links
KeL - Kosova e lirë www.kosovaelire.com
KeL - Kosova e lirë - www.kosovaelire.com

Radio Dukagjini






"Po iu jap një porosi,
Këmba e huaj keq iu rri,
Nuk durohet gjithë vaji i fëmisë,
Çonu të gjithë në shërbim t'lirisë."

 

 

 

 

 

 

 

 

 


Aktuale

Qindra mijëra qytetarë i japin lamtumirën e fundit Presidentit Ibrahim Rugova në Kosovën e kapluar nga zia

Prishtinë, 26 janar 2006 (QIK/KEL) - Kosova sot në zi i tha lamtumirën e fundit Presidentit të saj Dr.Ibrahim Rugova, nga disa qindra mijëra njerëz nga mbarë Kosova, Shqipëria dhe viset ku banojnë shqiptarët. Pati sot në Prishtinë edhe shumë delegacione shtetërore nga Evropa dhe bota, të cilat kishin ardhur për të nderuar Presidentin Rugova, si lider historik të Kosovës. Ishin sot të pranishëm në Prishtinë pothuajse të gjithë liderët politikë e institucionalë shqiptarë të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Luginës së Preshevës dhe diasporës, por edhe krijues e intelektualë. Ishin aty edhe shumë përfaqësues të klerit musliman dhe katolikë.
Presidenti Ibrahim Rugova u varros me nderimet më të larta shtetërore dhe kombëtare, në Varrezat e Dëshmorëve në Velani, lagje ku banoi gjatë 15 viteve të fundit, në prani të familjes dhe disa delegacioneve të huaja që shprehën dëshirën të ishin prezente edhe gjatë ceremonisë së varrimit.
Pasi u lëshua trupi i pajetë i Presidentit të prehet në amshim në tokën amnore, tri herë jehuan breshërit e të shtënave nga togu i nderit i TMK-së.
Dhe më pas para varrit të Presidentit së pari nderoi Familja
Rugova, e pastaj edhe personalitete të tjera të huaja dhe të vendit, bashkëpunëtorët shumëvjeçarë të Presidentit Rugova.
Ceremonitë kryesore të funeralit për Presidentin Rugova u zhvilluan
që nga ora 1O,3O, ku arkivoli me trupin e Presidentit Rugova u vendos në palestrën "1 Tetori", ku i bënë roje nderi pjesëtarët e TMK-së.
Gjatë kësaj kohe filharmonia e Kosovës ekzekutoi muzikë funebër.
Pastaj delegacionet e huaja vendosën kurora lulesh dhe bënë homazhe para trupit të Presidentit.

