këtë kohë ishin
bujqit dhe blegtorët e lirë, anëtarë
të thjeshtë të fisit. Këtyre
u shtohet edhe një shtresë e re, më
e kufizuar, ajo e zejtarëve. Nga ana tjetër,
nga masa e gjerë e popullsisë, fillon
të veçohet si një shtresë
më vete aristokracia fisnore, e cila, duke
u shkëputur nga prodhimi dhe nëpërmjet
përvetësimit të pasurisë
së përbashkët, vihet në
një pozitë të privilegjuar derisa
bëhet dalëngadalë zotëruese
e pronave të mëdha tokësore dhe
blegtorale. Ajo gradualisht mënjanon organet
demokratike të fisit dhe uzurpon pushtetin.
Nga burimet e shkruara më të hershme,
siç është eposi homerik, shihet
se në disa nga fiset ilire ekzistonte,
tanimë, diferencimi shoqëror, të
paktën në shekujt VIII-VII p.e.re
kur u krijuan “Iliada” e “Odisea”.
Duke folur për pjesëmarrjen e ilirëve
paionë në luftën e Trojës
kundër ahejve, Homeri i barazon prijësit
e tyre ushtarakë, që vinin nga “Paionia
pjellore” me prijësit e ahejve dhe
të trojanëve. Kjo pa dyshim flet për
një gjendje sociale pak a shumë të
ngjashme me atë të fiseve fqinje të
Greqisë. Në një vend të
poemës “Odisea” flitet për
Feidonin, prijësin me origjinë fisnike
të thesprotëve, i cili pasi strehoi
dhe mirëpriti në pallatin e vet Odisenë,
gjatë kthimit për në atdhe, përgatiti
një nga anijet e tij të shpejta për
ta dërguar atë në Itakë.
Sipas këtij tregimi mitik, Feidoni përfaqëson
këtu njërin nga krerët që
jetonte në një nga pallatet më
të pasura të thesprotëve. Këta
kishin anijet e veta e njerëz që u
shërbenin.
Shumë kuptimplotë në
këtë drejtim është dhe një
tregim i Herodotit, sipas të cilit, Klistheni,
kur ftoi në Sikione (rreth vitit 570 p.e.sonë)
të gjithë burrat që do ta ndienin
veten të denjë për të pasur
për grua të bijën e tij Agaristën,
midis atyre që u paraqitën tek tirani
qe edhe një farë Alkoni nga Molosia.
Sipas këtij tregimi, ky molosas duhet të
ketë qenë nga një familje princore
ose shumë e pasur, që të pretendonte
për të lidhur krushqi me një
skllavopronar të madh të Greqisë
së asaj kohe, siç ishte Klistheni.
Të dhënat arkeologjike nga varrezat
tumulare të luginës së Drinos,
pellgut të Korçës dhe Ohrit
(Trebenisht), zonës qendrore ilire të
Glasinacit etj., dëshmojnë gjithashtu
se në shek. VIII-V p.e.sonë, diferencimi
shoqëror në gjirin e shoqërisë
ilire ishte bërë mjaft i theksuar
dhe kishte prekur edhe krahinat e thella të
Ilirisë Qendrore e Veriore. Në këto
varreza ndeshen, krahas varreve me inventar
të varfër, edhe varre ku të vdekurin
e shoqëronin armë të kushtueshme,
sende luksi prej ari e argjendi dhe objekte
të tjera të importuara nga viset përreth,
që i takonin shtresës së pasur
të aristokracisë fisnore.
Federatat
fisnore
Zhvillimi i pronës private,
që çoi në thellimin e diferencimit
social, u bë burim konfliktesh në
shoqërinë ilire të shek. VIII-V
p.e.sonë. Në këtë kohë
morën përpjesëtime të mëdha
luftërat ndërfisnore dhe inkursionet
plaçkitëse për det e tokë,
që arrinin deri në Greqi dhe në
brigjet e përtejme të Adriatikut.
Të tillë kanë qenë inkursioni
i enkelejve për plaçkitjen e thesarit
të Delfit ose ato të detarëve
liburnë, të cilët me anijet e
tyre të lehta dhe të shpejta zotëruan
për një kohë brigjet e Adriatikut,
që nga Korfuzi deri në brigjet italike.
Gjendja e krijuar nga këto luftëra
dhe inkursione, që i sillnin aristokracisë
fisnore ilire të ardhura të mëdha,
gjen shprehjen e vet në veprimtarinë
e gjerë të ndërtimit të
vendbanimeve të fortifikuara dhe në
zhvillimin e armatimeve, sidomos të armëve
të reja, siç ishin shpatat, hanxharët
dhe heshtat prej hekuri që janë gjetje
të rëndomta në varret e luftëtarëve
ilirë dhe të mburojave të paionëve,
të përkrenareve e frerëve të
kuajve që përbënin pajisjet e
veçanta të aristokracisë luftarake.
Në procesin e këtyre konflikteve,
fiset e vogla ilire filluan të lidhen dhe
të formojnë gjatë veprimeve të
tyre të përbashkëta në luftërat
agresive ose mbrojtëse, aty nga fundi i
shek.VII p.e.sonë, federatat e para. Një
federatë e tillë ishte ajo e taulantëve,
që nën mbretin Galaur dhe më
pas, gjatë shek. VII-VI p.e.sonë invadoi
disa herë Maqedoninë duke i shkaktuar
asaj dëme të rënda dhe sakrifica
të mëdha në njerëz. Gjatë
shek. VI-V p.e.sonë federata të tilla
formuan edhe disa fise të tjera, si molosët,
thesprotët, kaonët, parauejtë,
orestët, lynkestët, paionët,
dardanët etj.
Në krye të federatës qëndronte
mbreti, i cili në burimet quhet basileus.
