links
KeL - Kosova e lirë www.kosovaelire.com
KeL - Kosova e lirë - www.kosovaelire.com

Radio Dukagjini






"Po iu jap një porosi,
Këmba e huaj keq iu rri,
Nuk durohet gjithë vaji i fëmisë,
Çonu të gjithë në shërbim t'lirisë."

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Lëndë dhe tema

KUJTESA DHE HARRESA

Prishtinë, 10 qershor 2003 (KeL/William Palmer) - “E kaluara është një vend tjetër: atje gjërat bëhen ndryshe”. Natyrisht deri në një farë mase. Ne rallëherë mendojnë për të kalurën në mënyrë konstante; njerëzit e saj shikohen në fotografitë e vjetra dhe në filmat pa ngjyra, zërat e tyre janë stamposur në librat voluminozë dhe të palexuar. E kaluara është një vend thellësisht jashtë mode, me zëra dhe veshje të pazakonta dhe me ata që ne i harrojmë shpejt, të vdekurit. Për ata, për shumicën e njerëzve, të cilët nuk tregojnë asnjë lloj interesi për të, e tashmja e shkëlqyer është gjithçka që ata dinë. Mbi të gjitha, të jetosh në të tashmen është një formë pavdekësie, vetëm në qoftë se e tashmja mund të mbahet mend për një kohë të gjatë.

Por çfarë kanë bërë në të vërtetë paraardhësit tanë në të kaluarën? Cili version i kësaj të kaluare mbijeton? Vetëm tani ka filluar të dalë ajo histori e tmerrshe e Bashkimit Sovjetik e periudhës nga revolucioni deri në vdekjen e Stalint. Shumica e dëshmitarëve okularë, vikitima të një eksperimenti cinik dhe tërësisht idiot, kanë vdekur. Është e vështirë për demokracitë të fallsifikojnë historitë e tyre, por shumica e historianëve punojnë në përputhje me konservatorizmin bashkëkohor, cilido qoftë ai, dhe ne nuk jemi në gjendje të përcaktojmë realisht se si do të gjykohemi në të ardhmen. Madje edhe e kaluara jonë e afërt është problematike. Për ironi e kemi të vështirë të qeshim me faktin se optimizmi me të cilin ne prisnim mijëvjeçarin e ri, u zhyt shpejt në parashikimet tona rreth të ardhmes së afërt. Kjo është e ardhmja e Perëndimit. Ndoshta ne duhet ta kishim braktisur idenë se as vendet islamike dhe as pjesa më e madhe e botës nuk kishin të njejtin kalendar me ne dhe nuk kishin as festat tona.

Unë e shikoj historinë si romancier dhe jo si historian. Kjo do të thotë se unë shkruaj romane me ngjarje të vendosura në historinë moderne, me personazhe jetën e të cilëve e kam krijuar unë vetë, por jeta e të cilëve është ndikuar në aspekte të ndryshme nga ata njerëz që kanë ekzistuar historikisht. Siç ka shkruar Tolstoi në esenë e tij “Pak fjalë rreth “Luftës dhe Paqes’”, “historiani dhe artisti, në përshkrimin e një epoke historike, kanë funksione krejt të ndryshme”. Për më tepër, duke përshkruar pjesërisht natyrën e asaj që ne mund ta quajmë “histori zyrtare”, Tolstoi analizon mënyrën e trajtimit të saj nga historiani, duke thënë se “në çdo përshkrim të një beteje ka me siguri një gënjeshtër, që buron nga nevoja për të përshkruar me pak fjalë veprimet e mijëra njerëzve . . . që janë objekt i eksitimit më të dhunshëm moral nën ndikimin e frikës, turpit dhe vdekjes”. Për të qënë i drejtë, Tolstoi vazhdon më tej të shprehë humbjen e kujtesës lidhur me pjesëmarrjen reale në betejë, duke vënë në dukje se si vetëm pas disa javësh, të gjitha detajet e hollësishme, me përjashtim të kujtimeve më të gjalla personale, do të humbasin në një farë kujtese kolektive mbi zhvillimin e ngjarjeve.

Si romancier unë jam i pasionuar me çështjet e kujtesës dhe harresës, të rastësisë dhe ndryshimeve, mes personales dhe historikes dhe me presionin që ushtron historia mbi individët, pra me “frikën, turpin dhe vdekjen” për të cilat flet Tolstoi.

