links
KeL - Kosova e lirë www.kosovaelire.com
KeL - Kosova e lirë - www.kosovaelire.com

Radio Dukagjini






"Po iu jap një porosi,
Këmba e huaj keq iu rri,
Nuk durohet gjithë vaji i fëmisë,
Çonu të gjithë në shërbim t'lirisë."

 

 

 

 

 

 

 

 

 


Lëndë dhe tema

Rritet numri i femrave NË KOSOVË që ia marrin jetën vetes

Prishtinë, 14 gusht 2004 (KeL) - Vetëm në javët e fundit, të paktën tri nuse i kanë dhënë fund jetës me vetëdëshirë, pa lënë të paktën asnjë copë letër, në të cilën do t'i tregonin arsyet që i kanë shtyrë drejt vdekjes.
Njëra var veten në litar, tjetra pi helm, e treta gjendet e mbytur në liqe. Fatkeqësisht, sivjet “është në modë” që nuset ta mbysin veten. Vetëm në javët e fundit, të paktën tri nuse i kanë dhënë fund jetës me vetëdëshirë, pa lënë të paktën asnjë copë letër, në të cilën do t'i tregonin arsyet që i kanë shtyrë drejt vdekjes.

E. U. nga Carrabregu i Deçanit ishte martuar në Poberxhë, por vetëm pas disa muaj martese, ishte vetëvrarë. Për pak ditë, ajo priste t'i bashkohej burrit të saj, në perëndim. Sipas familjes së burrit, ajo nuk kishte as më të voglin problem me asnjeri dhe askujt nuk i kishte ardhur ndërmend se një ditë do ta gjenin të varur. Enigmën për vdekjen e saj, ajo e mori me vete në varr.

Një nuse tjetër, në Gjinoc të Therandës, i dha fund jetës duke pirë helm. Vetëm 28 vjeçare, ajo ishte sjellë në spital pa ndjenja jete, si pasojë e helmimit me mjete kimike. Mjekët konstatuan se ajo kishte pirë një sasi varikinë.

Ndërkaq, nusja tjetër, vetëm 21 vjeçare, në Atmaxhë të Prizrenit, i dha fund jetës tragjikisht duke u varur në litar. Nusja, ende pa u bërë nënë, u var në litar në mjediset e shtëpisë ku ishte martuar. Me të parë skenën e tmerrshme, anëtarët e familjes së burrit njoftuan policinë.

Një nënë tjetër e re është gjetur e mbytur në Liqenin e Batllavës, në një fshat afër Podujevës. Familja e saj kishte fajësuar dhëndrin për vdekjen e vajzës së tyre, por familja e burrit kishte deklaruar të mos ketë faj. Motivet e tragjedisë ende nuk janë zbuluar, por tre fëmijët e saj jetimë do të jetojnë përgjithmonë me kujtimin për të ëmën që u gjet e vdekur.

Policia heton vetëvrasjet
Policia në Prizren ka deklaruar se po vazhdojnë hetimet për shkaqet që çuan nusen nga Gjinoci t'ia marrë vetes jetën. Hatixhe Hoxha, njëra nga zëdhënëset e SHPK-së për rajonin e Prizrenit, ka deklaruar se menjëherë pas lajmit, policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe për të konstatuar motivet e ngjarjes, ka intervistuar familjarët e ngushtë të viktimës. Edhe vetëvrasjen e nuses nga Atmaxha po e heton policia. Fatmir Gjurgjeali, zëdhënës i SHPK-së për rajonin e Prizrenit, ka deklaruar se në vendngjarje kanë dalë mjeku i mjekësisë ligjore dhe prokurori publik. Ata kanë konstatuar se nuk ka nevojë të bëhet autopsia e kufomës, kështu që trupi i pajetë i viktimës i është dorëzuar familjes. Ndërkohë, një tentimvrasje ka ndodhur javën e kaluar në fshatin Vraniq të Therandës, kur një grua, për motive deri tash të panjohura, deshi t'ia marrë vetes jetën duke pirë substanca helmuese. Zyrtarë të policisë kanë thënë se bashkëshorti i saj e ka dërguar viktimën në spital dhe gjendja e saj shëndetësore është jashtë rrezikut.

Femrat, më të prirura për t'ia marrë jetën vetes
Sikurse në vendet tjera të Kosovës, edhe në Prizren policia ka raportuar jo rrallë për raste të vetëvrasjeve. Por, duket se ditëve të fundit nuset kanë marrë “primatin” e rasteve të vetëvrasjeve. Brenda tri ditësh, vetëm në rajonin e Prizrenit, dy nuse kanë mbytur veten.