Në disa raste si tek kaonët e thesprotët
vendin e tij e zinte një njeri i zgjedhur
çdo vit nga gjiri i fisit sundues të
federatës. Në burimet e fundit të
shek.V vihet re se funksioni i basileut nuk
i takonte më prijësit më të
aftë ushtarak, por ishte bërë
i trashëgueshëm dhe pushteti e autoriteti
i tij ishte rritur mjaft si brenda fisit e lidhjes
fisnore, ashtu dhe jashtë tij. Në
bazë të këtij fuqizimi të
prijësve ushtarakë dhe të basilejve
qëndronte gjithnjë pasuria që
vinte duke u shtuar përherë e më
shumë në sajë të luftërave.
Ata vinin nga shtresa e pasuruar e shoqërisë
fisnore ilire, e cila dallohej nga pjesa tjetër
e popullsisë së thjeshtë. Ajo
e konsideronte si një gjë të
turpshme të merrej me punimin e tokës,
me mbarështimin e bagëtisë, me
prodhimin zejtar etj. Në këto punë
ishin të angazhuar vetëm prodhuesit
e vegjël, masa e gjerë e fshatarëve
të lirë ose gjysmë të lirë.
Zanati më i nderuar për ta ishin lufta,
gjuetia, garat sportive etj., skenat e të
cilave na janë transmetuar përmes
gjuhës së gjallë artistike në
objektet e bronzta të zbuluara në
krahinat veriore ilire apo në kallcat e
Glasinacit.
Në gjysmën e dytë të shek.
V p.e.sonë disa nga federatat ilire kishin
arritur një stad mjaft të përparuar
në zhvillimin e tyre politik. Taulantët,
fiset ilire, fqinje të Maqedonisë
dhe ato më jugore: kaonët, thesprotët
e molosët merrnin pjesë në ngjarje
të tilla politike të historisë
së botës së Mesdheut siç
ishte lufta e Peloponezit.
Taulantët ndërhyjnë me këtë
rast në luftën civile që shpërtheu
në Epidamn në vitin 436 p.e.sonë.
Në këtë luftë ata morën
nën mbrojtje oligarkët e dëbuar
nga demosi i qytetit dhe qenë një
nga ato forca që në aleancë me
Athinën, kundër lidhjes së Peloponezit,
ndihmuan aristokracinë epidamnase të
rikthehet në pushtet. Kjo ngjarje shënoi
një kthesë të rëndësishme
në historinë e kësaj kolonie
greke, sepse fatet e saj do të lidhen paskësaj
gjithnjë e më shumë me botën
ilire.
Dy njoftime të tjera kanë të
bëjnë me ngjarjet e vitit 423. I pari
bën fjalë për kaonët, thesprotët,
molosët dhe disa fise të tjera më
të vogla fqinje të molosëve,
që marrin pjesë nga ana e lakedemonëve
në fushatën për të nënshtruar
Akarnaninë dhe për ta shkëputur
atë nga aleanca me Athinën, fushatë
që përfundoi pa sukses.
Njoftimi i dytë lidhet me luftën që
zhvilluan ilirët e krahinave juglindore
kundër maqedonëve. Fisi ilir i lynkestëve
ishte prej kohësh në konflikt me sundimtarët
maqedonë, të cilët synonin ta
nënshtronin. Gjatë luftës greko-persiane
mbreti maqedon i ndihmuar nga persët kishte
mundur t’u impononte lynkestëve sovranitetin
e tij. Në kushtet e reja të luftës
së Peloponezit, kur shteti maqedon ishte
ende i pakonsoliduar dhe sundimtari i tij Perdika
II përplasej sa në njërën
anë në tjetrën, duke u lidhur
herë me Athinën e herë me Spartën,
mbreti i lynkestëve, Arrabeu, shfrytëzoi
këtë situatë për t’u
shkëputur nga varësia maqedone. Në
përpjekjet e tij për të rivendosur
gjendjen e mëparshme, Perdika kërkoi
ndihmën e aleatit të vet, komandantit
të forcave lakedemone, Brasidës, të
cilit i kishte besuar luftën kundër
Athinës në teatrin halkidik të
veprimeve ushtarake. Një ekspeditë
e fuqishme e përbërë nga forcat
e Perdikës dhe të Brasidës provoi
të thyente Arrabeun me anën e bisedimeve
dhe të bëhej aleat i lakedemonëve.
Por përpjekjet dështuan dhe bashkë
me to dështoi edhe ekspedita kundër
lynkestëve. Në kundërshtim me
vullnetin e Perdikës, Brasida nuk guxoi
të sulmonte dhe vendosi t’i tërhiqte
forcat.
Pak kohë më vonë Perdika e bindi
përsëri Brasidën për një
fushatë të re kundër lynkestëve;
forcat maqedone e ato lakedemone të përbëra
prej 3 000 hoplitësh, 1 000 kalorësish
dhe një numër barbarësh sulmuan
Arrabeun. Por këtë radhë lynkestët
kishin siguruar ndihmën e vëllezërve
të tyre ilirë. Forcat e bashkuara
të ilirëve dhe lynkestëve e shpartalluan
veçmas mbretin maqedon dhe e detyruan
të largohej në pështjellim të
plotë, duke braktisur aleatin e tij. Kështu
Brasida u gjend i rrethuar keq dhe vetëm
me përpjekje të mëdha mundi t’i
shpëtojë forcat e veta nga asgjësimi
i plotë. Kjo luftë ndryshoi krejt
drejtimin që kishin marrë ngjarjet
në frontin halkidik. “I detyruar
nga rrethanat e rënda,- shkruan Tukididi,
- Perdika u përpoq të hynte sa më
parë në marrëveshje me athinasit
dhe t’i hiqte qafe peloponezasit”.