Dua të jap një shembull se si romani përpiqet të shprehë të vërtetën. Të tri republikat balltike, Estonia, Letonia dheLituania nuk figuronin në asnjë atlas të periudhës para Luftës së Parë Botërore. Për shekuj me radhë ato kishin qënë provinca të Rusisë. Popujt e tyre jo sllavë, me gjuhët dhe kulturat e tyre, gjithnjë kishin parë drejt perëndimit, duke iu larguar asaj që ata e konsideronin Rusia gjysmë aziatike. Këto vende patën një periudhë 20-vjeçare ekzistence si republika të pavarura mes dy luftrave dhe që prej atëhere e deri në vitin 1992, ato ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik. Përshkrimet e republikave balltike në historitë perëndimore të Luftës së Dytë Botërore janë sipërfaqësore. Aleatët perëndimorë kurrë nuk luftuan për këto vende, çështja që Bashkimi Sovjetik t’i linte ato të lira, nuk u trajtua në marrëveshjet mes Stalinit, Ruzveltit dhe Çurçillit. Që nga ajo kohë, e deri sa populli u ngrit në këmbërë për të fituar pavarësinë kur u përmbys sistemi sovjetik, shumë pak ishte shkruar për këto tre vende.

Lind pyetja, përse duhet të jemi të interesuar për këtë temë të errët dhe të harruar? Stimulin e parë unë e mora nga miqtë e mi të komunitetit polak në Birmingem të pjesës qendrore të Anglisë në fillim të viteve 70-të. Ishte periudha e Brezhnjevit, kur Rusia ishte kthyer në një vend të ngrirë, jo si një tirani mizore e kohës së Stalinit, por si një perandori e korruptuar dhe gati për t’u shembur. Unë kisha gjithashtu edhe një mike angleze, që ishte anëtare e partisë komuniste Britanike. Ajo shkonte shpesh për pushime në Bashkimin Sovjetik dhe kishte një vizion romantik për atë vend, i cili nuk kishte ndonjë farë besueshmërie tek dikush tjetër. Ajo mbeti e shtangur, kur unë i thashë me shaka se Rusia drejtohej nga një tufë gangsterësh arkaikë. Për atë, tregimet e miqve të mi polakë dhe të miqve të tjerë nga Evropa Lindore ishin sajesa, akuza të një shtrese të lartë të privilegjuar me një vizion të ngushtë, që ishin larguar nga vendet e tyre kur ato kishin nevojë.

Në fakt, në letërsinë perëndimore të asaj periudhe, që pothuajse gjithmonë shprehej me simpati për sovjetikët, kur vihej në qarkullim nga botues me reputacion, imigranti ishte një figurë komike e shprehur në kontin rus, që shërbente si shofer taksie në Paris apo New York, ose një njeri fatkeq dhe disi i dëshpëruar, që i përkiste qeverive të dështuara në mërgim, me intrigat e tyre pakuptim dhe politikat fashiste. Polakët dhe të tjerët që unë njihja, atëhere ishin në moshë të mesme dhe tani ose janë shumë të moshuar ose kanë vdekur. Një grua më pati thënë se kishte qënë mësuese shtëpijake e shkencave në vitin 1939 kur Rusia pushtoi pjesën lindore të Polonisë, sipas marrëveshjes që ajo kishte me nazistët. Ajo ishte internuar në Siberi dhe ishte mbyllur në një kamp pune ku bënte punë të detyruar. Në vitin 1944 ajo ishte liruar së bashku me polakë të tjerë që i kishin shpëtuar shtypjes ruse. Ajo kaloi përmes Gjeorgjisë, në atë, që në atë kohë, quhej ende Persi dhe më pas në Afrikën e Veriut, për t’u bashkuar me armatën e tetë britanike, për të luftuar më pas në Itali dhe Francë para se të mbërrite në Angli. Siç më pat thënë ajo, kjo histori mund të ishte treguar në forma të ngjashme nga qindra mijra njerëz të tjerë që kishin patur një përvojë të tillë.