Në fjalimet lamtumirëse personalitete të huaja dhe të vendit folën për jetën dhe veprën e Presidentit Rugova dhe kontributin e tij për çështjen e Kosovës.
I pari foli shefi i UNMIK-ut Sofren Jesen Petersen, i cili tha se Presidenti Rugova la një boshllëk prapa vetes, por edhe një vizion për të çuar Kosovën përpara
"Është dëshmi e rëndësisë së Presidentit Ibrahim Rugova dhe e personalitet të tij kjo që kaq shumë njerëz janë mbledhur sot dhe gjatë ditëve të kaluara. Përkundër të ftohtit, përkundër largësisë, jemi bërë bashkë, me mijëra qytetarë, që t'i themi lamtumirën Presdientit Rugova", tha në fillim të fjalës së tij Kryeadministratori Petersen. Ai nënvizoi se Presidenti Rugova i tregoi botës, që nganjëherë dinte të ishte indiferente për vuajtjet e Kosovës.
"Tani bota nuk është më indiferente. Sot bota ka ardhur tek ai, që së bashku me popullin e Kosovës t'i bëjë respekt dhe t'i japë një lamtumirë të përzemërt", tha Petersen.
"Të gjithë ata që patën rastin ta takojnë Presidentin Rugova janë prekur nga ngrohtësia e tij, nga urtësia e tij dhe nga përkushtimi i tij. Ai ishte i paluhatshëm në besimet e tij dhe këmbëngulës në metodat e tij. Gjatë tërë jetës ai mbeti i përkushtuar në atë që të përdoren ekskluzivisht mjetet paqësore - duke iu përgjigjur dhunës me vizion".
"Në kohën kur në rajon shumica i ka sytë e kthyer kah e kaluara, Presidenti Rugova ishte gjithmonë i përqendruar kah e ardhmja. Ai e shtroi një rrugë për Kosovën dhe e ndoqi atë i patundur. Rruga e tij shpinte dhe ende shpien drejt një Kosove demokratike, shumetnike dhe të lirë. Një Kosovë që është fuqishëm e integruar në Evropë dhe që mbanë lidhje të forta me Shtetet e Bashkuara, që ai aq shumë punoi t'i ndërtojë", tha kreu i UNMIK-ut.
Petersen theksoi se Presidenti Rugova ia kushtoi jetën një qëllimi politik - por kjo nuk është e tëra. "Ai ishte baba i Kosovës, por ishte edhe baba i një familjeje, dhe për këtë familje, humbjen e të cilës mund ta ndiejmë, por jo edhe ta zëvendësojmë, duhet tash të mendojmë të gjithë".
Duke iu drejtuar me emër anëtarëve të familjes së Presidentit Rugova, Petersen tha: "Ju faleminderit që ndatë me ne burrin tuaj dhe babanë tuaj, me popullin e Kosovës dhe me botën".
Ai vur në dukje se pasionet intelektuale të Ibrahim Rugovës për literaturë dhe gjeologji, "e bënë personalitetin e tij edhe më të gjerë, një shpirt zemërgjerë, që ne të gjithë do ta kujtojmë dhe admirojmë".
Presidenti Rugova la një boshllëk prapa vetes, tha Petersen, por ai la edhe një vizion për të çuar Kosovën përpara.
"Është ky një vizion, përmbushjen e të cilit ai nuk jetoi ta shihte, por që do të realizohet falë unitetit dhe përkushtimit të atyre, që do ta pasojnë. Ky do të jetë përkujtimi i vërtetë për të. Ibrahim Rugova nuk është më me ne. Por kujtimi për të dhe ëndrra e tij do të jetojnë. U preftë në paqe, në dheun e Kosovës që aq shumë e deshi. Lamtumirë, miku im, Ibrahim", tha Petersen.
Ndërsa, kryeministri Bajram Kosumi, tha se emri i Presidentit Rugova, njeriut të bashkimit dhe tolerancës, të mirëkuptimit dhe të forcës intelektuale, të durimit dhe të qëndrueshmërisë, “është i lidhur pashkëputshëm me pavarësinë e Kosovës, të cilën e bëri të njohur kudo në botë".
"Ne bashkarisht do ta shndërrojmë në realitet vizionin e Presidentit Rugova, për një shtet të ri demokratik evropian, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Ky është nderimi më i madh dhe shpërblimi i merituar", tha Kosumi duke uruar që të prehet në qetësi shpirti i Presidentit Rugova.