Duke i përshkruar këto
ngjarje të shek. V, Tukididi na ka lënë
edhe një shënim me mjaft interes për
vlerësimin e jetës social-politike
të ilirëve. Prej fjalimit, që
sipas tij Brasida u mbajti ushtarëve të
tij para tërheqjes, ne mësojmë
se shoqëria ilire ruan ende në fundin
e shek.V mbeturina të theksuara të
rendit fisnor. Por midis njoftimeve të
autorëve që bëjnë fjalë
vetëm për inkursionet e ilirëve
dhe atyre të Tukididit, që i përmend
ata si një forcë aktive, pjesëmarrëse
në ngjarjet më të rëndësishme
të kohës, ku luajti ndonjëherë
një rol jo pa rëndësi, ka një
ndryshim të dukshëm. E re në
njoftimet e Tukididit është se lufta
e federatave ilire si në rastin e ndërhyrjes
në luftën civile të Epidamnit,
ashtu dhe në luftën kundër maqedonëve
dhe aleatëve të tyre peloponezas,
nuk kishte më karakterin e një inkursioni
grabitqar, por synime politike të caktuara
dhe kjo nënkupton një stad mjaft të
avancuar të organizimit të tyre politik
qoftë edhe në kuadrin e një federate
fisnore.
I gjithë ky zhvillim social-politik, që
vihet re, veçanërisht tek fiset
ilire të jugut në fund të shek.V
p.e.sonë, pasqyron qartë një
shoqëri, që jetonte etapën e
fundit të organizimit fisnor, atë
kalimtare për në rendin skllavopronar.
Mbi bazën e kësaj shoqërie do
të lindin në fundin e shek. V - fillimin
e shek. IV p.e.sonë formacionet e para
shtetërore ilire.
3. KULTURA ILIRE
Njësia
dhe veçantitë kulturore lokale
Kultura ilire u formua me tiparet
e saj karakteristike që e dallojnë
nga kulturat e popujve fqinjë në periudhën
e zhvilluar të epokës së hekurit.
Ajo ishte një kulturë autoktone që
u krijua në truallin historik të ilirëve,
në procesin e formimit të vetë
etnosit ilir, mbi bazën e zhvillimit të
brendshëm social-ekonomik të shoqërisë
ilire dhe pa dyshim edhe të marrëdhënieve
me popujt fqinjë. Tiparet themelore të
saj janë shprehur në arritjet më
të rëndësishme të ilirëve
në fushën e zhvillimit të tyre
ekonomik e shoqëror, në mënyrën
e të jetuarit dhe të kuptuarit të
botës që i rrethonte, në mënyrën
e të pasqyruarit të kësaj bote
në artin e botëkuptimin e tyre.
Krahas tipareve themelore të përbashkëta
të kësaj kulture, që janë
karakteristike për gjithë truallin
ilir, vihen re edhe veçanti lokale. Në
kushtet e një territori të gjerë,
me larmi të theksuara fiziko-gjeografike,
siç ishte pjesa perëndimore e Gadishullit
të Ballkanit, me lidhje fqinjësie
e marrëdhënie me krahina që i
karakterizonte një zhvillim i ndryshëm
social-kulturor, sidomos i theksuar midis veriut
të prapambetur qendërevropian dhe
jugut më të përparuar egjeo-mesdhetar,
këto ndryshime lokale në kulturë
janë po aq të kuptueshme sa edhe zhvillimi
jo i njëjtë social-ekonomik që
njohën ilirët e kësaj kohe. Të
dhënat arkeologjike dëshmojnë
për ndryshime lokale edhe në aspekte
të veçanta të jetës dhe
të krijimtarisë së ilirëve,
ndryshime të cilat janë thjesht të
karakterit etnografik.
Sipas të dhënave arkeologjike,
në truallin ilir dallohen në epokën
e hekurit disa grupe kulturore: grupi jonik
ose epirot, që përfshin krahinën
e banuar nga kaonët, thesprotët, molosët
dhe fiset e tjera më të vogla të
viseve më jugore; grupi adriatik-jugor
ose taulanto-ardian, që shtrihet në
gjithë ultësirën bregdetare nga
Vjosa në Naretva dhe që banohej nga
këto dy fise të mëdha si dhe
fise të tjera më të vogla rreth
tyre; grupi devollit ose dasaret në krahinën
juglindore të Shqipërisë me qendër
pellgun e Korçës; grupi pelagon
në Maqedoninë Perëndimore dhe
ai paion në atë lindore, grupi i Matit
ose pirust, që përfshin krahinat e
brendshme të Shqipërisë Verilindore
(Mat, Dibër Kukës) dhe ai dardan në
Kosovë; grupi i Glasinacit me qendër
rrafshnaltën me të njëjtin emër
në lindje të Sarajevës dhe rreth
saj, që i përgjigjet krahinës
së banuar nga autariatët; grupi dalmatin,
që përfshin krahinën midis lumenjve
Naretva e Krka; grupi japod në territorin
e sotëm të Likës dhe grupi verior-adriatik
ose liburn, që shtrihej në territorin
midis lumenjve Krka e Zrmanje.
Çdo njeri nga këto grupe kulturore
i përgjigjet kryesisht territoreve të
banuara nga fiset ose bashkimet e mëdha
fisnore ilire. Sa më të afërta
gjeografikisht ishin këto grupe, aq më
të mëdha ishin ngjashmëritë
kulturore midis tyre. Kështu, p.sh., grupi
japod paraqet mjaft paralele me atë fqinjë
liburn. Në Ilirinë Qendrore grupi
i Matit lidhet aq ngushtë me atë të
Glasinacit dhe atë dardan saqë inkuadrohen
me një kompleks të gjerë kulturor
Mat-Glasinac; ndërsa në Ilirinë
e Jugut grupi devollit afron në shumë
aspekte me atë pelagon dhe epirot.