Shumë vjet më vonë, në vitin 1987, duke menduar për miqtë e mi, unë fillova të shkruaj një roman për një çift imigrantësh, që jetonte në Angli në vitet 80-të. Tani është një nga rregullat e shkrimit të romaneve, ose të paktën kështu ka qënë, që të mos përdoren në to ngjarje dhe personazhe reale miqsh. Dy personazhet e mi ishin një çift i vetmuar intelektualësh, që jetonte në Londrën konservatore, diskriminuese e qesharake theçeriane. Ata nuk ishin polakë, pasi unë iu largova miqve të mi, por imigrantë nga një prej republikave balltike. Në atë kohë, në perëndim po vinin lajmet e para për demonstratat anti-sovjetike në Riga. Po ashtu në Britaninë e Madhe kishin filluar lëvizjet për të nxjerrë para drejtësisë kriminelët e luftës, që ishin arratisur nga vendet balltike pas luftës dhe ishin strehuar atje. Mua më mahnitën vendet balltike për arsye të pozitës së tyre të veçantë dhe tragjike në gjeografi dhe histori, të ndrydhur mes Gjermanisë monstruoze naziste dhe Rusisë sovjetike. E kam ditur se, një kronikë ngjarjesh, mund të marrë formën e një romani, rreth një vendi, historia e të cilit, dukej ndonjëherë aq e ngatëruar dhe e vështirë, si dhe vetë romani. Por për të shkruar një roman më duhej të krijoja vendin e ngjarjeve, “Republikën e Mirë”, siç ia vura titullin librit. Një republikë që nuk ekzistonte në të vërteë, por që për mua ishte një vend, që në të vërtetë shtrihej mes kufijve realë. Si vend ajo kishte elemente nga Estonia dhe Lituania, por frymëzimi buronte kryesisht nga Letonia. Sfida e fantazisë për të krijuar një vend imagjinar gjeografikisht, por që kishte histori të ngjashme me vendet balltike, m’u kthye në obsesion.

Kryeqyteti im imagjinar, pa emër, mbështetej pothuajse krejtësisht tek Riga. Ai nuk është Riga, por një qytet që ekzistonte në atë vend dhe në atë kohë, mes viteve 1939-1945. Ngjarja është pak a shumë kjo: Personazhet kryesore, një çift në mërgim, morën një letër në vitin 1988 nga lëvizja për pavarësi, që sapo kishte filluar në vedin e tyre. Pastaj ngjarja zhvillohet në të kaluarën në atë vend, që ndodhej nën pushtimet e njëpasnjëshme të sovjetikëve, pastaj të gjermanëve dhe përsëri të sovjetikëve. U përpoqa të lexoja gjithçka që gjeja, në anglisht dhe gjermanisht, për turnetë me biçikleta të para luftës të anglezëve të marrë sensacionalë, kujtimet e tregtarëve në Tallin dhe Riga, nga ato që ishin në qarkullim, si dhe botime të imigrantëve politikë. Kur lexova dëshmitë që i dhanë pas luftës Komisonit Hoover, individë të tillë si gjenerali Stasys Rastikis, i cili përshkruante shkatërrimin brenda natës të shtetit leton nga Bashkimi Sovjetik, si dhe vrasjet dhe dëbimet, unë ndryshova rrënjësisht. Personazhi im kryesor, Jacob Balthus, kishte qënë një figurë komike, tepër i preokupuar me imazhin e tij, që merrej me politikën e pa kuptimtë dhe të pa shpresë të emigrantëve. Unë e vendosa atë përsëri në të kaluarën e tij dhe në të kaluarën e vendit nga vinte dhe u përpoqa ta përshkruaj si një figurë tragjike dhe moralisht të lëkundshme. Në fakt, vura re se libri që isha përpjekur të shkruaja ishte pa emocione dhe tepër satirik. Pjesën më të madhe të materialit satirik të mbështetur në Londër e hoqa. Balthusin e vendosa në një të kaluar të largët, aq sa unë isha i aftë emocionalisht dhe intelektualisht për ta ralizuar atë. Romani u kthye në historinë e jetës së disa individëve të zakonshëm të shtresës së mesme të inteligjencias së një vendi të largët, që i përkisnin një populli për të cilin ne nuk dimë asgjë, siç shprehej Nevil Çambërleni për Çekosllovakinë në vitin 1938, dhe se si presioni historik dhe politik kishte deformuar dhe shaktërruar jetën e tyre.