Ndërkaq Havier Solana, Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të BE-së, në fjalimin e tj rikujtoi miqësinë e gjatë dhe shumëvjeçare me Presidentin Rugova dhe me të cilin është takuar aq shpeshë në ditë të vështira dhe në kohë më të mira. "Ibrahim Rugova ishte i palëkundur dhe i vendosur në përpjekjet e tij, mirëpo ai ishte njeri i paqës, i përkushtuar thellë në arritjen e objektivave përmes metodave jo violente. Dhe për këtë ai ishte i dashur nga populli i Kosovës dhe i respektuar nga e gjithë bota", tha Solana.
Ai e ka vlerësuar vdekjen e Presidentit Rugova si ironi të vrazhdë të historisë. "Vdekja e tij është një humbje e madhe. Dhe njëra nga ironitë më të vrazhda të historisë, ai iu nda nga jeta në momentin kur duhej më së shumti, në momentin kur ai pritej që prej lideri të ndihmonte në zgjidhjen e statusit të ardhshëm të Kosovës", tha Sollana duke shprehur besimin se vepra e Presidentit Rugova do të vazhdojë ta udhëheqë Kosovën. “Duhet shumë punë për t'u bërë dhe nuk ka kohë të humbet. Të gjitha bashkësitë etnike në Kosovë duhet të sigurohen se kanë një të ardhme të mirë dhe të sigurtë. Kjo është mënyra e vetme për të siguruar një vendosje të suksesshme të statusit të Kosovës dhe për të promovuar të ardhmen e saj evropiane. "Dhe jam i sigurtë se kjo është mënyra më e mirë për të nderuar kujtimin për Presidentin Rugova", tha në fund Solana.
Kolë Berisha, nënkryetar i LDK-së, tha se Presidenti Rugova krijon epokën e vet. "Ishte njeriu që lindi në kohë të huaj, por që, me punën e tij intelektuale, politike dhe diplomatike, e shndërroi atë në Epokë të veten", tha ai. "E, çfarë do të duhej të them unë sot për Kosovën – këtë pjesë të Atdheut tonë të rrudhur!? Çfarë duhet të thënë unë sot për këtë tragjedinë tonë gjithëkombëtare? Mbase, këtë më mirë se unë e kushdo tjetër e tha populli, i cili për këto 6 ditë, në temperaturat - 15 gradë, qëndroi në rrugë", tha ai.
Berisha tha se kur Kosova dhe populli i saj përpëlitej për jetë a vdekje, shkrimtarin e ri, por të shquar shqiptar, e thirri zëri i atdheut, që, përkohësisht ta lërë punën letrare dhe të vihet në ballë të popullit. Ai formoi Lëvizjen e parë legale demokratike shqiptare, unifikoi popullin dhe, duke e promovuar për herë të parë në historinë e Evropës, një frymë të re filozofke në politikën e kësaj pjese të Ballkanit dhe të Evropës
"Në këtë janar të kobshëm Kosova e humbi Njerun i cili, me veprimet e tij, i ndërroi rrjedhat e historisë", tha Berisha duke shtuar se këtë janar "të zisë kombëtare, Kosova e humbi arkitektin he strategun e pavarësisë së saj.
Shefi i delegacionit të SHBA-ve, sekretari amerikan për strehim dhe zhvillim urban, Alfonso Xhekson, në nderim të Presidentit Rugova mbajti një fjalim, ku shprehu ngushëllimet e SHBA-ve për familjen Rugova dhe gjithë popullin e Kosovës. "Humbëm një mik të vërtet, një mik të SHBA-ve, që gëzon respekin e tyre, ashtu siç gëzon respektin e popujve të mbarë botës. Ne ju përcjellim një mesazh paqeje, dhe ju themi se keni një mik dhe dëshirat me të mira nga SHBA-të. Tani është koha të bashkohemi së bashku dhe të përfundojmë punën e Dr.Rugovës, të ndërtojmë këtë vend. Ju lutem mos iu shmëngëni kësaj rruge", porositi Xhekson.
Kryekuvendari Nexhat Daci, pas vdekjes së Presidentit, e ka përshkruar vendin të mbështjellë në "kostum bore të zezë", nga "dhembja e madhe për liderin historik". Ai e quajti "botë shqiptare e dinjitetshme", në shenjë respekti për atë që po tregonte gjithë populli shqiptarë për udhëheqësin shpirtëror të vendit.
"Kosovë e përlotur e heshtur, por zonjë që sot Altarit të shenjtë të Atdheut, të bijve dhe bijave që kaluan në legjendën e epokës më të re, të Adem Jasharit, Shkëlzen Haradinajt, Zahir Pajazitit, Fehmi Aganit, Imzot Mark Sopit me Nënën e dashurisë, Nënën Tereze, që nga sot ju bashkohet simboli dhe prijësi i krenarisë sonë, që u bë legjendë për së gjalli duke e shpëtuar dhe ruajtur substancën tonë kombëtare nga fashizmi i fundshekullit njëzet – Presidenti ynë i respektuar Ibrahim Rugova", tha Daci.
Ai tha se Kosova e liderit shpirtëror dhe politik, Ibrahim Rugovës, së shpejti do të jetë pjesë e Evropës së Bashkuar. "Ju e përmbushët ëndrrën Tuaj, i bëtë themelet që Kosova të jetë Shtet i Lirë dhe i Pavarur, krijuat mirëbesimin dhe filozofinë Tuaj paqësore e ndërtuese, që të gjithë qytetarët pa asnjë dallim të gëzojnë liri të plota dhe të drejta të barabarta", tha Daci ftoi Amerikën dhe Bashkimin Evropian, si vende që frymëzuan Kosovën për demokraci, që të prijnë në finalizimin e Projektit të Presidentit Rugova, "i cili nga sot do të prehet i qetë në Kosovën – Dardanin e tij antike".