Këto ndryshime dhe ngjashmëri lokale,
që burojnë nga baza e përbashkët
etnike, kushtet herë të përafërta
e herë të ndryshme të zhvillimit
social-ekonomik dhe marrëdhëniet ndërkrahinore,
shkrihen në tërësinë e bashkësisë
kulturore ilire, të cilën e vërejmë
si në gjuhë, ashtu dhe në kulturën
materiale (vendbanimet, veglat e punës,
armët, qeramikën, stolitë etj.)
e atë shpirtërore (artin e botëkuptimin)
të saj, pa kërkuar një unitet
të plotë për këtë shkallë
të zhvillimit të ilirëve. Veçoritë
lokale etnografike në kulturë, ashtu
sikurse dhe ato dialektore në gjuhë,
nuk cenojnë unitetin e kulturës ilire
dhe të bartësve të saj, ato janë
shprehje e larmisë dhe e ndryshimeve brenda
së njëjtës kulturë.
Gjuha
Ilirët flisnin një gjuhë
që dallohej nga gjuhët e popujve të
tjerë të kohës së lashtë
të Ballkanit. Ajo ishte një gjuhë
e veçantë indoevropiane, që
kishte lidhje afërie ku më të
largët e ku më të afërt
me gjuhë të tjera të gadishullit
dhe jashtë tij. Janë konstatuar elemente
të përbashkëta sidomos me trakishten.
Lidhur me vendin e ilirishtes në mes të
gjuhëve indoevropiane është diskutuar
mjaft dhe janë dhënë mendime
të ndryshme.
Një varg dijetarësh të shquar
historianë, arkeologë e gjuhëtarë,
kanë sjellë një sërë
argumentesh historike dhe gjuhësore për
origjinën e shqiptarëve dhe të
gjuhës së tyre. Sintezën më
të plotë, të shoqëruar me
vështrimin kritik të mendimeve për
origjinën e gjuhës shqipe, e ka dhënë
gjuhëtari i shquar prof. Eqrem Çabej,
i cili ka sjellë dhe argumentet e tij shkencore,
në mbështetje të tezës ilire.
Disa nga argumentet e parashtruara prej tij
janë këto:
Shqiptarët banojnë sot në një
pjesë të trojeve, ku në periudhën
antike kanë banuar popullsi ilire; nga
ana tjetër, në burimet historike nuk
njihet ndonjë emigrim i shqiptarëve
nga vise të tjera në trojet e sotme;
një pjesë e elementeve gjuhësore:
emra vendesh, fisesh, emra njerëzish, glosa,
etj., që janë njohur si ilire, gjejnë
shpjegim me anë të gjuhës shqipe.
Format e toponimeve të lashta të trojeve
ilire shqiptare, të krahasuara me format
përgjegjëse të sotme, provojnë
se ato janë zhvilluar sipas rregullave
të fonetikës historike të shqipes,
d.m.th. kanë kaluar pa ndërprerje
nëpër gojën e një popullsie
shqipfolëse; marrëdhëniet e shqipes
me greqishten e vjetër dhe me latinishten,
tregojnë se shqipja është formuar
dhe është zhvilluar në fqinjësi
me këto dy gjuhë këtu në
brigjet e Adriatikut dhe të Jonit; të
dhënat arkeologjike dhe ato të kulturës
materiale e shpirtërore, dëshmojnë
se ka vijimësi kulturore nga ilirët
antikë te shqiptarët e sotëm.
Nga të gjitha këto
argumente, del si përfundim se teza e origjinës
ilire të gjuhës shqipe, është
teza më e mbështetur nga ana historike
dhe gjuhësore. Nga ilirishtja e Ballkanit
gjer tani nuk është gjetur gjë
e shkruar dhe është menduar se nuk
ka qenë e shkruar. Dëshmohet e shkruar
mesapishtja e Italisë Jugore, që është
mbajtur e mbahet përgjithësisht si
një degë e ilirishtes, në njëfarë
mase si një dialekt i saj i zhvilluar më
tej në kushtet e një veçimi
prej disa shekujsh nga trungu i saj gjuhësor
kryesor. Prej saj kemi rreth 2 000 mbishkrime
të shkruara në një alfabet grek
(dorik) me disa ndryshime për të riprodhuar
disa tinguj të posaçëm të
gjuhës së tyre. Një mbishkrim
i Kalasë së Dalmaces afër Pukës,
që për dekada të tëra qe
mbajtur si i vetmi mbishkrim ilir, u provua
nga gjuhësia e re shqiptare se nuk ishte
tjetër veçse një mbishkrim
greqisht i shek. VI-VII. Nëse do të
kurorëzohen me sukses përpjekjet që
po bëhen për leximin e një mbishkrimi
të Muzeut të Shkodrës me prejardhje
nga Dobraçi, shkruar me një alfabet
të panjohur dhe të një mbishkrimi
të gjetur në Bugojë të Bosnjës
Perëndimore, mund të sillen të
dhëna të reja e të hapen perspektiva.
Zbulimet e mëtejshme arkeologjike mund
të japin ndonjë tekst ilir të
shkruar me alfabet të veçantë
ose me alfabet grek a latin. Gjuhët greke
dhe latine që hynë më parë
në Iliri si gjuhë kulture, tregtare
ose si gjuhë zyrtare administrative, nuk
u bënë kurrë gjuhë të
të gjithë popullit, i cili vazhdoi
të ruajë në jetën e tij
të përditshme të folmen amtare.
Njoftimi i historianit grek të shek. II
p.e.sonë, Polibit, për bisedimet e
mbretit Gent me delegatët maqedonas përmes
përkthyesit që njihte ilirishten,
dëshmon se kjo gjuhë u praktikua edhe
si gjuhë zyrtare deri në fund të
jetës së pavarur politike të
ilirëve.