Policia deklarohet se hetimet për vetëvrasjen e nuseve janë duke vazhduar, por gati asnjëherë nuk janë bërë publike motivet që kanë shtyrë njerëzit, pas luftës, që t'ia marrin vetes jetën. Sipas psikologëve, femrat janë më të prirura për t'ia marrë jetën vetes, ndërsa mënyra më “e preferuar” mbetet pirja e lëndëve toksike. Ka pasur raste kur femrat kanë mbytur veten duke pirë sasi të mëdha tabletash, por jo rallë “shpëtimin” e kanë gjetur edhe në helmin për minj. Grindjet në familje, ato të jetës në çift, madje edhe stresi i përditshëm i punës, por edhe i papunësisë konsiderohen nxitësit më të mëdhenj psikologjikë, që i detyrojnë shumë njerëz të vetëvriten. Sipas psikologëve, vetëvrasja konsiderohet largim nga problemet e përditshme.

Gjatë këtij viti - mbi 30 vetëvrasje
Që nga fillimi i vitit 2004, sipas zyrtarëve të policisë, janë vetëvrarë, në mënyra të ndryshme, 32 persona. Për numrin e vetëvrasjeve sivjet prijnë Gjilani dhe Prishtina me nga 9 të vetëvrarë, pastaj Peja me 8 dhe Mitrovica dhe Prizreni me nga 2 të vetëvrarë.

Në vitin 2000 në Kosovë kanë ndodhur 48 vetëvrasje: 6 raste në Mitrovicë, 4 në Pejë, 11 në Gjilan, 10 në Prizren dhe 17 raste në Prishtinë. Në vitin 2001 kanë ndodhur 74 raste: në Mitrovicë 10 raste, në Pejë 19, në Gjilan 8, në Prizren 16 dhe në Prishtinë 21 raste. Në vitin 2002 kanë ndodhur 51 raste: 10 në Mitrovicë, 7 në Pejë, 10 në Gjilan, 14 në Prizren dhe 10 raste në Prishtinë, ndërkaq vitin e kaluar kanë ndodhur 68 vetëvrasje: 6 në Mitrovicë, 16 në Pejë, 15 në Gjilan, 8 në Prizren dhe 23 raste në Prishtinë.

Shërbimi Policor i Kosovës (SHPK) nuk ka ndonjë statistikë se në cili rajon të Kosovës janë vetëvrarë më shumë femra. “Nuk kemi ndonjë statistikë absolute se ku janë vetëvrarë femra më shumë. Kjo për arsye se të dhënat ndryshojnë: një muaj mund të jenë më shumë femra të vetëvrara, muajin tjetër më shumë meshkuj të vetëvrarë”, thotë zëdhënësi i SHPK-së, Refki Morina. I pyetur se sa raste të vetëvrasjeve janë zbardhur nga policia, Morina është përgjigjur: “Asnjë rast... pa ekspertizë mjekoligjore asnjë vrasje nuk mund të zbardhet nga policia, për arsye se shkaqet dhe rrethanat e vetëvrasjes shpeshherë gjenden edhe në letra të ndryshme, të shkruara nga vetë ata që ia marrin vetes jetën. Gjendja etyre sociale, kushtet ekonomike, marrëdhëniet familjare të rënduara, etj., janë rrethanat që ndikojnë që dikush t'ia marrë vetes jetën”. Psikologë kosovarë thonë se përvojat traumatik e gjatë luftës kanë lënë pasoja të shumta psikologjike te kosovarët. Këtë gjendje të rëndë psikologjike e rëndon edhe më tepër situata e rëndë sociale. Po sipas psikologëve, krijimi kushteve për sa më shumë aktivitete të lira, vendet e reja të punës dhe përmirësimi i gjendjes ekonomikosociale do të ndihmonin që të zvogëlohen pakënaqësitë te njerëzit dhe, rrjedhimisht, do të zvogëlohej edhe numri i vetëvrasjeve.

Fenomeni i vetëvrasjeve është mjaft i përhapur edhe në Shqipëri. Kronikat e zeza të gazetave janë të mbushura plot lajme për vetëvrasje - në të shumtën e rasteve të femrave.