Delegacionet që nderuan presidentin Rugova

Delegacioni Amerikan: Alfonso Xhekson, Sekretar për Banim dhe Zhvillim Urban, Filip Goldberg, shef i Misionit Amerikan në Kosovë dhe Frank Uizner, Përfaqësues Special i Sekretares Amerikane të Shtetit në Bisedat për Statusin e Kosovës
Delegacioni Britanik: Dagllas Aleksander, ministër për Evropë, Sofi Honi, sekretarja personale e ministrit Aleksander, Angus Lapsli, zëvendës koordinatori për Ballkanin dhe Dejvid Blunt, shef i misionit britanik në Prishtinë
Delegacioni nga NATO: Admirali Herri Ulrih, komandant i Aleancës për Krahun Jugor të Aleancës, Martin Erdman, Ndihmës-Sekretari i Përgjithshëm për Çështje Politikë
Delegacioni nga Shqipëria: Presidenti Alfred Moisiu, kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, tarshçgimtari i fronit mbretçror, Leka Zogu II, ish Presidenti Rexhep Meidani, ish kryeministri Fatos Nano, kryetari i LSI-së Ilir Meta si dhe ministra deputetë, shefa të grupeve parlamentare dhe liderë të partive të tjera
Ambasadori i Norvegjisë në NATO, Kai Aide
Ish -shefi I UNMIK-ut, Maihael Shtajner
Presidentët e Sllovenisë, Kroacisë, Maqedonisë, përkatësisht Janez Dërnovshek, Stipe Mesiq, Branko Cërvenkovski.
Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Havier Solana dhe Komisionerit të BE-së për Zgjerim, Oli Ren dhe emisari special i BE-së për statusin, Stefan Lehne
Delegacionet nga Gjermania, Zvicra dhe Austria u pëqërfaqësua me ministrat e jashtëm, përkatësisht Frank-Valter Shtajnmajer, Mishlin Calmi-Rej, Ursula Plasnik. Në delegacionin austriak kanë qenë edhe koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, Erhard Busek dhe zëvendësi i emisarit special për bisedimet për statusin e Kosovës, Albert Rohan.
Francën e ka përfaqësuar ministrja e shtetit për çështje evropiane, Katerin Kolona dhe ish shefi i UNMIK-ut gjatë viteve 1999- 2001, Bernar Kushner
Turqia, Hungaria, Rumania, dhe një numër vendesh të tjera janë përfaqësuar në nivel ministrash.
I dërguari i OKB-së për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaari.
Delegacioni nga nga Vatikani, i kryesuar nga Kryeipeshkvi Pier Luigi Celata, nga Këshilli Pontifikal për Dialog Ndërfetar.
Nga Italia dje është parë të ketë qenë ish-kryemnistri Masimo D’Alema, ndërsa në ceremoninë qendrore kanë marrë pjesë edhe delegacione nga Holanda, Belgjika, Suedia, Luksemburgu deh vende të tjera, afëërsisht rreth 40 delegacione të huaja.
Numri i madh i delegacioneve, ka bërë që në disa raste, njerëzit nga Këshilli Organizativ të lidhur me Protokollin të hasin edhe në vështirësi rreth akomodimit me kohë të mysafirëve, në raste të caktuara edhe për shkak se liderë lokalë apo politikanë vendorë, duke mos i futur në këtë mes megjithatë, disa të kujdeshsëm që u treguan, treguan edhe një herë se kanë dëshirë të ulen në rreshtat e parë, pa marrë parasysh nëse mbetet dikush i huaj dhe që duhet nderuar në këmbë.
Ndërsa ka përfunduar ceremonia qendrore në sallën “1 Tetori” shumica prej delegacioneve të huaja, e kanë përfunduar aty pjesëmarrjen në varrimin e Presidentit Rugova. Mirëpo, ka pasur edhe burrështetas të tjerë të cilët kanë marrë pjesë edhe ne vet ceremoninë e varrimit në Velani, siç ishin presidenti i Kroacisë Stipe Mesiqi, ai i Shqipërisë Alfred Moisiu bashkë me kryeministrin Berisha, etj. Gjithashtu, te varri i Presidentit Rugova ishin edhe ish-kongresisti amerikan Eliot Engëll, shefi i UNMIK-ut, Soren Jesen Petersen, komandanti i KFOR-it, gjenerali Gjuzepe Valoto, kryeparlamentari Nexhat Daci, kryeministri Kosumi, ish-kryeministrat Bajram Rexhepi e Ramush Haradinaj, lideri i Ora-s Veton Surroi si dhe shumë figura të tjera politike nga vendi e bota.

Komentoni artikullin/lajmin e mësipërm:
Emri dhe Mbiemri:
E-Mail:
Komenti juaj:  
 

 

KeL - Kosova e lirë - www.kosovaelire.com
KeL - Kosova e lirë