Nga gjuha e ilirëve kanë
mbetur disa materiale, por që nuk janë
të mjaftueshme: elemente leksikore shumë
të pakta të së folmes së
përditshme përbërë nga disa
glosa ilire, dhe sidomos një numër
i madh (rreth 1 000) emrash të përveçëm,
emra personash, perëndish, fisesh, vendesh
dhe disa emra lumenjsh e malesh. Fjalët
ilire i kemi në formën që na
janë dhënë prej autorëve
grekë e latinë, jo në formën
autentike të tyre. Ndër ato fjalë
mund të përmenden rhinos = mjegull,
sabaia = birrë meli etj. Emrat e përveçëm
ilirë që na janë transmetuar
në burimet e shkruara antike (autorë
grekë e latinë, mbishkrime greke e
latine, monedha të territorit ilir) përbëjnë
materialin kryesor që kemi prej ilirishtes
së Ballkanit. Ato lejojnë që
të nxirren disa elemente të fjalëformimit
emëror të ilirishtes e ndonjë
tipar fonetik i saj, ndonjë element i leksikut
të saj dhe material krahasimi me gjuhët
e tjera indoevropiane, po nuk japin mundësi
të njihen gramatika dhe leksiku i saj.
Studiues të ndryshëm kanë përcaktuar
si ilire edhe një numër fjalësh
të ndeshura në gjuhët e tjera
të lashta ose në gjuhët e sotme
të Evropës, duke i marrë ato
si huazime nga ilirishtja ose si të trashëguara
prej saj. Shumica e tyre janë të diskutueshme,
po disa kanë gjasa vërtetësie.
Ndër to përmendim: lat. mannus = kalë
i vogël, krhs. shqipen maz/mëz; gr.
balios = i bardhë, me pulla të bardha,
krhs. shqipen balë; gr. kalibe = kasollë;
disa fjalë pararomane etj.
Material më të pasur
jep mesapishtja e Italisë Jugore. Prej
saj kanë ardhur një numër mbishkrimesh
zakonisht të shkurtra e shpesh fragmentare
të shek. VI-I p.e.sonë, që japin
edhe fjalë, trajta e ndonjë frazë,
përveç emrave të përveçëm
që përmenden në to, por që
janë kuptuar dhe shpjeguar deri më
sot në një masë të vogël.
Kemi disa glosa si brendon = bri, bilia = bilë,
bijë etj., dhe shumë emra të
përveçëm njerëzish, fisesh
e vendesh.
Janë vënë re gjithashtu edhe
bashkëpërkime të rëndësishme
midis mesapishtes dhe shqipes në sistemin
fonetik dhe gramatikor, si p.sh. reflektimi
i |o|-së së shkurtër indoevropiane
në |a|, evolucioni ?|-m|>|-n| i mbaresës
së rasës kallëzore njëjës
të emrave në të dyja këto
gjuhë etj.
Arti dhe
botëkuptimi
Arti ilir në periudhën
e hershme të hekurit karakterizohet me
stilin e tij dekorativ të theksuar të
epokës së bronzit, por lulëzimin
e arrin në fillim të epokës së
plotë të hekurit, d.m.th. rreth shek.
VIII-VII p.e.sonë në kushtet e zhvillimit
të mëtejshëm ekonomiko-shoqëror
të ilirëve. Kjo vihet re qartë
sidomos në grupin e kulturës së
Devollit, në atë të Mat-Glasinacit
etj. Ky stil zbukurimi, i aplikuar jo vetëm
në objektet e veçanta metalike,
kryesisht prej bronzi dhe në qeramikë,
por edhe në materialet që nuk i rezistuan
kohës si në dru, kockë etj.,
përfaqësohet nga një gamë
e pasur figurash gjeometrike, si rrathë
të veçantë e bashkëqendrorë,
rombe e trekëndësha me fusha të
zbrazura ose të mbushura me vija paralele
etj., të kompozuara me një fantazi
të zhvilluar dhe në një sistem
rigorozisht simetrik.
Ky stil do të jetojë në të
gjitha periudhat e veçanta të zhvillimit
dhe të dobësimit të tij, deri
në fund të periudhës së
hershme të hekurit, duke përbërë
kështu bazën kryesore dhe më
të qëndrueshme të koncepteve
estetike të ilirëve në përgjithësi.
Arti figurativ në Iliri u zhvillua më
vonë; atë e shohim të përfaqësuar
në figura njerëzish dhe kafshësh
të trajtuara skematikisht ose në mënyrë
të stilizuar si dhe në objekte të
tjera, si art dekorativ i ndërthurur me
motive gjeometrike.
Nga shek.VI p.e.sonë tek
fiset e Ilirisë së Veriut nën
ndikimin e fuqishëm të kulturave mesdhetare
dhe në kornizën e lidhjeve të
shumëfishta të popullsive përreth
Adriatikut Verior, lindi një art i pasur
figurativ, shprehjen më të lartë
të të cilit e gjejmë tek situlat
liburne e tek urnat japode. Në një
stil të pjekur arkaik të kohës
janë paraqitur në këto monumente
pamje nga jeta e përditshme e ilirëve,
në mënyrë të veçantë
e shtresave të pasura të shoqërisë
së tyre, midis të cilave skena argëtimesh,
siç është rasti i një
valleje grash lidhur dorë për dore,
apo i një procesioni funeral, ku përcjellja
është dhënë nëpërmjet
një vargu të gjatë kurorash luftarake
dhe kalorësish që marrin pjesë
në ceremoninë solemne. Në raste
të tjera paraqiten skena luftimesh, gjuetie,
mundjeje etj. Këto manifestime artistike,
megjithëse të ndikuara nga pikëpamja
e stilit dhe e karakterit tregimtar të
ornamentit prej artit arkaik grek dhe ai etniko-italik
përsa i përket paraqitjes së
figurave, motiveve reale dhe përmbajtjes
së tregimit, kanë mjaft elemente vendëse,
që tregojnë për natyrën
vendore të prodhimit të shumë
prej tyre. Në këtë drejtim përveç
vlerave artistike, këto monumente përbëjnë
edhe një burim historik të dorës
së parë për njohjen e jetës
dhe të koncepteve të shoqërisë
ilire në shek. VI-V p.e.sonë.