Femrat e Elbasanit “e duan” shumë vetëvrasjen
Në Shqipëri, më së shumti vetëvrasje bëhen në Fier, ndërkaq sipas të dhënave zyrtare, 90 për qind e të vetëvrarëve në Elbasan janë femra. Specialistët dhe psikologët e Elbasanit japin alarmin për rritjen e numrit të vetëflijimeve në këtë rajon. Sipas tyre, numri i rasteve është rritur 6 herë në katër vitet e fundit dhe shkak kryesor, sipas tyre, janë traumat e vitit 1997. Sipas statistikave të vitit të kaluar të Organizatës Botërore të Shëndetësisë(OBSH), Shqipëria zinte vendin e tretë për numrin e madh të vetëvrasjeve, pas Kinës dhe Francës. “Për një popullsi të vogël si kjo e vendit tonë, shifrat janë alarmante”, ka thënë para pak ditësh ministri i Rendit, i Shqipërisë, Igli Toska. Ndërkohëm rastet e vetëvrasjes së nuseve janë të shpeshta në Shqipëri. Psh. Hamide Vllaha, 21 vjeçare nga Elbasani, ka konsumuar, javë më parë, një shishe helm. Ajo po punonte në në kopshtin pranë shtëpisë, kur familjarët e kanë parë pa ndjenja dhe e kishin dërguar në spital, por ajo rrugës kishte ndëruar jetë. Vllaha kishte vetëm tre muaj martesë, por zgjodhi t'i jep fund jetës duke pirë një një shishe me rogor(helm i fortë që përdoret për hardhitë e rrushit). Ndërkaq, një vajzë e fejuar, 20 vjeçare, B. Stafo dhe një nuse 27 vjeçare, Dh. Lamco, po nga Elbasani, kanë tentuar t'i japin fund jetës- njëra me herbicide dhe tjetra me tableta.

Nusja kishte gëlltitur përnjëherë dy kuti me tableta “Paracetamol”. Ndërkaq, Shqipëria ishte tronditur nga vetëvrasja e një nuseje vetëm 15 vjeçare, në qershor të vitit 2002. Ajo ishte martuar vetëm një vit para se të vetëvritej.

”TELEVIZIONI VETËVRASËS”

Ndikimi i televizionit konsiderohet vrasës nga psikologët. Në jo pak raste “vrasëse” bëhen telenovelat, ku njerëzit, sidomos adoleshentët, kërkojnë dashuritë e përsosura apo princin e kaltër në kalin e bardhë”, pësojnë trauma, që i çojnë ata deri në vetëvrasje. Në Shqipëri, një adoleshente ka tentuar disa herë të vetëhelmohet pasi ka dështuar në dashuri, ndërkohë që dy fëmijë të tjerë, edhe këta në ndikimin e filmave, pasi kanë marrë nota negative në shkollë, u kanë thënë prindërve se donin t'i jepnin fund jetës, njësoj si një personazh i një filmi mjaft të ndjekur.

Në Kosovë, ku telenovelat janë kthyer në“sëmundje”, nuk përjashtohet mundësia që ndonjë vetëvrasje të jetë ndikuar edhe nga ngjarjet në serialet si “Kloni” ose “Për ty”, por ende asgjë nuk është deklaruar zyrtarisht. Sidoqoftë, burime të policisë në Prishtinë kanë deklaruar se janë shtuar grindjet në mes të bashkëshortëve, për shkak të ngjarjeve të servuara në telenovela.

Mosmarrëveshjet janë shtuar sidomos gjatë këtyre ditëve, qysh se ka filluar Kampionati Evropian i Futbollit, kur seritë e preferuara gratë nuk mund t'i shohin me rregull, pasi që burrat duan të shohin futboll.

Fenomenin “televizioni vetëvrasës” e shpjegojnë edhe psikologët. “Kjo njihet në psikologji me botën e modeleve apo të tipeve, pra dikush merr si model jete një person të caktuar dhe në rast se nuk arrin që ta arrijë atë që dëshiron, atëherë zgjedh t'i japë fund jetës.

VETËVRASJET NË SHIFRA

Sipas një burimi në internet, vetëvrasja është shkaku i tetë për vdekjet në botë dhe i treti në grupmoshat15-24 vjeç. Në SHBA, një njeri vret veten çdo 20 minuta, ndërkaq në Kinë çdo 3 minuta një grua bën të njëjtën gjë. Gjithashtu, njerëzit me prejardhje aziatike janë shumë më të prirë për të kryer vetëvrasje.

Studimet kanë treguar se ka dhjetë shkaqe kryesore që çojnë në vetëvrasje. Është gjetur se një shkak shumë i zakonshëm është kërkesa për të gjetur një zgjidhje për një problem. Pamundësia për të gjetur një zgjidhje krijon ndjenjën se nuk je i mirë ose në gjendie të bësh asgjë.Vetëvrasjet mund të ndahen në katër grupe: egoiste - në rastet kur personi është ndarë krejtësisht nga shoqëria; anonike - në rastet e një ngjarjeje të menjëhershme, si psh. një rënie ekonomike e papritur; altruistike - në rastet kur personi kryen vetëvrasje për diçka që ka ndodhur në komunitet dhe fatalistike - në rastet kur personi beson se ngjarjet reth tij janë, thjesht, të padurueshme.

Komentoni artikullin/lajmin e mësipërm:
Emri dhe Mbiemri:
E-Mail:
Komenti juaj:  
 
KeL - Kosova e lirë - www.kosovaelire.com
KeL - Kosova e lirë