links
KeL - Kosova e lirë www.kosovaelire.com
KeL - Kosova e lirë - www.kosovaelire.com

Radio Dukagjini






"Po iu jap një porosi,
Këmba e huaj keq iu rri,
Nuk durohet gjithë vaji i fëmisë,
Çonu të gjithë në shërbim t'lirisë."

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Femra shqiptare / Emancipimi

"Feminizmi shqiptar", a ekziston!?

Prishtinë, 02 qershor 2004 (KeL/ Iliriana Shabani) - Feminizmi është një nocion i gjërë por ka vetëm një aspekt: e kjo është të drejta të njejta të gjinive. Pa marrë parasyshë cilës gjini i takon, të drejtat për jetesë duhet të jenë të barabarta. Tek ne shqiptarët, ky nocion për momentin duket se mungon krejtësisht. Një numër i madh i shqiptarëve termin ”feminist” e përdorin në kuptimin ”kodosh”, pra si etiketë e meshkujve që s’kanë tjetër objektiv jetësor veçse t’i ndjekin fustanet. Nga ajo pakicë që e honeps domethënien politike të fjalës, shumica prapë të keqëkuptojnë, meqë mendojnë se lufton vetëm për të drejtat e femrës. Shumica mendojnë se meshkujt nuk bën të jen feministë, mendojnë se ky pikëvështrim u takon vetëm femrave. Kjo është gabim. Kushdo që mendon se njeriu s’guxon të diskriminohet për shkak të seksit, quhet feminist. Dhe feminizmi s’është veçse luftë për çlirim të femrës, por edhe për çlirim të mashkullit nga një mision i shpifur, absurd e idiot.

Shkrimtarja, filozofja dhe feministja e njohur franceze Simonë dë Buvua (Simone de Beauvoir, 1908-1986) në librin e saj të famshëm ”Le Deuxième Sexe” (shqip: ”Gjinia tjetër”) thotë se ”njeriu nuk lind femër, por bëhet femër”. Me këtë, Simonë dë Buvua mendon se kur njeriu lind s’është asgjë tjetër veçse njeri. Si çuni, si goca e posalindur s’kanë ide se kush vlen më tepër për shkak të seksit. Janë prindërit ata të cilët, përmes socializimit, i mësojnë fëmijët se cila gjini vleka më tepër, e cila më pak. Që në ciklin e hershëm të jetesës, prindërit i mësojnë fëmijët - bukvalisht e përmes gjuhës simbolike - se femra s’vlen njësoj si mashkulli.

Qysh nga fëmiria jemi të mësuara ta shohim çupën më ultë, e çunin me lartë. Si të vogla i mësojm vajzat tona, të mos flasin shumë, të mos lazdrohen, të mos vendosin se si dhe me kend të shoqërohen. Ne si prindër vendosim se me cilat lodra të luajnë, p.sh kukulla është një lodër për vajza, kurse makina është për djem; ngjyra e kuqe për vajza, e kaltra për djem. Kjo vlen posaçërisht për kulturat primitive si ne shqiptarët, por vërehet edhe te të tjerët: një studim anglez nga shkollat fillore në vitet 1990 tregonte se nëse vajzat komandohen të folin 30 përqind të kohës gjatë një ore të mësimit, atëhere jo vetëm nxënësit djem e mësuesit, por edhe vet vajzat vlerësojnë se kanë folur 70 përqind të kohës.

Këto janë shembuj se si në ciklin e hershëm të fëmijërisë ne bëjm dallime në gjini. E për më vonë të mos flasim. Kur vie koha e pubertetit acarohen me shumë rregullat, dhe dallimet në mes të vajzës dhe të djalit janë shumë më të rrepta.

Pse djali shkollohet si të dojë, pse ai shoqërohet me femra, pa marrë parasysh racën e religjionin, pse shkon ne diskotekë e kthehet në shtëpi kur të do vet, e martohet me kë të dojë - sepse i ka hije se ”mashkull” është e ”s’na merr fytyrën”. Po vajza s’bën as të shkollohet si të dojë, as të shoqrohet me kë të dojë, as të hyjë e të dalë në shtëpi si të dojë. Kur të martohet le të bëjë ç’të dojë, atëher burri i saj le të vendos (!) se mua nuk ma merr fytyrën më.

E femra e gjorë, kur martohet e merr djalli! Sepse edhe ai mashkull me të cilin është martuar është i edukuar në të njejtën mënyrë.

Disa kanë cekur se ne ”Feministët flasim në përgjithësi për të gjitha femrat, por femrat nuk janë të njëjta, të gjithë janë individë”!?

Kjo është plotësisht e drejtë, dmth se ne jemi individë, pra jemi unikë. Por mos ta harrojm se pa marr parsysh se sa jemi unike, në strukturë na përfshin i njejti problem. Të gjitha vuajmë pak a shumë nga “abuzimet” e “meshkujve të paemancipuar”. (Meqë ra fjala, unë për vete mendoj se emancipimi nuk është obligim i grave, por i meshkujve! Janë meshkujt ata që sillen në forma primitive, andaj ata duhet të ndryshojnë - e jo anasjelltas.)

Feminizmi, pra, është thirrje drejtuar si femrave, ashtu edhe meshkujve: Bashkohuni kundër diskriminimit gjinor. Luftoni patriarkatin, që si mënyrë të vetme primitive për ta promovuar mashkullin e ka ndrydhjen e femrës. Sepse kështu, në një botë të xhuxhëve të ndrydhur, nuk rritet e pjeket mentalisht as mashkulli; sepse kështu shtypen e ndrydhen resurset e gjysmës së njerëzimit: rrjedhimisht, edhe gjysma e resurseve të kombit shqiptar.

Komentoni artikullin/lajmin e mësipërm:
Emri dhe Mbiemri:
E-Mail:
Komenti juaj:  
 
KeL - Kosova e lirë - www.kosovaelire.com
KeL - Kosova e lirë