Përsa u përket besimeve
të ilirëve të epokës së
hekurit, ato nuk ndryshonin prej atyre të
epokës së bronzit. Një rol të
madh vazhdon të luajë kulti i tokës
mëmë i lidhur me pjellorinë e
saj dhe me zhvillimin e bujqësisë
në përgjithësi. Shumë e
përhapur tek ilirët ishte heliolatria
(adhurimi i diellit). Gjurmët e shumta
të saj shprehen përmes motiveve të
ndryshme, që zbukuronin objektet e veçanta
dhe që në mënyrë grafike
simbolizonin diellin. Të tilla ishin, p.sh.:
rrathët bashkëqendrorë, svastikat,
spiralja etj. Ky kult diellor tek ilirët
shprehej dhe përmes varëseve të
ndryshme në formë kali, kaprolli,
zogu etj.
Një kult tjetër shumë i zhvilluar
tek ilirët, sidomos tek ata të krahinave
jugore, ishte dhe gjarpri si simbol i pjellorisë
si totem, si qenie mbrojtëse nga syri i
keq (apotropeike) etj.
Vendosja e varreve në tuma përreth
një varri më të hershëm
të pasur dhe qendror, si dhe shoqërimi
i të vdekurit në varr me objekte të
ndryshme, tregon se tek ilirët e periudhës
së hershme të hekurit ishte i zhvilluar
dhe kulti i të parëve, si edhe besimi
mbi jetën e përtej varrit.
Ilirët besonin edhe në ekzistencën
e fuqive mistike, që rronin midis tyre
dhe u shkaktonin njerëzve sëmundjet
dhe fatkeqësitë e tjera shoqërore.
Për t’i larguar këto të
këqija, ilirët sajuan forma të
ndryshme varësesh (amuleta), me karakter
apotropeik etj.
4. KOLONITË HELENE
TË BREGDETIT ILIR
Themelimi
i kolonive helene dhe marrëdhëniet
me botën ilire
Vendosja e kolonive helene në
bregdetin ilir është pjesë e
drejtimit të lëvizjes kolonizuese
helene, në të cilën më aktiv
u tregua Korinthi. Kjo dukuri u zhvillua, nga
njëra anë, me shtytjen e faktorëve
ekonomikë e shoqërorë të
metropoleve dhe, nga ana tjetër, qe një
hap i mëtejshëm në përfshirjen
e zonave ilire në sferën e ekonomisë
së Mesdheut. Kolonitë më të
hershme u vendosën në tokat e Ilirisë
së Jugut. Këto zona të banuara
nga ilirët kishin marrëdhënie
tregtare me vendet e Greqisë që nga
epoka kreto-mikene. Kjo tregti fitoi një
bazë më të gjerë në
kushtet e shthurjes së rendit fisnor tek
ilirët. Vendosja dhe zhvillimi i mëtejshëm
i kolonive ka qenë pasojë e këtij
procesi. Në fillim u vendosën pranë
vendbanimeve ilire pikat tregtare, të cilat
me zhvillimin e mëtejshëm të
marrëdhënieve me brendatokën
ilire u populluan nga grupe kolonistësh
helenë dhe u kthyen në qendra të
shpërngulurish (apoike) të metropoleve
greke.
Kolonia më e hershme u vendos në vitin
737 në ishullin e Korkyrës, që
banohej atëhere nga liburnët. Nga
këtej një valë kolonistësh
u vendosën në Dyrrah (627 p.e.sonë,
ka shumë gjasë edhe më herët).
Apolonia, e cila u themelua në vitin 588,
ngjan të ketë qenë populluar
nga kolonistë të ardhur nga Dyrrahu.
Për gjithë kohën antike midis
dy qyteteve u mbajtën lidhje të ngushta
ekonomike dhe politike, që janë karakteristike
për marrëdhëniet midis metropoleve
dhe apoikeve. Në të njëjtën
kohë me Apoloninë u formua nga banorët
të ardhur nga Eubea edhe kolonia helene
në Orik, e cila për vetë mundësitë
e kufizuara të kontakteve me prapatokën
ilire nuk arriti kurrë rëndësinë
ekonomike, as edhe famën e dy kolonive
të tjera. Kaluan edhe dy shekuj të
tjerë derisa kolonistët helenë
të ardhur nga Parosi, Sirakuza e Sicilisë
dhe Knidi të vendoseshin në ishujt
e Ilirisë së Veriut, ku themeluan
Faron (sot Hvar), Isën (sot Vish) dhe Korkyrën
e Zezë (sot Korculla).
Në fillimet e veprimtarisë
së kolonive peshën kryesore në
ekonomi e zinte tregtia tranzite. Nga tokat
ilire merreshin prodhime bujqësore, lëndë
druri dhe minerale për nevojat e metropoleve,
kundrejt shkëmbimit mall me mall me prodhime
të zejtarisë.
Por në shek.V p.e.sonë kolonitë
e bregdetit ilir nuk janë më shtojca
të ekonomisë e furnizuese të
thjeshta lëndësh të para të
qyteteve mëma. Prodhimi lokal, i mbështetur
kryesisht në shfrytëzimin e punës
së skllevërve, arrin në këtë
periudhë një shkallë të
tillë zhvillimi saqë ishte në
gjendje të mbulonte jo vetëm kërkesat
e popullsisë së këtyre qyteteve,
por edhe të botës ilire përreth,
gjallëruese dhe nxitëse e drejtpërdrejtë
e këtij zhvillimi. Importimet nga qytetet
mëma dhe Greqia u kufizuan kryesisht në
sendet e luksit dhe në veprat e artit.