Qëllimet e mira nuk duhet të ndikojnë në fakt mbi shkrimtarin (e pse jo?). Ndërsa shkruaj, e kap veten duke menduar për këtë, por kam bindjen se ky ishte një vendim i ndërgjegjshëm nga ana ime, madje që në fillim të novelës, për të vënë në vend drejtësinë në një qoshe të harruar të Evropës që kishte vuajtur së tepërmi. Çfarë drejtësie është e mundur, çfarë shpëtimi historik mund të arrihet për ata njerëz, historintë e të cilëve janë shkatërruar apo rishkruar dhe dëshmitë e tyre thjesht janë injoruar për shumë vjet? Historia që tregojnë personazhet në romanin tim është tragjike. Ata janë përfaqësues të një tragjedie më të madhe. Siç është shprehur dikur Mao Ce Duni, (e kush mund ta dijë më mirë?), “vdekja e një individi është tragjike, ndërsa vdekja e milionave, është thjesht një e dhënë statistikore”. Është detyra e shkrimtarit për të portretizuar individin. Personazhi im kryesor, të cilin hezitoj ta quaj hero, është një njeri që do të bënte një jetë normale me gruan dhe fëmijët, me shëndet të mirë dhe i lumtur, në qoftë se nuk do të kishte qënë nën kontrollin e historisë së kohës së tij. Shumica prej nesh është më me fat, ne kemi mundësi ta shmangim ndikimin e historisë, në se nuk jemi drejt për drejt nën ndikimin e historisë. Por Balthus është. Si regjimi nazist ashtu edhe ai sovjetik, progresivisht dhe me qëllim, i pakësuan zgjedhjet morale të individit. Personazhi im është shtyrë në atë udhëkryq, të cilin poeti D.J. Enright e quan “nevojë për ndihmë dhe dëshirë për shkatërrim”, që janë pjesë e natyrës së dyzuar e të tmershme njerërore.

Vetëm zoti i di se sa të papërballueshme janë tmerret e shekulit të 20-të, prandaj edhe përmenden si satatistika, miliona të shfarosur në gjenocidin nazist, apo nga terrori i çmendur sovjetik. Por shifrat përbëjnë epikën, dimensionet mahnitëse, që nuk na prekin personalisht. Po të mendosh për ta si individë, burra, gra dhe fëmijë, të shpaloset përpara një katalog i tërë vuajtjesh njerëzore.

Ajo që ne mund ta quajmë kujtesë kolektive të një grupi, të një vendi apo të një race, është shpesh e njerëzishme, frymëzuese, patriotike, por për ata jashtë këtij grupi, ajo mund të jetë shpërfillëse, mizore, hakmarrëse por edhe vrasëse. Ky fenomen ndodh në të gjitha llojet e kafshëve, duke përfshirë edhe njeriun. Vetëm në shekullin e 20-të, raste të tilla janë të shumta, në kohë luftërash, në revolucione, apo në fushatat e gjenocidit në Ballkan, në Evropën Perëndimore, në Rusi, në Afrikë apo në Indi, ku qëniet njerëzore kanë masakruar njera tjetrën, për shkak të një cikli hakmarrjesh ndaj njeri tjetrit. Një frenim konstant nga kjo sjellje në çdo grup është mendimi se “nuk ka qënë kështu në të kaluarën”. Gjithmonë ka ekzistuar një parajsë e humbur, kur një grup ka sunduar me pushtet të pakukfizuar. Kjo mund të quhet Sindromë e Kujtesës falso të një familjeje apo të një vendi. Kohët e fundit, duke folur në televizionin britanik, gjatë një diskutimi për azilkërkuesit, një grua tha: “ Unë nuk them se duhet një tjetër holocaust”. Fjala e pathënë “por” tingëlloi e rëndë dhe e tmershme.

Nuk është vetëm vrasësi, nga i cila duhet të kemi frikë. Dhuna e pështirë, mizore dhe e pakuptimtë, e atij, që zakonisht është burrë, trajtohet nga ligji. Por me të vërtetë e frikshme është urrejtja që vlon në qënien tonë, që gjen forcë të madhe në veprimin kolektiv, sikur çdo burim tepër i vogël nga çdo individ, derdhet në një oqean të madh të fshehur. Kujtimet tona të indiferencës dhe ofendimeve të së kaluarës, të imagjinueshme apo jo, mund të shkaktojnë shpesh vrasjet e fqinjëve nga njeri tjetri si në Kroaci dhe në Irlandën e Veriut. Ne duhet të mos harrojmë, të dimë historinë tonë, por pjesë e tragjedisë tonë, është kujtesa e gjallë dhe e pashuar, e gjakmarrjes së vjetër të së kaluarës gjysmë-imagjinare në qoshet e vogla të tokës tonë. Marksi ka thënë se historia përsërit vetveten, së pari duke u paraqitur si tragjedi, së dyti si farsë. Ai nuk përmend vizionin e urryer, që tani paraqitet si përsëritje e tragjedisë.

William Palmer, është një romancier i njohur britanik. Ai ka shkruar shumë për kujtesën historike në Evropën Lindore dhe Qendrore.

Komentoni artikullin/lajmin e mësipërm:
Emri dhe Mbiemri:
E-Mail:
Komenti juaj:  
 
KeL - Kosova e lirë - www.kosovaelire.com
KeL - Kosova e lirë