Dyrrahu dhe Apolonia vepronin tani si njësi
ekonomike krejt të pavarura, duke e shprehur
këtë edhe në prerjen e monedhave
të tyre të veçanta.
Zejtaria u orientua nga prodhimi i sendeve të
konsumit të gjerë: qeramika, veglat
e punës, armët që hidheshin në
tregun e brendshëm dhe në atë
të prapatokës. Punishtet e prodhimit
të gjerë të enëve prej balte,
të tjegullave e të tullave, të
punimit të gurit etj., ishin prona të
skllavopronarëve dhe kishin karakterin
e ergasterive antike.
Në marrëdhëniet
tregtare me botën ilire, veç prodhimeve
bujqësore e blegtorale, lëndës
së drurit për ndërtimin e anijeve
dhe skllevërve, për të cilat
tregu grek kishte mungesë, vëmendja
e kolonistëve u përqendrua në
pasuritë minerale të Ilirisë
së Jugut. Në shkrirjen dhe në
përpunimin e hekurit, të bakrit dhe
të argjendit, ilirët kishin një
përvojë shekullore, nga e cila përfituan
edhe kolonistët. Veçanërisht
eksportimi i argjendit që nxirrej nga minierat
e pirustëve dhe të Dardanisë,
u bë një nga burimet kryesore të
pasurimit e të lulëzimit të dy
kolonive të mëdha, Dyrrahut dhe Apolonisë.
Ai eksportohej kryesisht në formën
e monedhave, të cilat gjetën një
përkrahje të gjerë në krahinat
e afërta dhe të largëta ilire.
Për të nxjerrë fitime sa më
të mëdha nga marrëdhëniet
tregtare me ilirët, sidomos nga tregtia
me shumicë e lëndëve të
para, e gjithë kjo veprimtari kryhej nëpërmjet
një përfaqësuesi të veçantë
të kolonive, të quajtur poleti.
Duke qenë se Dyrrahu dhe Apolonia ishin
qendra zejtare e tregtare, bujqësia e blegtoria
zinte në to një vend të dorës
së dytë. Në rrethet e afërta
të qytetit pronarët e pasur kishin
tokat e kullotat e tyre me sipërfaqe e
prodhim të kufizuar, sepse kufiri me ilirët
nuk shtrihej shumë larg mureve të
qytetit.
Rendi shoqëror
dhe organizimi politik
Që në fillim në
kolonitë helene të bregdetit ilir
u vendos mënyra antike e prodhimit. Në
ndarjen e shoqërisë në kolonitë
rol të veçantë luante prejardhja
shoqërore dhe etnike e njerëzve. Në
kushte më të privilegjuara ishte shtresa
me prejardhje aristokrate, që kishte qenë
shpesh përkrahëse e themelimit të
kolonive. Përbërja shoqërore
e shtresave të lira ishte e larmishme.
Krahas të mërguarve, për arsye
politike gjatë luftërave të demosit
me aristokracinë në metropole, kishte
fisnikë të varfëruar, zejtarë
të zhveshur nga mjetet e prodhimit, fshatarë
të shpronësuar, tregtarë e detarë.
Kjo masë e popullsisë shtohej vazhdimisht
si rrjedhim i dyndjeve të herëpashershme
nga metropolet. Në Dyrrah një kontingjent
i madh njerëzish të tillë erdhi
në gjysmën e dytë të shek.V.
Në Dyrrah e në Apoloni
shtresa e skllevërve përbënte
forcën kryesore të fuqisë punëtore.
Ajo ndahej në tri kategori: në skllevër
të qytet-shtetit skllavopronar, të
cilët punonin në punishtet e tjegullave
dhe të tullave, në thyerjen, transportimin
dhe në skalitjen e gurëve, në
përpunimin e metaleve e në prerjen
e monedhave, pra në punët më
të rënda. Të shumtë ishin
edhe skllevërit privatë që përbënin
kategorinë e dytë, të cilët
përveç ergasterive shërbenin
edhe në ekonomitë shtëpiake.
Një pjesë të popullsisë,
gjithmonë në rritje, e përbënin
“të huajt”, kategoria e tretë
ose banorët me origjinë ilire. Këta
në dhjetëvjeçarët e parë
ishin të privuar nga të drejtat shoqërore
dhe politike.
Në përputhje me këtë
përbërje shoqërore të popullsisë,
rendi politik në Apoloni e Dyrrah kishte
në fillim karakter oligarkik. Pushteti
i takonte një pakice me prejardhje aristokrate.
Shumica dërrmuese e popullsisë, ashtu
edhe ilirët, duke mos bërë fjalë
për skllevërit, nuk gëzonte të
drejta në qeverisjen e qytetit.
Zhvillimi i vrullshëm ekonomik i Dyrrahut
dhe i Apolonisë në shek.VI-V shoqërohet
me ndryshime në rendin shoqëror e
politik të dy kolonive, si rrjedhim i një
lufte të ashpër sociale e politike.
Me zgjerimin e prodhimit zejtar dhe të
shkëmbimit të mallrave me ilirët
dhe me Greqinë, u pasuruan dhe u forcuan
ekonomikisht shtresat tregtare e zejtare të
kolonive. Këto shtresa dolën tani
si forca të pavarura në arenën
politike kundër grupit oligarkik, me synimin
për të marrë pushtetin dhe për
ta përdorur atë në dobi të
interesave të tyre. Si rrjedhim i kësaj,
në vitin 437 shpërtheu në Dyrrah
një kryengritje e demosit, e njohur në
historinë antike për rolin që
luajti në prag të luftës së
Peloponezit. Në arenën e kësaj
lufte përveç forcave të demosit
dhe aristokracisë, u duk edhe ndeshja e
interesave të Korkyrës, prapa së
cilës qëndronte Athina dhe Korinthi.
Të dyja fuqitë synonin të përfitonin
mundësi më të gjera në tregun
ilir. Gjithashtu në këtë ndeshje
morën pjesë aktive edhe ilirët
fqinjë, të cilët duke ndihmuar
aristokratët e dëbuar nga qyteti,
u radhitën me forcat që përkahnin
Athinën në luftën kundër
lidhjes së Peloponezit.
Rrjedhimi kryesor i luftës civile në
Dyrrah ishte triumfi i plotë i parimit
të ndarjes klasore të shoqërisë,
forcimi i polisit skllavopronar. Pushteti tani
kalon nga rrethi i kufizuar i aristokracisë
skllavopronare në duart e gjithë skllavopronarëve
si klasë. Baza shoqërore e tij u zgjerua
me pjesëmarrjen e shtresave më të
gjera skllavopronare, të pronarëve
të punishteve, të tregtarëve
etj., duke bërë kështu më
të theksuar mënyrën antike të
prodhimit. Që nga kjo kohë u forcua
edhe pozita shoqërore e ilirëve që
banonin në qytet. Një dukuri e tillë
e ngjashme u zhvillua edhe në Apoloni.
Këto ndryshime u pasqyruan
edhe në përbërjen dhe në
funksionet shtetërore. Vendin e krerëve
(fylarkëve) aristokratë, në duart
e të cilëve qe përqendruar pushteti
gjatë regjimit oligarkik, e zuri tani një
organ kolegjial, buleja (këshilli). Anëtarët
e saj mund të ishin jo vetëm nga fisnikët,
por edhe nga shtresat e tjera të skllavopronarëve.
U krijua edhe organi i mbledhjes së përgjithshme
të popullit, helieja. Detyrat kryesore
të saj ishin miratimi i ligjeve, marrja
e vendimeve me rëndësi dhe zgjedhja
e kontrollimi i veprimtarisë së organeve
ekzekutive të qytetit. Me gjithë pjesëmarrjen
e popullit të lirë, edhe ky organ
ishte në duart e skllavopronarëve,
pa praninë e të cilëve helieja
nuk kishte të drejtë të zgjidhte
organet e larta ekzekutive të qytetit.
Nga anëtarët e bulesë në
krye të çdo viti zgjidhej prytani,
i cili ishte funksionari më i lartë
civil i qytetit. Me emrin e tij lidheshin të
gjitha ligjet, dekretet e vendimet me rëndësi
të shpallura gjatë vitit. Me çështjet
që kishin të bënin me mbrojtjen
ushtarake dhe me luftën merrej toksarku,
që ishte komandanti i shigjetarëve.
Sekretarit i binte për detyrë kryesore
të kujdesej për ngulitjen mbi gur
ose mbi tabela bakri të ligjeve, të
dekreteve e vendimeve të marra nga helieja
apo organet e larta ekzekutive dhe t’i
shpallte ato publikisht. Të tre hieramnamonët,
merreshin jo vetëm me çështjet
e kultit, me organizimin e lojërave e të
festave, por me sa duket edhe me çështjet
financiare të qytetit. Veç këtyre
kishte edhe nëpunës të tjerë,
të një rangu më të ulët,
por që në të vërtetë
luanin një rol me rëndësi në
jetën ekonomike. I tillë ishte nëpunësi
i ngarkuar me prerjen e monedhave, i cili kishte
për detyrë të kujdesej si për
sigurimin e lëndës së parë,
ashtu edhe për prerjen dhe shpërndarjen
e monedhave. Mbi drahmet e argjendta emri i
tij vendosej krahas atij të prytanit. Një
funksionar tjetër ishte poleti që
merrej me rregullimin e tregtisë me ilirët.
Kulti fetar ishte në harmoni me institucionet
shoqërore e politike të qytetit. Kjo
duket edhe nga shkrirja e funksioneve fetare
me ato shtetërore (hieramnamonët).
Hyjnitë më të adhuruara në
Apoloni ishin Apoloni, që i dha emrin qytetit,
hyjnesha ilire e brigjeve u unjisua nga kolonistët
me Artemisin; Dionizi ishte hyu i vreshtave
etj. Perënditë kryesore, të cilëve
u faleshin më shumë dyrrahasit, ishin
Zeusi, Dielli dhe bashkëthemeluesi legjendar
i qytetit Herakliu.
Kolonitë helene u vendosën
në Iliri në rrethanat e marrëdhënieve
të ngushta ekonomike me ilirët, që
kushtëzoheshin nga interesat reciproke.
Fuqizimi i mëtejshëm i kolonive përkon
me lindjen e qyteteve ilire dhe me formimin
e shtetit ilir. Tek këta kolonitë
do të gjejnë një bazë për
t’u mbështetur në synimet e
tyre për çlirimin e plotë ekonomik
dhe politik nga metropolet. Nuk kanë munguar
edhe konfliktet midis ilirëve dhe kolonive,
me sa duket, si rrjedhim i shpërdorimeve
të kolonistëve në marrëdhëniet
me ilirët dhe për kufijtë midis
tyre. Këto morën forma të armatosura
në luftën e Apolonisë me qytetin
ilir Thronion rreth mesit të shek.V dhe
në luftën e ilirëve kundër
Isës më 385 p.e.sonë.
Që nga gjysma e dytë e shek. IV p.e.sonë
historia e kolonive helene të bregdetit
të Ilirisë zhvillohet në marrëdhënie
të ngushta me historinë politike të
shtetit ilir dhe në kornizën e saj.